Asociacion të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni? Zbulohet prapavija e kërkesës së Alternativës

Politika

Asociacion të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni? Zbulohet prapavija e kërkesës së Alternativës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 28 shkurt 2023 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Derisa Kosovës po i bëhet trysni e madhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe në Maqedoni.

Partia Alternativa në Maqedoni ka propozuar shumicë komunash shqiptarë në Maqedoni të Veriut, sipas modelit që kërkohet në Kosovë.

“Në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin “të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!”, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (BDI, ASH dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë” theksojnë nga Alternativa.

Mehazi: Thirrja e Alternativës për Asociacionet e Komunave Shqiptare në RMV mund të bëhen kërkesë reale e serioze nga vetë BE e SHBA

Image
Sulejman Mehazi

Duke e komentuar këtë, profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se kjo ide është për tu përshëndetur dhe se mund të bëhen kërkesë reale e serioze nga vetë BE-ja e SHBA-të.

“Kërkesa e Alternativës së Gashit për nismën e Asociacioneve të Komunave Shqiptare në RMV në llojin e asociacioneve serbe në Kosovë është për t'u përshëndetur, por vlera e kësaj thirrje ndaj partive tjera shqiptare do kishte peshë të madhe para se kjo parti të largohej nga qeveria e jo tani në rolin e partisë opozitare, disi thirrja e Alternativës për Asociacionet e Komunave Shqiptare më shumë është mllefuese ndaj partive në pushtet LSDM-së, BDI-së e ASH-së e nuk është fort e besueshme para qytetarëve shqiptarë për shkak se thirrja për Asociacionet e Komunave Shqiptare në RMV vjen pasi partitë e lartpërmendura e përzunë Alternativën nga pushteti.

Megjithatë me vetëdije apo pavetëdije, me inate apo pa inate thirrja e Alternativës për Asociacionet e Komunave Shqiptare në RMV mund të bëhen kërkesë reale e serioze nga vetë BE-ja e SHBA-të. Rrjedhimisht politika globale e fuqive të mëdha me anë të asociacioneve të pakicave qëllimshëm do luftonin shtetet pura nacionale. Dhe se idetë politike globale të fuqive të mëdha BE e SHBA me anë të pakicave do bllokonin shtetet e vrazhda nacionale, kështu që asociacionet e pakicave do balansoheshin me shumicën nacionale shtetërore. Pra, fryma politike globale e asociacioneve të pakicave do jetë frymë e re e politikës dhe diplomacisë botërore, do fillojë me asociacionet e pakicës serbe në Kosovë e do vazhdonte brenda Serbisë, do përhapej në RMV, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi e kështu me radhë”, thotë ai.

Sipas Mehazit, modeli kryesor i politikës moderne botërore është asociacioni i pakicave brenda shteteve me shumicë nacionale.

Tutje, ai shton se nuk janë të rastësishme dy planet e BE-së dhe SHBA-ve në Ballkan, një, plani franko-gjerman i pakicave serbe në Kosovë dhe dy, plani francez i pakicave bullgare në RMV.

“Pra AVANGARDA politike e asociacioneve të pakicave nga ana e BE-së dhe SHBA-së do fillojë me asociacionet e pakicave serbe në Kosovë dhe pakicave bullgare në RMV, pastaj do vazhdojë e përhapet në Serbi, me asociacionet e pakicave hungareze në Vojvodinë, me asociacionet e myslimanëve të Sanxhakut, me asociacionet rumune, me asociacionet bullgare dhe me asociacionet e pakicave shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

Pazari i asociacioneve të pakicave serbe në Kosovë do jetë shumë i rëndë për vetë Serbinë, BE-ja e SHBA-ja për shkak pakicave serbe në Kosovë Serbisë do i dhurojnë gjashtë asociacione të pakicave hungareze, myslimane, rumune, bullgare e shqiptare brenda territorit të Serbisë. Kështu që evropianët dhe amerikanët Serbisë së Vuçiqit me anë të asociacioneve serbe në Kosovë do i krijojnë gjashtë asociacion të pakicave brenda Serbisë.

Avangarda politike e globalizmit është që me anë të asociacioneve të pakicave të bllokohen nacionalizmat e shumicës qeverisëse shtetërore. Pakicat të bllokojnë dëshirat qeverisëse të shumicës nacionale shtetërore. Kështu do ndodh edhe me Asociacionet e Komunave Shqiptare në RMV. BE-ja dhe SHBA-ja me 5% e asociacioneve të pakicës serbe qëllimshëm do nxit 30% e shqiptarëve të RMV-së të kërkojnë Asociacionet e Komunave Ekzekutive Shqiptare në këtë republikë. Nuk janë të rastësishme dy planet e BE-së dhe SHBA-ve në Ballkan, një, plani franko-gjerman i pakicave serbe në Kosovë dhe dy, plani francez i pakicave bullgare në RMV. Këto fakte planore evropiane e amerikane në shtetet e Ballkanit Perëndimor do japin frymën e avangardës politike e diplomatike të asociacioneve të pakicave brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor. Avangarda kryesore e politikës moderne botërore është asociacioni i pakicave brenda shteteve me shumicë nacionale”, përfundon ai për “Bota sot”.

Hasani: Asociacion do të kishte po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë

Image
Refik Hasani

Edhe analisti Refik Hasani për “Bota sot” thotë se kushtetuta e RMV-së, duhet të ndryshohet dhe të pranohet se elementi konstituiv i këtij shteti janë edhe shqiptarët.

“Partitë politike shqiptare në Republika e Maqedonisë Veriore, ende nuk kanë realizuar të drejta që ju takojnë shqiptarëve, sepse përbëjnë nga statistika zyrtare me 40%, kurse realisht në Maqedoni të Veriut, shqiptarët përbëjnë shumicën e këtij shteti, pra përbëjnë me përqindje më shumë se vetë maqedonasit.

Mbi të gjithë më shumë gëzojnë të drejta minoriteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës, e që përbëjnë afër 4%,se sa gëzojnë të drejta, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë Veriore, përkundër që janë mbi gjysma realisht e popullatës së këtij shteti. Kushtetuta Republikës së Maqedonisë Veriore do të duhej të ndryshohet, dhe të pranohet se elementi konstituiv i këtij shteti janë edhe shqiptarët.

Pra, mungon në preambulën e Maqedonisë se: Republika e Maqedonisë Veriore përbëhet nga Populli shqiptar autokton dhe populli maqedon autokton. Edhe simbolet, logot e flamuri duhet të ketë elemente të maqedonasve e shqiptarëve vendas, pa harruar edhe himnin valutën-monedhën kombëtare dhe të gjitha që kanë kuptim të funksionimit të këtij shteti”, thotë ai.

Sipas tij, formimi i këtij asociacioni do të kishte po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Kujtoj opinionin e gjerë, se Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka zhvilluar kryengritje të armatosur, me ushtrinë e Maqedonisë, dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve është arritur Marrëveshja e Ohrit, e cila nuk është duke u zbatuar, dhe koha kërkon të plotësohet, pasi tani kanë kaluar dy dekada. Sipas Alternativës, ky Asociacion do të kishte po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Partitë politike Shqiptare në Republika e Maqedonisë Veriore, tani kanë parashtruar formimin e Bashkësisë të Komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Do të ishte në interes të përgjithshëm që të fokusohen më shumë shqiptarët se nuk banojnë në një rajon, por shqiptarët jetojnë dhe janë gjithandej këtij shteti, prandaj popullit shqiptar i takon të jetë i barabartë me popullin maqedonas që e përbëjnë këtë shtet”, shprehet tutje analisti.

Në fund, ai shton se formimi i asociacionit e ulë peshën e të qenurit të barabartë me maqedonasit, duke thënë se asgjë nuk do të duhej të lejohet të miratohet në Parlament të Maqedonisë, pa miratimin edhe të shqiptarëve.

“Fokusimi në formim të bashkësisë etnike shqiptare e ulë peshën e të qenurit të barabartë me maqedonasit. Asnjë ligj, apo dispozitë ligjore, nuk do të duhej të lejohet të miratohet në Parlament të Maqedonisë, pa miratimin edhe të shqiptarëve. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë Veriore, do të duhej të afron barazi edhe për shqiptarët në gjitha kuptimet e funksionimit të këtij shteti. Partitë politike shqiptare në Republika e Maqedonisë Veriore, do të duhej të fokusohen se popullit shqiptar i takon të jetë i barabartë me popullin maqedonas, pse jo me rotacion pozita e Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit, Shef i Armatës, Policisë, Gjykatës Kushtetuese e Supreme, Prokurorisë së shtetit, etj”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat