Ish-zyrtari i lartë amerikan: Ja si duhet të veprojë urgjentisht Kurti, para se të ndodhë një konflikt më i madh Kosovë-Serbi

Politika

Ish-zyrtari i lartë amerikan: Ja si duhet të veprojë urgjentisht Kurti, para se të ndodhë një konflikt më i madh Kosovë-Serbi

Nga: A.Zhushi Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 07:33
Albin Kurti dhe David Phillips; foto ilustrim nga "Bota sot"

Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës të vendosura nga Serbia, janë të paligjshme. Në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ish-diplomati amerikan ka thënë se konfrontimi mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë zgjidhja e fundit dhe se tani duhen masa më të forta për kapërcimin e bllokadës.

“Konfrontimi duhet të jetë gjithmonë zgjidhja e fundit. Megjithatë, konfrontimi mund të jetë i nevojshëm kur opsionet diplomatike janë ezauruar. Në këtë pikë nevojiten masa më të forta për të kapërcyer bllokadën kokëfortë dhe të paligjshme të Serbisë që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, është shprehur Phillips.

Ish-zyrtari në Departamentin e Shtetit, nuk ka lënë pa përmendur faktin se si Kosova detyroi OKB-në për ndërmjetësimin e statusit përfundimtar të saj.

“Në instancat e mëparshme, Kosova ka mundur t'i arrijë qëllimet e saj dhe të marrë mbështetjen ndërkombëtare përmes konfrontimit. Në vitin 1998, UÇK-ja u ngrit kur rezistenca pasive jo e dhunshme nuk arriti t'i jepte fund abuzimeve të Serbisë. Veprimet e UÇK-së përfundimisht përshpejtuan ndërhyrjen e NATO-s dhe një proces diplomatik të udhëhequr nga OKB-ja.

Protestat e Pranverës në 2004 demonstruan gjithashtu dobinë e konfrontimit. Shqiptarët e Kosovës ishin në ankth me theksin e OKB-së mbi "standardet para statusit". Dhuna ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës shërbeu si një alarm zgjimi se harresa e Kosovës ishte e paqëndrueshme. Ajo e detyroi OKB-në të bëhet më proaktive, duke ndërmjetësuar statusin përfundimtar të Kosovës”, ka thënë më tej Phillips.

Ndërsa, për tensionet e fundit, që erdhën pas vendosjes së barrikadave në rrugët e veriut të Kosovës nga serbët lokalë, eksperti amerikan ka theksuar nevojën urgjente që kryeministri Albin Kurti, t’i drejtohet kombit për heqjen e tyre. Sipas tij, Kurti duhet të theksojë se dialogu me Serbinë, ka dështuar, pavarësisht vullnetit të mirë të Kosovës.

“Kryeministri Albin Kurti duhet t'i drejtohet kombit për nevojën urgjente për heqjen e bllokadës. Ai duhet të theksojë se Kosova vazhdimisht ka bërë thirrje për dialog për stabilizimin e situatës dhe për ndihmën e NATO-s. Pavarësisht përpjekjeve dhe vullnetit të mirë të Kosovës, dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka dështuar të adresojë shqetësimet thelbësore. Dialogu ka zëvendësuar veprimin. Diplomacia është bërë një justifikim për ruajtjen e status quo-së”, ka potencuar më tej David L. Phillips.

Ai ka treguar edhe mënyrën se si duhet të veprojë kryeministri Kurti.

“Për ta bërë këtë, Kurti duhet të theksojë se Kushtetuta e Kosovës dhe institucionalizimi i parimeve të Ahtisaarit e bënë Kosovën model për të drejtat e pakicave dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Kosova është përkulur për të akomoduar pakicën e saj serbe dhe për të vendosur marrëdhënie të mira me Beogradin”, ka thënë Phillips.

Sipas tij, nëse Serbia refuzon një afat që do ta vendoste Kosova për heqjen e barrikadave, këtë do të duhej ta bënin Frocat Speciale të Kosovës, para se të ndodhë një konflikt më i madh Kosovë-Serbi.

“Serbëve duhet t'u jepet një afat për të çmontuar barrikadat. Nëse Serbia refuzon, atëherë Forcat Speciale të Kosovës duhet të ndërmarrin hapa për të zgjidhur situatën duke përdorur forcën nëse është e nevojshme. Procesi duhet të jetë transparent dhe të theksojë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kushtet aktuale janë të paqëndrueshme. Është e rëndësishme t'i trajtoni ato përpara se marrëdhëniet e komunitetit të përkeqësohen dhe të ndodhë një konflikt edhe më i madh”, ka shtuar eksperti amerikan për “Bota sot”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, ka paralajmëruar se heqja e barrikadave do të nisë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, ka thënë ai, pas një takimi në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Takimi I tyre erdhi pasi ish-policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulm ndaj anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Arrestimi i Pantiqit, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat