Kelmendi: Asociacioni mund të diskutohet në Bruksel, ja cilit shtet duhet t’i kërkojë ndihmë Kosova

Politika

Kelmendi: Asociacioni mund të diskutohet në Bruksel, ja cilit shtet duhet t’i kërkojë ndihmë Kosova

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 shkurt 2023 Në ora: 15:09
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

E hëna e 27 shkurtit do të jetë dita kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të takohen në Bruksel.

Siç raportohet, në këtë takim do të diskutohet për propozimin franko- gjerman.

Në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin.

“Takimi do të fokusohet ne propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara njoftuan se mbështesin fuqishëm propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

ShBA kërkon nga të dy palët që të tregohen konstruktivë në takimin e së hënës në mënyrë që të ecet përpara në këtë proces.

“Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimit në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Analisti politik, Muhamet Kelmendi, thotë se nuk është e lehtë të konstatohet se çfarë do të diskutohet dhe çka do të diskutohet në Bruksel.

Duke iu referuar deklaratës së nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka thënë se më 27 shkurt do të nënshkruhet asociacioni, Kelmendi thotë se nuk dihet.

“Dokumentet që nënshkruhen në Bruksel pa kaluar nëpër Kuvend dhe me 2/3 të votave nuk bëhen të plotfuqishme! Nuk është lehtë të konstatohet të hënën çfarë do të diskutohet dhe çka do të nënshkruhet dhe a do të nënshkruhet ndonjë dokument në Bruksel. Ndoshta z. Çitaku ka të dhëna dhe deklaron "se në Bruksel, më 27 shkurt 2023, do të nënshkruhet "Asociacioni" nga ana e z. Kurtit".

Kjo nuk dihet!”, thotë Kelmendi.

Sipas tij, Asociacioni është obligim ndërkombëtar.

“Megjithatë, duhet theksuar se Asociacioni është rrjedhojë e Marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015. Kjo e fundit është anuluar nga Gjykata Kushtetuese. Ka mbetur Marrëveshja e vitit 2013. Juridikisht, Asociacioni sipas Marrëveshjes së vitit 2013, pasi e ka votuar Kuvendi, në pjesët jo anti kushtetuese, është një obligim ndërkombëtar. Çdo veprim që bëhet ka për qëllim që Kosova të dalë më pak e dëmtuar nga Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin”, pohon Kelmendi.

Image
Muhamed Kelmendi

Ditë më parë, Britania e Madhe është shprehur kundër formimit të Asociacionit, ndërsa Kelmendi thotë se Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga ajo.

Sipas tij, ajo duhet të kërkojë ndihmë edhe nga senatori amerikan për politikë të jashtme në Washington, kjo sepse edhe ai ka qëndrim të njëjtë.

“ Këtu duhet të theksohet ndihma e madhe që po bën Londra kundër Asociacionit. Në parlamentin anglez u tha” Londra do të jetë kundër Asociacionit me pushtet vetëqeverisës që nënkupton një Republikë serbe në Kosovë”. Po kështu dhe me këtë qëndrim ishte edhe senatori amerikan për politikë të jashtme në Washington. Këto dy qëndrime kërkohen të mbështeten nga Prishtina. Në punën e asociacionit kërkohet që z. Kurti të kërkojë ndihmë nga Senati Amerikan për Politikë të Jashtme dhe nga Parlamenti i Britanisë së Madhe në Londër. Nuk duhet të nënshkruhet asociacioni pa analizën e tillë dhe ndihmën që mund të japin Londra dhe senati i SHBA-së në Bruksel”, thekson Kelmendi.

Në Bruksel mund të kërkohet asociacioni, thotë Kelmendi, mirëpo Kosova duhet ta kundërshtojë.

Sipas Kelmendit nëse nënshkruhet ndonjë dokument, duhet t’i paraqitet Kuvendit për aprovim.

“Këtu në Bruksel, më 27 shkurt, kuptohet se do të kërkohet asociacioni, këtë duhet parimisht ta kundërshtojë Kosova. Pa njohje reciproke nuk bën të nënshkruhet asnjë dokument, pavarësisht natyrës dhe përmbajtjes së dokumentit. Me njohje reciproke hapet perspektiva. Tjetër kërkohet që Asociacioni mos të ketë pushtet ekzekutiv, mos të jetë në nivel vertikal, duke krijuar organe të nivelit të dytë të pushtetit dhe as mos të ketë pushtet, sikundër u tha në Parlamentin e Anglisë, me karakter vetëqeverisës në kuptimin e shtetit, po të jetë organizatë e karakterit jo qeveritar. Me organizatë qeveritare de-fakto krijohet në aspektin juridik pushteti juridik edhe de-jure. Këtë shteti në asnjë mënyrë, nuk duhet të pranojë. Në fund të fundit, nëse z.Kurti nënshkruan ndonjë dokument, ai dokument duhet t'i paraqitet Kuvendit për aprovim. Dokumenti i tillë vetëm me 80 vota kalon, përkatësisht duhet të jenë 2/3 e votave të Kuvendit, për t' u bërë i plotfuqishëm. Kjo realizohet vetëm me opozitë. Pa votat e opozitës ky dokument nuk hyn në fuqi”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat