Lista Serbe kthehet në Kuvend/ Profesori ‘zbulon’ lojën e Serbisë!

Politika

Lista Serbe kthehet në Kuvend/ Profesori ‘zbulon’ lojën e Serbisë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 22:21
Lista Serbe

Lista Serbe është kthyer sot në Kuvendin e Kosovës.

Pas dy javësh kur dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, deputetët e Listës serbe janë betuar sot në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e rinjë kanë zëvendësuar kolegët e tyre në këtë parti që kanë dhënë dorëheqje.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetushmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane”, thuhet në tekstin e betimit për Kuvend të Kosovës, në të cilën u betuan nëntë deputetët e rinj të Listës Serbe.

Pas betimit, deputetët serbë u larguan menjëherë nga salla.

Për kthimin e Listës Serbe në Kuvend flet profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami.

Ai thotë se është një lojë për të kamufluar situatën dhe krijuar përshtypjen se zgjedhjet do të mbahen.

Image
Avni Islami

Sipas tij, vetë fakti që janë kthyer në Kuvend tregon se nuk ka zgjedhje.

“Kthimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvend dhe zëvendësimi i tyre tregon se në veriun e Kosovës nuk do të ketë zgjedhje. Mendoj që kjo është lojë politike e Serbisë në mënyrë që të bllokohen zgjedhjet në veri, sepse komuniteti serb në veri është ngulfatur nga politika e Beogradit bashkë me Listën Serbe, ku brenda saj ka grupe të kriminalizuara dhe të organizuara me grupe të armatosura”, thotë Islami.

Profesori shton se, kjo tregon se më datën 21, në ditën kur duhet të fillojnë gjobat për targat, do të arrihet një marrëveshje dhe nuk pret që të ketë përshkallëzim të situatës në veriun e Kosovës.

Kurse, Lista Serbe ka thënë se e kanë bërë kthimin në Kuvend në mënyrë që vendet në legjislativin e Kosovës të jenë në duar të sigurta.

“Vendimi i sotëm strategjik ka penguar drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë… Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviqit, por edhe të tjerëve si ajo, ishte të votonin ndryshimet kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit në institucione etj”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Ky komision ka njoftuar se afati i aplikimit për certifikim të subjekteve politike është nga 15 nëntori deri më 21 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat