FSK po zgjerohet e Serbia fton serbët në ushtri, a po përgatiten vendet për konflikt në kufirin verior?

Politika

FSK po zgjerohet e Serbia fton serbët në ushtri, a po përgatiten vendet për konflikt në kufirin verior?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 nëntor 2022 Në ora: 11:44
Foto ilustrim FSK

Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten e kaluar projektligje të reja me të cilat avancohet fuqishëm baza ligjore e organizimit dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Në mesin e këtyre projektligjeve, lejohet që Ministria e Mbrojtjes të angazhojë rekrut të rregullt dhe rezervë pa kufizim.

“Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, e po ashtu përmes ndryshimit të kriterit të moshës së lejuar për aplikim, krijon mundësi më të mëdha për të gjithë ata të rinj deri në 25 vjeç të cilët duan të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së mbrojtjes.

Gjersa, FSK pritet të zgjerohet edhe më tej, edhe ministria serbe e mbrojtjes nuk i ndalë thirrjet për aplikim ushtarak.

Ajo ka ftuar të gjithë qytetarët e Serbisë prej moshës 19 deri në 30 vjeç, të cilët dëshirojnë të veshin uniformën e forcave të armatosura serbe, të aplikojnë për shërbimin vullnetar 6-mujor ushtarak me armë.

“Të rinjtë dhe të rejat që vendosin të shërbejnë vullnetarisht në ushtrinë serbe, përveç mundësisë për të përvetësuar “aftësi të reja”, për të mësuar për armët dhe pajisjet moderne ushtarake, do të marrin edhe pagë mujore prej rreth 38.000 dinarë (rreth 325 euro) dhe do t’u sigurohet rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit, sigurimi shëndetësor, akomodimi, ushqimi, si dhe veshmbathje ushtarake”, pretendohet në njoftimin e ministrisë serbe.

Njoftimet për thirrje për rekrut e ushtar, të të dyja vendeve vijnë pas zhvillimeve në veri të vendit, nga çka lindin edhe dyshimet për ndonjë konflikt në kufirin verior.

Analistët politikë kanë thënë për “Bota sot”, se Serbia nuk ka kapacitete e as guxim të bëjnë ndonjë veprim të çmendur.

Sipas tyre, FSK është ushtria më e re në Ballkan dhe me standarde të avancuara, ndërsa ushtria serbe e ka të ardhmen dështuese.

Investimi i FSK-së në pajisjet e duhura ushtarake

Analisti politik, Leon Duhanaj, është shprehur se nëse flitet për forca ushtarake në kohëra të sotme, duhet të jetë më me rëndësi kualiteti sesa kuantiteti.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, më me rëndësi duhet të jetë investimi në pajisjet e duhura, sesa të fillohet një proces masiv rekrutues.

“Kur flasim për forca ushtarake duhet të kemi parasysh faktin se në kohërat e sotshme moderne, në kuadër të një ushtrie, më i rëndësishëm është kualiteti se sa kuantiteti. Duke qenë se ne si shtet i ri, jemi thuaj se të pa durueshëm në rritjen e ushtrisë duhet të kuptohet vullneti i madh për t'u bërë ushtar përkatësisht për të pasur rekrutim të rregullt. Megjithatë do thosha se kishte me qenë me i rëndësishëm investimi në pajisjet e duhura, se sa të fillohet një proces masiv rekrutues, për të cilin nuk dihet se sa do të kemi kapacitete buxhetore për ta mbajtur në standardet e duhura bashkëkohore”, ka pohuar Dunhanaj.

Ditë më parë në media, ishte raportuar edhe për një armatosje të civilëve serbë në veri, “Bota sot”, kishte kontaktuar me Policinë e Kosovës, por një përgjigje nuk kanë dhënë.

Duhanaj ka theksuar se Serbia nuk ka kapacitet, e aq më pak guxim që të bëjë ndonjë veprim të çmendur për t’ia mësyjë Kosovës.

Kosova dhe siguria e saj, janë të mbrojtura nga NATO, ka shtuar Duhanaj, për atë Serbia nuk do të bëjë diçka.

“Për sa i përket gjendjes në veri dhe kërcënimeve nga ana e Serbisë, nuk mendoj që ata kanë kapacitet, e aq me pak guximin që të bëjnë ndonjë veprim të çmendur të ja mësyjnë Kosovës. Kjo për arsyen e vetme se Kosova dhe siguria e saj janë të mbrojtura nga NATO dhe si e tillë, nëse do të kemi ndonjë kërcënim, ai do të futej në luftë me NATO- n. Megjithatë mendoj se përkeqësimi i gjendjes në veri, ka qenë tejet i panevojshëm dhe si i tillë nuk i kontribuon qëllimit dhe interesave kombëtare”, ka deklaruar Duhanaj.

Zogaj: E ardhmja e ushtrisë serbe është dështimi!

Ndërsa, analisti Skender Zogaj ka thënë se FSK-ja është ushtria më e re e Ballkanit dhe e transformuar sipas standardeve më të avancuara të forcave mbrojtëse bashkëkohore.

Image
Skender Zogaj

 

Sipas tij, FSK ka kërkesa për vullnetarë, sepse është ushtri në funksion të ruajtjes së paqes në Kosovë e rajon, ndryshe nga forcat ushtarake konfliktuoze, agresive dhe luftënxitëse.

“FSK-ja është ushtria më e re e Ballkanit, e dalë nga lufta çlirimtare e Kosovës dhe e transformuar sipas standardeve më të avancuara të forcave mbrojtëse bashkëkohore të vendeve me të zhvilluara dhe demokratike që veprojnë nën kupollën e NATO-s si kryeforca mbrojtëse e lirisë dhe paqes botërore. Duke qenë se FSK-ja është ushtri në funksion të ruajtjes së paqes në Kosovë e në rajon, është ushtri që gëzon përkrahjen dhe ndihmën e plotë të qytetarëve të Kosovës, prandaj, kërkesat e vullnetarëve për angazhim në radhët e saj janë më të mëdha, se sa aktualisht, FSK-ja ka mundësi që të pranojë rekrutë dhe rezervistë të interesuar. Normalisht që kështu nuk ndodh në vendet militariste, ku forcat ushtarake janë konfliktuoze, agresive dhe luftënxitëse, prandaj në vend të dashurisë urrehen dhe refuzohen edhe nga vetë bashkështetasit e tyre! Këtu qëndron dallimi ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë serbe, e ardhmja e së cilës është dështimi!”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Ndërsa, ditën e martë analisti politik Gazmir Raci ka publikuar pamje nga bjeshkët e Corrovocës në Istog, ku shihen disa vetura, që thuhet të jenë serbe.

Në postimin e tij në Facebook, ai ka shkruar se një banor nga atje ka thënë se dje në këto bjeshkë janë parë xhipa të ushtrisë serbe.

“Sipas një banori, dje në Bjeshkë të Corrovodës së Istogut janë parë disa xhipa të Ushtrisë së Serbisë”, ka shkruar Raci në Facebook

Kurse, analisti politik Skender Zogaj ka kërkuar hetim dhe raportim tek autoritetet vendore.

Sipas tij, nuk duhet qëndruar duarkryq kur bëhet fjalë vetëmbrojtja.

“ Sa i përket armatosjes së civilëve serbë në veriun e Kosovës dhe lëvizjet e tyre të dyshimta, duhet të hetohen me kujdes dhe të raportohen tek autoritetet vendore. Nuk duhet qëndruar duarkryq: në qendrat komunale duhet të formohen, trajnohen dhe të funksionojnë njësitet civile të rezervistëve, me detyra konkrete të vetëmbrojtjes. Padyshim që vetëmbrojtja duhet të jetë adekuate me faktorët rrezikues! Lëvizjet e civilëve të armatosur serbë në malet e Istogut nuk ka nevojë të komentohen, por duhet ndalohen rreptësisht!”, ka përfunduar Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat