Rugovizmi dhe LDK-ja, sa është ruajtur gjatë këtyre viteve?

Politika

Rugovizmi dhe LDK-ja, sa është ruajtur gjatë këtyre viteve?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 janar 2023 Në ora: 12:30
Dr.Ibrahim Rugova

Lidhja Demokratike e Kosovës është formuar në vitin 1989 nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

Në një intervistë të rrallë dhënë medias gjermane, Rugova në atë kohë tregonte se si ishte themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe pse ishte zgjedhur kryetar i saj.

“Unë kam hy në politikë duke mbrojtur shoqatën e shkrimtarëve. Kur u prish Jugosllavia, u sulmua edhe lidhja e jonë e shkrimtarëve. Pastaj themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa me 1992 u zgjodha president i Kosovës”, ka thënë asokohe presidenti Rugova.

Ai ka treguar se përse ishte themeluar LDK-ja asokohe.

“Por, unë jam edhe kritik letrar, ndaj nuk e kam pasur të vështirë të futëm në politikë, por këtë nuk e kam bërë për qëllime karrieriste, por për të mbrojtur ekzistencën time dhe të popullit tim, dhe për të krijuar një bazë të re të bashkëjetesës sonë me Evropën dhe me botën”, ka shtuar ai.

Ai e vlerësonte si çështje ekzistenciale për shqiptarët, lëvizjen politike që e drejtonte.

“Është një politikë e ekzistencës dhe e mbijetesës, që na është dashur ta zgjidhnim. Kam mësuar shumë nga kritika letrare, edhe për marrëdhëniet e pushtetit në një vend të caktuar”, kishte thënë Rugova.

Vizioni i Rugovës udhërrëfyes

Për shumë vite edhe pas luftës ishte partia e parë, më e votuara, por tani LDK-ja e Rugovës renditet si partia e tretë në vend.

LDK-ja e cila vazhdimisht thirret në rugovizëm, e tregon të kundërtën në zgjedhje, prandaj analistët politikë thonë se LDK-ja e kësaj kohe, nuk ka shumë të përbashkët me LDK-në e Rugovës.

Ndërsa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se me vdekjen e Rugovës në LDK ka mbetur një boshllëk dhe këto vitet e fundit ka pasur shmangie nga vizioni rugovian.

Ish-deputeti i LDK-së, anëtar i kësaj partie, Naser Rugova, thotë për “Bota sot”, se vizioni i presidentit Rugova vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe në ditët e sotme për shtetin dhe popullin e Kosovës.

“Vizioni i Presidentit Rugova i proklamuar para 33 viteve për një Kosovë të lirë, të pavarur, e të integruar në BE, NATO dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe në ditët e sotme për shtetin dhe popullin e Kosovës. Ky është testament politik dhe nacional i Atit Themeltar të shtetit të Kosovës, nuk ka rrugë tjetër. Liria dhe pavarësia janë realizuar nga ky vizion i presidentit, ndërsa duhet punë e madhe dhe rrugë e gjatë me plot sfida deri në integrimin final të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Ky vizion dhe program nacional është jo vetëm i vlefshëm, por edhe orientim strategjik i Kosovës. Ky fakt dhe shumë ide, veprime dhe filozofia e veçantë politike e bëjnë Presidentin Rugova liderin më të dashur dhe më të çmuar në botën shqiptare”, ka deklaruar Rugova.

Me vdekjen e Presidentit Rugova, u krijua një boshllëk i madh për sfidat që e prisnin Kosovën, shprehet Rugova, gjersa shton se janë bërë gabime edhe politike edhe juridike në përfaqësimin dhe përcjelljen e mesazheve.

“Pas kalimit në amshim të Presidentit, u krijua një boshllëk i madh, jo vetëm i humbjes të zotit të shtëpisë, por edhe i mungesës së një lideri të fortë, tolerant dhe unifikues në sfidat që e prisnin Kosovën. Është gabuar në veprime dhe partneritet strategjik me miqtë e Kosovës, të cilët ishin dhe janë garancë e shtetit tonë. Janë bërë gabime edhe politike, por edhe juridike e të nivelit të përfaqësimit dhe përçuarjes së mesazhit të nevojshëm politik në qendrat e vendimmarrjes. Këto devijime dhe mungesa e një uniteti funksional dhe kohezionit politik na ka penguar dhe shpesh na ka larguar nga testamenti politik i Presidentit Rugova. Ky fenomen po ndodhë edhe në ditët e sotme në diskursin politik të Kosovës”, thekson Rugova.

Image
Naser Rugova

 

LDK-ja në 13 vite ka bërë shpeshherë shmangie nga vizioni rugovian, sipas Rugovës, gjersa shton se lidershipi aktual po e bën të njëjtin gabim.

“Populli i Kosovës e ka në zemër Rugovën dhe kapitalin e tij politik. LDK-ja këto 13 vitet e fundit ka bërë shpeshherë shmangie nga vizioni rugovian. Edhe lidershipi aktual po e bën të njëjtin gabim. Duke bërë fushate dhe retorikë elektorale me këtë vizion ata po e penalizojnë jo vetëm LDK-në, por edhe Kosovën. LDK-ja e ka boshtin kurrizor rugovizmin dhe djathtizmin e moderuar, prandaj këto vite me devijimet e bëra i kemi humbur disa palë zgjedhje. Rikthimi në shtratin ideologjik dhe respektimi i vizionit rugovian e nxjerrë LDK-në si subjekt të parë që vlerëson se është edhe interes i Kosovës”, shton Rugova.

Ibrahim Rugova e themeloi LDK-në në vitin 1989 si një lëvizje e gjerë, e cila udhëhoqi institucionet paralele të Kosovës në vitet 1990, pasi “Kasapi i Ballkanit” Sllobodan Millosheviçi kishte shfuqizuar në mënyrë të dhunshme statusin autonom të Kosovës, të fituar me Kushtetutën e vitit 1974.

LDK-ja ka ngel vetëm imazh i të shkuarës

Rugova me LDK-në dhe partitë tjera shqiptare, nxitën deputetët e Kuvendit të Kosovës që të shpallin Kosovën Republikë më 1990, më 1991 mbajtën referendumin për pavarësi, dhe më 1992 u mbajtën zgjedhjet e para nacionale, për Kuvend dhe president, si dhe më 1998. Në dy palë zgjedhje Rugova fitoi bindshëm.

Po ashtu edhe pas luftës, Rugova me LDK-në, shënuan fitoren më të madhe në zgjedhje deri më sot, me mbi 56%, në vitin 2000. Edhe në dy palë zgjedhje nacionale shënoi fitore gati absolute prej 47%, përkundër dhunës politike që u përcoll me dhjetëra vrasje.

Nga vdekja e presidentit Rugova, LDK-ja kishte ngritje dhe zbritje, ndërsa “goditjen” më të rëndë e mori në zgjedhjet e vitit të kaluar, ku u rendit në vendin e tretë me 12.64 % për qind.

Sipas analistit politik, Faton Mehmeti, me ikjen e Rugovës, LDK ka ngelur vetëm imazh i së shkuarës.

Image
Faton Mehmeti

 

Mehmeti përmend dy vlerat kryesore të Rugovës që nuk janë më në LDK, gjersa shton se është e turpshme që tërë kohës flasin për rugovizëm, kurse në realitet e luftojnë atë si askush tjetër.

“Që nga ikja e Rugovës për në amshim, LDK-ja ka ngel vetëm imazh i të shkuarës. S’ka asgjë të përbashkët me LDK-në e Rugovës. E kapur nga Isa Mustafa, LDK-ja shënoi rrënimin e saj, zhveshjen e saj nga të gjitha vlerat e saj që e karakterizonin me rugovizmin si filozofi të saj. Dy vlerat kryesore të Rugovës, që sot nuk janë në LDK, janë: mosizolimi i të keqes dhe mirënjohja ndaj figurave të saja. Fatkeqësisht LDK-ja ka bashkëpunuar me të keqën duke munduar që ajo të qëndrojë në pushtet, duke u bërë pjesë e saj si dhe nuk ka respektuar figurat e saja. Përkundrazi ka krijuar klane që kanë bashkëpunuar me klanin "Pronto", duke e zhvesh partine e parë antikomuniste, në barrë për shoqërinë. E turpshme që nga LDK-ja tërë kohën flasin për rugovizëm, në realitet e luftojnë atë si askush tjetër”, ka deklaruar Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat