Saga drejt drejtësisë për Astrit Deharin, si po “keqpërdoret” mos-zbardhja e rastit nga qeveria dhe opozita?

Politika

Saga drejt drejtësisë për Astrit Deharin, si po “keqpërdoret” mos-zbardhja e rastit nga qeveria dhe opozita?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 shkurt 2023 Në ora: 10:01
Foto e Astrit Deharit

Vdekja e Astrit Deharit në qelinë e paraburgimit me 5 nëntor 2016, vazhdon të mbetet ende një mister i pazgjidhur.

Së fundmi ky mister është rikthyer sërish në vëmendje të opinionit, pas zhdukjes së mostrave të Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ndërsa, javën që shkoi, deputeti i VV-së, Haki Abazi, ka komentuar zhdukjen e mostrave për rastin e Astirit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Abazi ka pretenduar për disa video-inçizime që e përfundojnë sagën e zhdukje së këtyre mostrave.

Ai ka theksuar se vetë nuk i ka parë këto video, por që persona të caktuar i kanë treguar që ka kamera që regjistrojnë 24 orë.

“Unë nuk i kamë parë, po më është thënë se brenda Institutit ekzistojnë kamera që regjistrojnë 24 orë. Këto video e përfundojnë sagën e zhdukjes së mostrave”, ka thënë Abazi.

Gjithashtu, Abazi e akuzoi Kurtin që s’e ka thënë asnjë fjalë për vjedhjen e mostrave të Deharit.

Por, Kryeministri Kurti i ka quajtur “të pavërteta” dhe “të pasakta” deklaratat e Abazit, ku ndër të tjera, ai sygjeronte se për zhdukjen e provave të rastit të Astrit Deharit, duhej të intervistohej edhe Kurti.

Abazi konsideron se këto që i ka thënë Kurti kanë për qëllim “fshehjen e fakteve”, duke shtuar se për të gjitha mund të ballafaqohet publikisht me të.

“Kualifikimet gjenerale dhe deklaratat qe kanë për qëllim mshehjen e fakteve nuk mund të kundërshtojnë qëndrimet të bazuara e të argumentuara. Për të gjitha mund të ballafaqohemi publikisht! Faktet dhe rezultatet janë kokëfortë!”, ka thënë Abazi.

E më këtë deklaratë të fundit, Abazi ka hapur një debat të ri mes pozitës dhe opozitës, ku në senacën parlamentare kishte përplasje mes tyre për rastin Dehati.

Në një farë forme, është e dhimbshme se si ky rast vazhdon të mbetet mister dhe i pazgjidhur, kur partitë politike po tentojnë të përfitojnë nga ky rast tragjik.

Duhanaj: Është e drejtë tash të kërkohet nga Kurti dhe Qeveria e tij, që t'i japë epilog kësaj sage të rëndë e të dhimbshme

E për këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Leon Duhanaj.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj.

Fillimisht, ai u shpreh kritik ndaj Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosjes për kauzat e tyre, të cilat shtynë në rrugën e vdekjes aktivistin Dehari.

“I ndjeri Astrit Dehari, ka pësuar me jetë si shkak pasojë e manipulimeve të Albin Kurtit dhe organizatës së tij propaganduese dhe antishtetërore VV.

Kjo lëvizje ka shtyrë në rrugën e dhunës, jo vetëm aktivist si z. Dehari i cili shkoi deri në vdekje, por edhe me parë. Edhe me parë u vranë njerëz në aktivitet për kauzat e shpifura të VV-së krye me Kurtin dhe gripin mafioz nga Shqipëria.

Nuk u la punë e ligë pa u bërë duke dëmtuar çdo proces në Kosovë, me kauza të sajuara njëra pas tjetrës. Krejt këtë e bënë për një qëllim të vetëm. Pra, për të ardhur në pushtet. Në pushtet duke kaluar edhe mbi kufoma?!”, deklaroi analisti.

Sipas Duhanajt, Kurti duhet që t’i jap fund këtij rasti, kjo pasi ai ka bërë çdo gjë për ta marrë pushtetin.

Bazuar në këtë, kësaj qeverie nuk u konvenon ky debat, sepse po ua nxjerrë të palarat n'shesh.

“A ishte kjo që po e shohim tash e dy vite, ajo për çfarë u bënë të gjitha ato kauza, të cilat çuan njerëzit deri në flijim? Për ketë, pyetja duhet t'u parashtrohet vëtëm Kurtit me sejmenët e tij. Ky njeri, nuk e di nëse ndonjëherë do përballet me drejtësinë, por e di një gjë, që ai është moralisht fajtori kryesor për vdekjen e z. Dehari dhe të tjerëve, sepse të gjitha kauzat mbi të cilat i shtyni njerëzit deri në flijim, dolën të jenë të shpifur, të rreme, të pa baza vëtëm për të manipuluar me qëllim marrjen e pushtetit. Është e drejtë tash të kërkohet nga Kurti dhe Qeveria e tij, që t'i japë epilog kësaj sage të rëndë e të dhimbshme.

Është më se e drejtë të kërkohet nga znj. Ministre e Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila shkon deri në kërcënim për prokuror, gjyqtar e deputet duke u munduar ta mbyllë debatin për rastin Dehari, debat të cilin e kanë zhvilluar bë çdo moment kur u ka hyrë në punë për kauza zgjedhjesh. Tani që janë që dy vite në Qeverisje, nuk u konvenon ky debat, sepse po ua nxjerrë të palarat n'shesh”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, analisti kishte edhe disa fjalë për prindërit e Astrit Deharit.

Ku edhe tha se si shoqëri dhe shtet, ua kemi me borxh, z. Dehari dhe viktimave të tjera të cilat u flijuan për këto kauza.

“Personalisht, kam një mendim edhe për prindërit e të ndjerit. Larg qoftë, edhe nëse do ma shtronte rrugën në ari një manipulues si Albin Kurti, kurrë nuk do të pranoja të luaj në vallën e tij, duke shkelur mbi gjakun e djalit të tyre! Pa e marrë parasysh kush e ka fajin e të madh, Qeveria e tanishme, e atëhershme, opozita apo cilido kamp, nuk do pranoja as edhe një minut të vetëm të ulen me këta njerëz, që prindërit e z Dehari, fatkeqësisht po e bëjnë. Për mendimin tim, pa marrë parasysh se kush mund ta ketë përgjegjësinë, dhe si do të përfundoj ky proces, mendoj që si shoqëri dhe shtet, ua kemi me borxh, z. Dehari dhe viktimave të tjera të cilat u flijuan për këto kauza të stisura”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Mehazi: Është e pandershme të trazohen shpirtrat e familjarëve të Astrit Deharit

Image
Profesori dhe njohës i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori dhe njohës i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se është e padrejtë që deputetët opozitë-pozitë që për interesat e veta individuale e partiake të trazojnë shpirtrat e familjarëve të Astrit Deharit.

“Kur nuk dëgjohet zëri i drejtësisë me rastin e vrasjes së Astrit Deharit, normale se kjo heshtje e fshehur e djallëzore nga ana e gjykatësve dhe prokurorëve zëvendësohet me zhurma akuzash shpifjesh e gënjeshtarash të politikanëve ndaj njëri-tjetrit. Është e pandershme dhe jo etike për deputetët opozitë-pozitë që për interesat e veta individuale e partiake të trazojnë shpirtrat e familjarëve të Astrit Deharit të ndjerë, është e pafalshme të manipulohet e shfrytëzohet vdekja e Deharit për çështje të imëta politike, për Astritin e ndjerë në vend që të merret gjykata e prokuroria e Kosovës merret Haki Abazi dhe deputetët tjerë duke harxhuar fjalë të kota e të padobishme me rastin e vrasjes së aktivistit të LVV-së Deharit”, deklaroi ai.

Po ashtu, Mehazi komentoi edhe akuzat dhe deklaratat e Abazit në lidhje me këtë rast.

“Haki Abazi dhe deputetët e Kosovës bëhen si kur janë të devotshëm dhe se komunikojnë me engjëllin e vdekjes, e se ky engjëll i Zotit ju tregon të gjitha ngjarjet me rastin e vrasjes së Astrit Dearit, me këso komunikime të zbrazura Abazi dhe deputetët e marrim rolin e Burdushit djallëzor, se të gjallët e prokurorisë e gjykatës asgjë nuk dinë dhe se Astrit Dehari nga varri i tij i tregon dhe e mëson Haki Abazin dhe deputetët se si duhet të veprojnë e çfarë duhet të bëjë qeveria, parlamenti e partitë në Kosovë duke anashkaluar vrasësin e Deharit nga drejtësia dhe gjykatat e Kosovës”, nënvizoi profesori.

Ndër të tjera, ai shkroi edhe disa vargje të poezisë së tij për vrasjen e Deharit.

“Rasti i Astrit Deharit lidhet me ndjenjat e poezisë sime:

Dialog me të vdekurit

Të gjallët

asgjë s’dinë.

Na mësoni

ju të vdekur

se si të jetojmë?

Jeta jonë

më e pakuptimtë

se vdekja juaj”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat