Serbisë iu shuan shpresat në takimin trepalësh- Analistët: Kurti i dha një kundërpërgjigje të fortë opozitës

Politika

Serbisë iu shuan shpresat në takimin trepalësh- Analistët: Kurti i dha një kundërpërgjigje të fortë opozitës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 shkurt 2023 Në ora: 18:57
Foto nga takimi në Bruksel

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur takimi ndërmjet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Të dy liderët u pajtuan me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti.

Arsyeja ishte, sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij.

Megjithatë, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha nga ana e tij se ai beson që gjërat janë në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë për fqinjësi të mirë evropiane dhe theksoi se ai ishte i gatshëm që ta nënshkruante marrëveshjen.

Ndërsa, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nga ana e tij, tha se bisedimet do të vazhdojnë deri në një takim tjetër me 18 mars, duke këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

E për këtë temë analistët politik kanë folur për “Bota sot”, duke e cilësuar paraqitjen e kryeministrit Kurti, të duhur dhe stoik karshi Vuçiqit.

Qarri: Kurti i dha një kundërpërgjigje të fortë opozitës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai u shpreh se ky takim nuk arriti të sjellë marrëveshje dhe se sipas deklaratave kjo marrëveshje nuk i konvenoi Serbisë, andaj edhe nuk nënshkroi.

“Sipas deklaratave të kryeministrit Kurti, nuk është përgjegjësi e Kosovës, pse takimi përfundoi pa marrëveshje, në fakt Kosova ishte e gatshme ta nënshkruante marrëveshjen që del nga plani franko-gjerman, por Serbia jo. Ndaj kjo ka bërë që takimi të përfundonte pa ndonjë marrëveshje në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Madje presidentin dhelparak dhe stër-mashtrues serb Aleksandër Vuçiq, i mësuar deri më tani, që të nënshkruaj marrëveshje të cilat nuk i zbaton dhe zgjedhë për jetësim, vetëm ato që i pëlqejnë ati dhe Serbisë hegjemoniste, siç ka vepruar tash e mbi një dekadë me radhë, marrëveshjen mbi propozimin evropian, të cilën ishte i detyruar ta zbatonte, nuk pranoi ta nënshkruante fare”, u shpreh ai.

Image
Gani Qarri

Më tej, analisti shpreh pikëpyetje për planin e radhës që Vuçiq mund të ketë.

“Për aq më tepër, ai u deklarua vetëm formalisht (vetëm me fjalë), pa dhënë nënshkrimin, se kinse pajtohej me zbatimin e saj, gjë që ngritë serish një pikëpyetje të madhe, se në situatën fragile, çfarë ndodhemi aktualisht, çfarë insinuatash të reja, ka në plan, ky monstrum pasardhës i kasapit Millosheviq, t`ia kurdisë sërish Kosovës, përmes bandave kriminale serbe në veri të dirigjuara nga vet Vuçiq”, shpjegon analisti.

Ndër të tjera, ai thotë që Vuçiq ka një plan ogurzi rezervë dhe dëshiron t’i ngris edhe njëherë bandat kriminale serbe të dirigjuara prej tij, që në krye me kriminelin Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq.

“Dhe duke parë se ky takim përfundoi pa marrëveshje, megjithëse, ndoshta vetëm nga rastësia, erdhi edhe si një kundërpërgjigje e fortë nga kryeministri Kurti se ai nuk pranon, njëjtë si opozita e inkriminuar, marrëveshje që mund ta dëmtojnë popullin dhe shtetin e Kosovës, kapja e armëve dhe disa mijëra copë të fishekëve e municionit luftarak, të kalibrave të ndryshëm, të ekstremistëve serb, duke i futur nga Serbia në veri të Kosovës, flet qartë, se Vuçiq ka një plan ogurzi rezervë, dhe dëshiron ti ngritë edhe njëherë bandat kriminale serbe të dirigjuara prej tij, që në krye me kriminelin Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq etj, me udhëzimet e marra nga Serbia, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, ta inskenojnë serish tensionimin artificial të gjendjes për ta imponuar me çdo kusht "zajednicën" serbe, ndërsa pjesa tjetër e planit franko-gjerman të zvarritet deri në hedhjen e tij në harresë”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Kurti është shembull i udhëheqjes shekullore shqiptare

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që historia politike shekullore e shqiptarëve nuk mban mend ndonjë personalitet tjetër si Albin Kurti.

“Politika e diplomacia shekullore shqiptare nuk mban mend që dikush përveç kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, të kishte mbrojtur shtetin e vet aq denjësisht para Serbisë e ndërmjetësuesve evropian e amerikan. Si askush më parë nga elitat politike shqiptare nuk kanë shprehur superiotetet politike e diplomatike mbrojtëse të kushtetutës së Kosovës kundër dëshirave ekspansioniste Serbisë, sikurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kjo u pa qartë gjatë dialogut shumë të diskutuar të 27 shkurtit në Bruksel. Shkurt e qartë, historia politike shekullore e shqiptarëve nuk mban mend ndonjë burrështetas të kishte mbrojtur aq dinjitetshëm shtetin e vet sikurse kryeministri, Albin Kurti”, thekson profesori.

Image
Sulejman Mehazi

Në këtë takim sipas profesorit u pa shumë mirë që kryeministri Kurti nuk bën lëshime e as shkëmbime të territorit.

Kurti është shembull i udhëheqjes shekullore shqiptare, shkroi ndër të tjera profesori.

“Kryeministri i Kosovës, më 27 shkurt në Bruksel, ua bëri me dije qytetarëve shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë e RMV-së se nuk është kryeministër i shkëmbimeve të territoreve me Serbinë, nuk është kryeministër i asociacioneve të pakicave serbe të nënshkruar nga Isa Mustafa, më 2015, nuk është kryeministër i faljes së Çakorrit Malit të Zi, nuk është kryeministër i Ballkanit të hapur të Edi Ramës me Serbinë, nuk është politikan i nënshkrimeve të Marrëveshjes së Ohrit në RMV për të qenë qytetarë të rendit të dytë 20%-she. Por, Albin Kurti është burrështetas që një grimcë të Kosovës nuk do ta humb, Albin Kurti është shembull i udhëheqjes shekullore shqiptare, ai para Borrelit, Lajçakut, Eskobarit, Makronit, Sholcit e Vuçiqit të Serbisë denjësisht mbron Kosovën në Bruksel. Kryeministri i Kosovës Kurti, është duke ju dhënë xhelozi politike e kushtetuese edhe BE-së e SHBA-ve sesi mbrohet Kosova! Pikërisht evropianët dhe amerikanët për shkak principeve dashurore të Kurtit ndaj Kosovës do ta shpërblejnë kryeministrin Kurtin e kursesi ta dëmtojnë”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat