“Superfuqitë t’i kapin për veshi sa herë që zihen” – Cila është prapavija e deklaratës së Ramës për takimin Kurti-Vuçiq!?

Politika

“Superfuqitë t’i kapin për veshi sa herë që zihen” – Cila është prapavija e deklaratës së Ramës për takimin Kurti-Vuçiq!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 mars 2023 Në ora: 08:03
Aleksandër Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njihet për gjuhën e tij ironizuese dhe ‘thumbat’ që  di të bëj ndaj politikanëve tjerë. 

E kjo u vërejt qartë edhe në një deklaratë të tij, kur foli për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel. 

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se i takon pikërisht këtyre vendeve që të vendosin për fatin e tyre. 

Shqipëria nuk është superfuqi siç është BE apo siç janë SHBA-të. Në këndvështrimin tim as Mali i Zi nuk është superfuqi, por kjo nuk më takon mua ta them. Nuk i takon Shqipërisë ti thotë palëve në dialog, pa kushte me kushte. Kjo është një çështje që i takon palëve në dialog. Janë ata që vendosin për vendet e tyre dhe janë ata që paguajnë kostot e vendimmarrjeve të gabuara. Ajo që po them është se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugë tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë për vota për lufta të brendshme, por që nuk ka lidhje me të ardhmen”, tha Rama. 

E më tej, kryeministri Rama përdori një gjuhë të ashpër e ironizuese për situatën Kosovë – Serbi, duke thënë se “superfuqitë t’i kapin për veshi sa herë që zihen” 

Unë dua të shpresoj dhe jam me zemër dhe mendje i angazhuar që të lutem që çështja mes Serbisë dhe Kosovë të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejt sesa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin për veshi sa herë grinden në oborrin pas shkollës. Mendoj që se marrëveshja franko gjerman është më e mira gjë që ka qenë ndonjëherë, por ky është opinion. Unë respektoj sovranitetin për të vendosur për veten e tyre. Është e pashmangshme që qeveria e Shqipërisë të jemi në krah të qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të Kosovës që unë i uroj kthjelltësi dhe sukses”. 

Kjo gjuhë e kryeministrit të Shqipërisë, në një ditë të rëndësishme dhe njëkohësisht të vështirë për Kosovën, u kritikua ashpër. 

Mulliqi: Kryeministri Rama i di mirë planet ekspansioniste të Serbisë dhe të Rusisë në rajon, dhe planet që përmes “Zajednicës” të ndahet Kosova 

Së pari, analisti politik, Skënder Mulliqi në prononcimin e tij për “Bota sot” e  përmendi takimin Kurti- Vuçiq në Bruksel dhe deklaratën e Edi Ramës për vazhdimësinë e dialogut Kosovë-Serbi. 

Image
Skënder Mulliqi

Takimi në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në praninë e përfaqësuesve special për Kosovën, Borrell dhe Lajçak, përveç pajtueshmërisë dy palëshe për planin franko-gjerman, nuk solli ndonjë firmosje siç e kam thënë në një prononcim për kombëtaren Bota Sot, para këtij takimi. Vuçiqi ishte ai që në mënyrë gojore u pajtua më planin por që ende nuk ka pranuar ta nënshkruajë në këtë takim. Kjo është një temë e posaçme por që lidhet me deklarimet e vazhdueshme kontroverse të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai së bashku më Abazoviçin në takimin e përbashkët të të dy qeverive që e patën në Podgoricë, pikërisht në datën kur edhe mbahej takimi i Brukselit, tha se e përkrah planin franko-gjerman, por asgjë më shumë që do të tërhiqte vëmendjen e opinionit të gjerë publik, e që më në fund është pritur, kur dihej rëndësia e këtij takimi për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, deklaroi ai. 

Sipas Mulliqit, nuk duhet befasuar edhe shumë me deklarimet e vazhdueshme të Ramës, e veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me dialogun.

Krahas kësaj, ai vlerëson se deklarimi i Ramës ishte skandaloz dhe aspak diplomatik. 

Nuk është për të na befasuar tek e fundit, as deklarimi tjetër në vazhdën e deklarimeve skandaloze, e veçmas kur bëhet fjalë për temën e dialogut Kosovë –Serbi, duke thënë se ”superfuqitë duhet t’i kapin për veshi sa herë që zihen”. Ky deklarim i Ramës nuk është aspak diplomatik, më shumë është gjuhë e kafeneve, se sa gjuhë që i takon një kryeministri serioz. Heshtja në përkrahje të Kosovës, edhe në takimin e Brukselit, flasin për orientimin e Ramës në përkrahje të politikave të shovinistit serb, Vuçiq. Mos ngritja e zërit në përkrahje të Kosovës qe shumë kohë nga ana e Tiranës zyrtare, është duke e dëmtuar shumë Kosovën dhe të ardhmen e saj, e gjithashtu është duke i dëmtuar interesat e shqiptarëve në rajon. Rama qe shumë kohë është duke koketuar më Vuçiqin lidhur më temën e Ballkanit të Hapur që është ide shoviniste e botës serbe, elaborat ky famëkeq i Akademisë  dhe të Kishës Ortodokse Serbe”, theksoi opinionisti.

Më tutje, ai përmendi aferat korruptive të Ramës, duke thënë pikërisht atë duhet ‘kapur për veshi’. 

Sipas tij, bota perëndimore duhet ta ketë të qartë që Vuçiq dhe Rama janë të dëmshëm për procese demokratike. 

Kosova është kundër këtij plani, është me Procesin e Berlinit. Edi Rama me sjelljet perverse politike, dhe aferat për korrupsion, është duke e dëmtuar Shqipërinë si në planin e brendshëm politikë, po ashtu edhe më shumë në planin e jashtëm. Nëse dikush duhet kapur për veshi së pari nga shqiptarët, është vet Rama, i cili e ka sjellë vendin e vet në mjerim social dhe në largime masive të te rinjve nga vendlindjet e tyre. Më dy fije mend në kokë nuk bëhet deklarimi se duhet ngre veshin Kosovës, duke vënë paralele të rrezikshme me Serbinë ,e cila shkaktoi gjenocid mbi shqiptarët. Veshin duhet ngreh fortë Vuqiçit e Ramës bota perëndimore, e që për fat të keq ende nuk po bëjnë, duke e ditur se kemi të bëjmë me dy persona të dëmshëm për proceset demokratike”, shpjegoi Mulliqi.

Ndër të tjera, Mulliqi tha se duhet bërë një studim i gjerë për ta kuptuar se pse Rama ka afërsi me njeriun e afërt të kryekriminelit Millosheviq.

“Është për studim se si Rama, po përkrah një ish eksponent në pushtet të kryekriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, dhe kriminelit tjetër, Voisllav Sheshel. Kryeministri Rama i di mirë planet ekspansioniste të Serbisë dhe të Rusisë në rajon, dhe planet që përmes  “Zajednicës” të ndahet Kosova mbi bazat etnike. Nuk ka mundësi njeriu t’i përmbledhë në një shkrim të vetëm të gjitha gabimet politike të Edi Ramës për këto 10 vite sa është në pushtet, ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në trojet etnike”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”. 

Mehmeti: Tentativa e Ramës për të minimizuar gjendjen reale të Kosovës me Serbinë, nuk i bënë nder Kosovës 

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi se Rama është i njohur për satirat e tij, por që nuk di t’i përdorë në momentet e duhura. 

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, ajo deklaratë ironizuese për dialogun me Serbinë, është nënçmim për Kosovën. 

I njohur për satirat e tij, Rama shpesh herë nuk ka ditur as kur është momenti për t’i përdorur dhe as si duhet përdorur. Kjo satirë për Kosovën është nënçmim, pasi Kosova nuk është ‘fëmijë i lazdruar’ për ta kapur për veshi, është viktimë e një regjimi të egër të Serbisë”, deklaroi ai.

Më tej, shtoi se këto deklaratat të kreut të qeverisë shqiptare nuk i bëjnë nder aspak Kosovës. 

“Tentativa e Ramës për të minimizuar gjendjen reale të Kosovës me Serbinë, nuk i bënë nder Kosovës. Fatkeqësisht Edi Rama është vendosur nën mbrojtje të Serbisë, diçka e pafalshme për një kryeministër shqiptar”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat