Në PDK ka persona që duan ndarje, apo korrigjim të kufijve, analisti akuza ndaj opozitës

Politika

Në PDK ka persona që duan ndarje, apo korrigjim të kufijve, analisti akuza ndaj opozitës

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 10:41
PDK

Analisti politik, Binak Maxharraj, ka kritikuar opozitën e tanishme, por pozitën e kaluar për veprimet që sipas tij e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.

Maxharraj ka kujtuar kohën kur bëheshin pazare me territore, kur i falej toka Malit të Zi dhe marrëveshjet e kaluara të dëmshme.

Kosova tashmë është shtet i pavarur qe 15 vite, por sfidat para e pas pavarësisë nuk i janë ndalur.

Përkundër, që partia e tij ka udhëhequr me shtetin për pothuajse për dy mandate pas pavarësisë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se Kosova nuk është aty ku duhet për shkak të opozitarizmit agresiv.

Sipas tij, nëse nuk do të ishte opozita e molotovëve, Kosova do të ishte anëtarësuar në OKB dhe do ta kishte përmbyllur dialogun me Serbinë.

“Nuk ka përfunduar rrugëtimi ynë për të përfunduar ëndrrën që kishim përpara 15 vitesh kur e shpallëm Kosovën shtet. Shumë gjëra të papritura ndodhen dhe penguan ambiciet tona. Kosova në 15 vite është shumë. Unë besoj se nëse nuk do të kishim një opozitarizëm agresiv me bomba molotov, Kosova do ta kishte mbyllur dialogun me Serbinë dhe tashmë do të ishte anëtarësuar e OKB. Gjëra të rëndësishme si liberalizimi i vizave do të kishte ndodhur 5 vite më herët”, tha mes të tjerash Krasniqi.

Analisti politik, Binak Maxharraj, thotë se se në partinë e Krasniqit ka njerëz që deklaronin haptas se duhet bërë kompromise me Serbinë.

“Por, z. Krasniqi edhe sot e kësaj dite brenda PDK-së i ke njerëzit bile në funksione partiake (Ramë Buja, Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku, etj.) të cilët hapur dalin  se duhet bërë kompromise me Serbinë duke e ndarë Kosovën apo bërë korrigjim të kufijve atje në veri sepse një pjesë të saj nuk paska qenë e jona, por e paskemi pasur si dhurata nga krimineli Aleksandër Rankoviq i cili njihet si vrastar dhe për ndjekjen e shqiptarëve jashtë vendit në vitet e pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, kurse ti z. Krasniqi as gojën nuk ke guxuar ta hapësh e lëre më t’ua kërkosh përgjegjësinë, sepse ta kanë mbyllur gojën duke të thanë se po e ndjekin rrugën e liderëve të fuqishëm të PDK-së të cilët tani gjenden në Hagë”, shprehet Maxharraj.

Duke folur rreth marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Maxharraj, thotë se me dorën e shqiptarit humbi Çakorri.

“Por, nga ana tjetër liderët e kësaj opozite bënë atë çfarë Kral Nikolla dhe Mark Milani të Malit të Zi nuk mundën ta bënin më luftëra të përgjakshme duke ia fal Çakorrin Malit të Zi, i cili mbrohej nga kreshnikët e Rugovës, kurse tani kjo opozitë ia fali me dorën e vetë si në tepsi Çakorrin (me 8200 hektarë) këtë përkrenare të Kosovës pa fije turpi të cilën e realizoi me një Parlament të turpshëm duke e ratifikuar. Por flitet se Çakorri u dha në këmbim për një karrige të kryeministrit. Pra, me dorën e shqiptarit humbi Çakorri, duke ia falë Malit të Zi çfarë nuk e bënë as kraljit ,e as mbretërit, bile këtë marifet nuk e bëri as kasapi i Ballkanit Millosheviq”, thekson Maxharraj.

Ndërsa, asociacioni është një ndër arsyet tjera, që sipas Maxharrajt, Kosova nuk është aty ku duhet të jetë.

“Se Kosova nuk është aty se ku do të duhej të ishte z. Krasniqi është edhe fakti se pos shumë të këqijave që kjo opozitë e sotme ia ka bërë Kosovës ia lidhi te dy këmbët. Është edhe fakti kur pa fije turpi nënshkruan më 2013/2015 Asociacionin një etnik serb që ishte synim kryesor i Serbisë dhe Vuçiqit që të krijonin një ”Republika Srpsaka” në zemër të Kosovës, e cila në qoftë se miratohet do të jetë fatal për Kosovën edhe përkundër asaj që po deklarojnë ndërkombëtarët se nuk do të ndodhë, sepse këta ndërkombëtarë po të ishin të sinqertë, duke e përfshirë edhe Amerikën, e cila Kosovën edhe po e kërcënon se do ta bëjnë edhe përkundër ”refuzimit të një individi apo partie” se do ta bëj me partner tjerë ndoshta brenda kësaj opozite të sotme. Por këta ndërkombëtarë, pse sot nuk po e bëjnë atë se çka po i premtojnë Kosovës edhe në Bosnje e Hercegovin kur hapur doli në dritë ”Republika Srpska” e Dodikut e cila ishte si rezultat i Konferencës së Dejtonit që lejuan që kjo të vijëzohet në baza etnike. Këta ndërkombëtarët e sotëm me plot premtime se kjo nuk do te ndodhë edhe ne Kosovë është me tepër një fluskë politike për mashtrim, sepse po të ishin të sinqertë ata sot do të vepronin edhe në BeH, por po shukasin para një akti të kryer”, pohon Maxharraj.

Analisti përmend edhe arsyet pse Kosova nuk është anëtarësuar në OKB, që sipas tij, kjo do të bëhej nëse OKB do ta përjashtonte Rusinë dhe Kinën.

“Kryetari i PDK Memli Krasniqit hapur pa fije turpi deklaron se sot ”Kosova do të ishte anëtarësuar në OKB si dhe do ta kishte përmbyllur dialogun me Serbinë”, por kjo nuk ka ndodhë për shkak të “opozitarizmit të molotovëve”, por për shkak të oportunizmit të klaneve dhe bandave mafioze të opozitës së sotme. Zbulim epokal sui generis, apo jo z Krasniqi. Pse?! -se së pari z.Krasniqi të admirojë për ëndrrat e bukura në gjumë të ëmbël, kur deklaroni se Kosova deri më tani do të ishte e pranuar në OKB. Kjo do të ndodhte sikur Krasniqi të kishte ndonjë fuqi mbi natyrore, mbase të alieneve të përjashtonte nga OKB Rusinë dhe Kinën të cilat vështirë se do të bënin këtë në këto kushte dhe rrethane në te cilat gjendet Kosova. Kur i ka mbi kokë korbat e zi të Serbisë që deklaron fuqishëm, por edhe para ndërkombëtarëve se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, e ata ne vend të reagimit veç i u zgërdhihen asaj bile edhe i dalin përkrah Serbisë se duhet bërë kompromise, kuptohet në dëm të Kosovës. Ose, ndoshta Kosova do të ishte në OKB sikur kjo organizatë me fuqishme të kishte selinë në Kishnicë të Pejës, së dyti ti hala z.Krasniqi je në gjumë të rëndë se sikur të mos ishte “oportunizmi i molotevëve” me Serbinë do të kishte përfunduar dialogu”, deklaron Maxharraj.

Tutje, ai kritikon Krasniqin për logjikën e ndjekur, gjersa shton se opozita duhet të bashkohet me pozitën.

Sipas tij, Kurti dhe Osmani do ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Ja deri ku shkon logjika e këtij harifi i këtij arpagjiku, adoleshenti në politikë, duke ia përkujtuar se dialogu i cili po zgjatë qe 12 vjet do të zgjasë edhe 1oo vjet dhe Serbia normalisht nuk do ta njoh Kosovën. Sikur keni harruar z. Krasniqi se Serbia nuk ka hyrë në dialog për përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë siç e mashtroi Vuçiqi emisarin Gabriel Escobar, por për diçka më të madhe se kjo, thjeshtë ajo po kërkon hise në Kosovë, të cilën po synon ta arrijë përmes Asociacionit një etnik serb, pra një ”Republika Srpska” në Kosovë, që mbase nuk do të kishte së çfarë të bëj as Amerika, e lëre më as BE cila do të gjendej para një akti të kryer. Fatkeqësisht krijimit të fantazme të këtillë për mes Asociacionit po e përkrah edhe opozita e sotme, në vend se të bëhet e bashkuar tokë me pozitën, qeverinë e Kosovës që kjo mos të ndodhë, por siç po duket për këtë opozitë të gjorë, e të mjerë me e rëndësishme është pushteti. Më e rëndësishme për të është të plotësohet kërkesa shekullore e Serbisë për territore se sa angazhimi i saj se bashku më pozitën që të mos i ndodhë kjo e keqe e cila po i kanoset Kosovës. Kjo qeveri e Kosovës me Albin Kurtin në krye dhe me Vjosa Osmanin presidente do të ngulin këmbë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, sepse Kosova për të është e shenjët e jo lojë pazaresh e klaneve të ndryshme te opozitës se sotme. Dhe askush nuk e ka të drejtën me Kosovën te sillet si me fëmijën e vet”, përfundon Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat