Si të arrihet deri te njohja e Kosovës nga Ukraina? Analistët tregojnë se çka përfiton vendi nga ky akt

Politika

Si të arrihet deri te njohja e Kosovës nga Ukraina? Analistët tregojnë se çka përfiton vendi nga ky akt

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 shkurt 2023 Në ora: 14:06
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Analisti amerikan, Edward P. Joseph, ka thënë se pas takimit të së hënës në Bruksel, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i ekzekutivit, kryeministri Albin Kurti, duhet të shkojnë në Kiev për të kërkuar njohjen e Ukrainës nga presidenti ukrainas, Zelensky.

Sipas Joseph, njohja e Ukrainës mund të zhbllokojë rrugën e Prishtinës drejt NATO-s dhe jo vetëm.

“Në të vërtetë, është Kievi që është në pozicionin më të mirë për të afirmuar rendin perëndimor duke njohur Kosovën. Njohja e Ukrainës mund të zhbllokojë rrugën e Prishtinës drejt NATO-s, të çojë përpara përpjekjen intensive diplomatike midis Serbisë dhe Kosovës dhe t’i shkaktojë një goditje të rëndë presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë ai.

Rreth këtij propozimi të analistit amerikan, kanë folur për Bota sot, analistë e ekspert sigurie.

“Njohja ukrainase e Kosovës do të shkatërrojë menjëherë status quo-në për ata që nuk e njohin”

Analisti politik, Gazmir Raci, thotë se diplomacia e Kosovës nuk duhet të ndalet sa i përket shtimit të njohjeve.

“Kosova gjithnjë duhet të angazhohet në shtimin e njohjeve të reja. Duket që faza nëpër të cilën po kalojmë për shkak të dialogut ka ngecje në këtë drejtim, por diplomacia e Kosovës nuk duhet ndaluar për asnjë moment në këtë drejtim”, shprehet Raci.

Njohja nga Ukraina do të ishte sukses i madh, sipas Racit, gjersa shton se Kosova që në ditët e para ka qenë në përkrahje të saj.

“Edhe njohja nga Ukraina në këto momente do ishte sukses i madh për Kosovën, sepse e kaluara e jonë për shkak të pushtimit serb e po ashtu e tanishmja e Ukrainës për shkak të pushtimit rus na bënë të ndajmë të njëjtat vuajtje dhe shqetësime. Kosova ishte që nga ditët e para përkrah Ukrainës dhe komunitetit ndërkombëtar në mbështetje të pa rezervë për të vendosur sanksione e po ashtu hapi dyert edhe për njerëz e gazetarë”, pohon Raci.

Image
Gazmir Raci

Joseph ka numëruar mënyrat e përshpejtimit të procesit të njohjes së Prishtinës nga Kievi.

“Së pari, si vendi që, siç ka thënë Presidenti Biden, është ‘në vijën e parë të frontit duke luftuar për të shpëtuar … parimet thelbësore demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë’, Ukraina ka autoritet të madh moral. Duke njohur Kosovën, Ukraina do ta zhvendoste çështjen e Kosovës nga një çështje lokale e Ballkanit në një çështje të rangut të parë të sigurisë evropiane. Njohja ukrainase e Kosovës do të shkatërrojë menjëherë status quo-në për ata që nuk e njohin. Në vend të zgjedhjes mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, ato Qeveri do të pyeteshin nëse qëndrojnë me Zelensky për Kosovën apo me Putinin. Së dyti, njohja e Ukrainës do t’i jepte Athinës kontekstin që zyrtarët grekë thonë se duhet ta njohin Kosovën. Athina tashmë ka marrëdhënie të mira me Prishtinën dhe ka shprehur gatishmërinë për të njohur Kosovën për të çuar përpara interesat e rëndësishme greke. Athina ka nevojë për stabilitet në Ballkan dhe ka interes të parandalojë një ndarje të Kosovës, e cila do t’i hapte derën ‘Serbisë së Madhe’, ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe ndikimit më të madh turk në Ballkan”, ka thënë ai.

Precedent për tri regjionet e aneksuara nga Rusia

Duke folur rreth një vizite të mundshme të krerëve të shtetit në Ukrainë, në këtë kohë lufte, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se nuk i ndihmon procesit.

“Në lidhje me vizitën e krerëve të shtetit në Ukrainë në këtë faze mund të themi që nuk i kontribuon procesit në asnjë formë që çon njohjen apo jo të Kosovës nga Ukraina. Institucionet e vendit kanë marrë disa veprime konkrete sa i përket mbarëvajtjes së raporteve me Ukrainën që nga bashkimi në koalicionin që kryeson ShBA për Ukrainën dhe një mori veprime tjerash”, vlerëson Shala.

Image
Drizan Shala

Njohjen nga Ukraina, Shala e sheh mjaft komplekse, gjersa shton se fokusi duhet të jetë në mbarëvajtjen e raporteve.

“Çështja e njohjes nga Ukraina mund të themi që do të jete me komplekse sepse do të krijonte pikërisht precidentin që tri regjionet që janë shpallur të aneksuar nga Rusia që kjo të arsyetonte pastaj Rusinë që njohja e Kosovës nga Ukraina është e ngjashme sikur veprimet tona për njohje. Kosova në këtë faze duhet të fokusohet në mbarëvajtjen e raporteve, e pastaj në një proces pas përmbylljes se luftës atje të marrin veprime konkrete në koordinim me SHBA për njohje”, përfundon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat