A po i ‘frikësohet’ PDK Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme?

Politika

A po i ‘frikësohet’ PDK Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 shkurt 2023 Në ora: 10:24
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. 

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë në PDK, Përparim Gruda, deklaroi se kontestimi i Projektligjit në Kushtetuese është bërë brenda afatit ligjor. 

Lidhur, me këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu. 

Haxhiu, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ka shkruar se kjo po bëhet për të zhagitur reformat. 

Sipas saj, Byroja do të bëhet dhe drejtësia do të triumfojë. 

“Dërgimi i Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave. 

Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve. 

Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, deklaroi ndër të tjera ministrja Haxhiu. 

PDK është partia e vetme që e dërgoi këtë ligj në Kushtetuese. 

Kelmendi: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë obligative 

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se partitë politike kanë të drejtë të paraqesin padi ndaj çdo ligji që aprovohet në Kuvend.

Image
Muhamet Kelmendi

“Procedura e aprovimit të ligjeve, deri sa të nënshkruhet dhe të bëhen të plotëfuqishme, në shtetet demokratike dhe parlamentare, është e domosdoshme, nëse ka padi, që të kalojë çështja në Gjykatën Kushtetuese. 

Partia apo grupi parlamentar, presidenti dhe grupi i qytetarëve në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të paraqesin padi për çdo ligj që aprovohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Kelmendi. 

Sipas tij, PDK me padi po tenton ta ndalojë futjen në fuqi të projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. 

Padia ndalon futjen në fuqi të ligjit të paditur.  

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkohet të zhvillojë procedurën gjyqësore dhe të vendosi përfundimisht. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative.  Kundër tyre nuk ka të drejtë ankese”, theksoi ai. 

Ndër të tjera, juristi potencoi se padia e bërë nga PDK është një gjë kushtetuese. 

“Natyrisht, se jo vetëm Ligji për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që tash gjendet në gjykatë, por çdo ligj, pavarësisht nga natyra, mund të kalon në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me padi. Kjo është gjë kushtetuese”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”. 

Burjani: Të gjithë të korruptuarit nga PDK e deri te AAK duhet t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë 

Kurse, juristi Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot” tha se këto ‘manovra’ legjislative nuk duhet të ndërmerren.

“Nuk është çështje partiake, por çështe e ligjeve dhe aqui communitar të BE, kjo bie ndesh me standardet ligjore evropiane, këto manovra legjislative nuk duhet të ndërmerren, pra nuk duhen tema të tilla që nxitin pastaj reagime nga BE”, deklaroi ai. 

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Kosova ka ligje të mjaftueshme pë konfiskim të pasurive të paligjshme, por po mungon dhe ka munguar në të kaluarë, vullneti i prokurorive dhe gjykatave që të merren me këto çështje. 

“Kosova ka ligj të mjaftueshëm apo tepri të bollshme, problemi është te prokuroria e gjyqësorët, prokuroria ka qenë dhe mbetet në gjumë për luftimin e korrupsionit, pra s’ka gjë prej kësaj teme. Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë duplifikim institucional, që bie ndesh me ligjet në fuqi”, nënvizoi Burjani. 

Madje, juristi tha se të gjithë të korruptuarit, pa dallime partiake duhet t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë. 

Kësisoj, ai kërkoi nga prokuroria që të hartojë aktakuza për personat që dyshohet se janë pasuruar jashtëligjshëm. 

“Të gjithë të korruptuarit nga PDK e deri te AAK duhet të i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe prokuroria deri tash me qindra aktakuza është dasht të hartojë për shumë persona që janë lidhur me lider dhe janë pasuruar pa ndonjë bazë. 

Këtë s’po ka kush ta bëjë përderisa qytetarët e dijnë kush janë shumica e këtyre personave, pastaj për punësime familjare në shërbimin civil, në veçanti në shërbimin diplomatik. Për këtë s’ka pas nevojë për byro për veprim të prokurorisë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”. 

Më 9 shkurt 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.  

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.   

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, projektligji nuk procedohet nga ana e Kuvendit për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat