Marrëveshja e Brukselit, Escobar kërkon formimin e Asociacionit: Mos të përdorim shkopinj, por karota – Ja reagimi i Racit!

Politika

Marrëveshja e Brukselit, Escobar kërkon formimin e Asociacionit: Mos të përdorim shkopinj, por karota – Ja reagimi i Racit!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 22:16
Pamje nga Brukseli

Gjatë ditës së djeshme në Bruksel, është mbajtur një takim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe mbështetjen e ShBA-ve.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për planin franko-gjerman.

Ky plan i cili përmban 11 nene brenda tij është pranuar nga Kosova.

Edhe pse nuk është nënshkuar asnjë marrëveshje me Serbinë, kjo pasi Vuçiqi nuk është pajtuar, Kosova ka dhënë dritën jeshile për këtë.

Kryeministri i  Kosovës Albin Kurti pas takimit në Bruksel ka thënë se nuk ka hequr dorë nga njohja në qendër nga Serbia.

“Nuk kemi hequr dorë nga asgjë dhe do të vazhdojmë për qytetarët e Kosovës. Na presin takime e diskutime të vështira në muajt në vazhdim. Jam i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Këtë takim e ka komentuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka vlerësuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel, shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, sot edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur në lidhje me këtë çështje.

Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët. Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë [Asociacionin]. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.

Zyrtari i lartë amerikan tha se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta zbatojnë marrëveshjen për të cilën kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

“Shpresojmë të mos përdorim shkopinj, por karota. Dhe ato janë të qarta. Jo vetëm që ato i afrohen marrëdhënies paqësore, por edhe u hapet rruga drejt integrimeve evropiane. Shpresojmë që të dyja palët do të zbatojnë obligimet”, ka thënë Escobar.

Image
Gazmir Raci

Në lidhje me këtë, analisti politik, Gazmir Raci thotë se çfarëdo marrëveshje e re apo zbatim të planit brenda saj do të ketë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për parimet e vitit 2015.

Sipas tij, ai aktgjykim që flet për themelimin e Asociacionit flet se Asociacioni duhet të jetë shumë etnik, pasi ato parime nuk kanë paraqitur frymën miltietnike të shtetit të Kosovës.

“Çfarëdo marrëveshje e re, apo aneks për zbatim të planit që u pranua mbrëmë në Kosovë, brenda saj do të ketë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për parimet e vitit 2015 që kishte për qëllim themelimin e Asociacionit. Ai aktgjykim flet poashtu edhe për Asociacionin i cili duhet të jetë shumë etnik, sepse ato parime nuk kanë paraqitur frymën multietnike të shtetit të Kosovës sot”, thotë Raci për gazetën “Bota sot”.

Më poshtë, po i paraqesim edhe nenet e planit franko-gjerman:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut. , dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme. fusha nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat