Kurti i dha “flakaresh” Vuçiqit në Bruksel, analisti “shpërthen” ndaj PDK-së dhe LDK-së, kjo është e mira e planit franko-gjerman

Politika

Kurti i dha “flakaresh” Vuçiqit në Bruksel, analisti “shpërthen” ndaj PDK-së dhe LDK-së, kjo është e mira e planit franko-gjerman

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 shkurt 2023 Në ora: 12:42
Foto nga takimi në Bruksel

Kosova dhe Serbia tashmë kanë pranuar propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Propozimi i cili i është dorëzuar palëve në shtator të vitit të kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë.

Gjersa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takimin e djeshëm e quajtur pozitiv dhe konstruktiv.

“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe një kahshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, ka deklaruar Kurti.

Sipas opozitës (PDK- LDK), me pranim të këtij propozimi është pranuar asociacioni dhe njohja nuk është arritur.

Ndaj reagimit të opozitës ka reaguar analisti politik, Binak Maxharraj.

Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Kurti në Bruksel i dha flakaresh Vuçiqit.

Sipas tij, plani franko- gjerman i hap shtigjet e reja Kosovës në shumë fushat e jetës, sidomos në organizatat ndërkombëtare.

“Reagimi i opozitës pas takimit në Bruksel! Albin Kurti në Bruksel i futi flakaresh Vuçiqit, e qiti jashtë loje. Dy masakrenj e dy partive më të mëdha në opozitë pas takimit në Bruksel paskan gjuajtur shigjeta pa helm ndaj kryeministrit Albin Kurti. Është e qartë si loti, plani frako- gjerman edhe përkundër të metave, Kosovës i hap shtigje të reja në shumë fushat e jetës, e sidomos në organizatat ndërkombëtare. Këtë plan siç është lajmëruar edhe më herët, qeveria e Kosovës e ka pranuar. Por, duke e pasur parasysh se ky plan e vë Serbinë për gardhi, duke ia prerë të gjitha rrugët drejt Kosovës, Aleksandër Vuçiq e refuzoi nënshkrimin. Me këtë akt të turpshëm, Aleksandër Vuçiq ua futi flakaresh fytyrës ndërkombëtarëve nga BE dhe Amerika, që për shumë kohë e lutën, e lëmuan dhe e përkëdhelën si derrin, po i dëshpëroi”, deklaron Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas takimit është shprehur se ka qenë një takim shumë i vështirë.

Vuçiq para mediave tha që ai ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes së asociacionit, por që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar.

“Në takim është insistuar për formimin e Asociacionit dhe Kurti ka refuzuar. Ka frikë se ka mbetur në një situatë të paqartë. Mirë që kemi folur bashkë, besoj që do të mund të tejkalohen pretendimet dhe të gjendet një marrëveshje për të dyja palët”, u shpreh ai.

Sipas Maxharrajt, Vuçiq i mbeti besnik Rusisë dhe Putinit, sepse janë vëllezër të një gjaku, kurse Evropën e ka vetëm burim mjetesh për jetesë.

Pas reagimeve të opozitës (PDK- LDK), Maxharraj i quan masakrenjë, gjersa shton se pse ata nuk e bindën Amerikën që në plan të futet njohja reciproke.

“Kjo do të thotë se edhe përkundër tentimeve që ta kthejnë Serbinë kah Evropa, Vuçiq i mbeti besnik Rusisë dhe Putinit, sepse janë vëllezër të një gjaku, kurse Evropën e ka vetëm burim mjetesh për jetesë. Çuditërisht edhe masakrenjët e opozitës së PDK-së dhe LDK-së si çdo herë me fluskat e tyre politike u deklaruan se Kurti nuk ka bërë mirë që e ka pranuar këtë plan, sepse sipas tyre nuk e paska njohjen reciproke në qendër dhe se Kurti e paska pranuar Asociacionin. Opozita sikur ka harruar se ata sa ishin në pozitë në qeveri nuk ia përmendën asnjëherë Vuçiqit njohjen e Kosovës, por bënin Pazar për zhbërjen e Kosovës. Opozita pasi na qenkan më shumë pro amerikan sesa Kurti, kur kohë më parë u sorollateshin poshtë e përpjetë Amerikës, pse nuk e bindën Amerikën që ajo të insistojë që plani franko- gjerman të këtë njohje reciproke, pas Amerika e ka pranuar dhe e mbështet këtë plan”, pohon analisti.

Ai thotë se opozita duhet të merr llogari nga liderët e tyre, pasi sipas tij, asociacionin ata e kanë nënshkruar.

“Kurse sa i përket Asociacionit një etnik serb se gjoja Kurti e paska pranuar, është mirë ta mbyllin gojën sepse nuk kanë dinë e iman që këtë kancer që po tentohet t’i vihet Kosovës nuk ishte pjellë e Albinit të cilin e ka kundërshtuar gjithmonë por pikërisht Asociacioni është pjellë, si haraç i PDK dhe LKD-së sepse liderët e tyre me 2013/2015 e kanë nënshkruar pa fije turpi me ç’rast kanë bërë akt tradhtie ndaj vendit. Opozita për ta larë fytyrën e vetë të zezë rreth kësaj çështjeje është më mirë të merren me liderët e tyre për të kërkuar llogari, se pse ia bënë këtë gjëmë Kosovës. E vetmja nga opozita që doli në përkrahje të planit Franko-Gjerman është AAK-ja e Haradinajt, që edhe i la me gishta në gojë maskarenjtë e PDK dhe LDK. Është mirë që opozita e mjerë, e dështuar, e gjuajtur në humnerë nga populli të hesht, ta mbyllë gojën sepse u bënë përralla e Zotit”, përfundon Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat