Dështimi i “Ballkanit të Hapur”- Çfarë paralajmëroi Rama me deklaratën e fundit!

Politika

Dështimi i “Ballkanit të Hapur”- Çfarë paralajmëroi Rama me deklaratën e fundit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 mars 2023 Në ora: 12:06
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Dritan Abazoviç

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar Malin e Zi gjatë ditës së djeshme.

Në këtë vizitë ai ka takuar homologun malazez, Dritan Abazoviç, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit.

Pas takimi ata mbajtën një konferencë për media.

Ajo që mori vëmendjen e opinionit publik, është rikthimi i idesë së “Ballkanit të Hapur”.

Sipas Ramës nisma e “Ballkanit të Hapur” i ka dhënë kuptim procesit të Berlinit.

Mos kërkoni asnjë dorë të fshehtë pas Ballkanit të Hapur, as kinez, as rusë, as marsianë, as gjermanë. Është një nisëm e jona për të jetësuar, implementuar dhe zbatuar parimet dhe objektivat e procesit të Berlinit. Po e mbyll duke dhënë një shembull, kur ishim në samitin e Berlinit, që ne e vlerësojnë shumë. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ri-firmosën gjëra që i kishin firmosur më përpara. Nuk pashë asnjë marrëveshje që s’e kishim firmosur më parë në Ballkanin e hapur. Është thjesht kalimi nga një ditë kur vjen kancelari, vijnë të gjithë të tjerët dhe bëhet një diskutim mbi ku jemi dhe ku duam të shkojmë”, tha Rama.

Mirëpo, ndër analistë, deklarata e Ramës po konsiderohet se që nuk e përçon atë që është e vërtetë, pasi “Ballkani i Hapur” dhe Procesi i Berlinit, janë procese të kundërta mes vete.

Por, a po vjen kjo deklaratë si justifikim nga Rama për dështimin e “Ballkanit të Hapur”?

Haziri: Deklarata e kryeministrit Rama është vetëm deklaratë ngushëlluese

Image
Nexhat Haziri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai u shpreh se ideja “Ballkani i Hapur”, është ide që i takon historisë dhe si projekt është i vdekur.

Gjithashtu ai shton që kjo ide mund të tensionojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

““Ballkani i Hapur” është një ide që i takon historisë, pasi si projekt ishte i vdekur që në nismën e vet. Ky projekt nuk ka mundur asnjëherë që ta ketë arsyeshmërinë e vet për shkak se disa nga ata që e propozuan “Ballkanin e hapur” nuk ishin të sinqertë pasi këtë projekt e panë si mundësi për t’i dominuar të tjerët qoftë në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë politik. Dhe se promovimi i tij gjoja për liri të lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve, promovimin e bashkëpunimin në mes shteteve të rajonit, ishte vetëm farsë. Kjo u pa edhe me krizën në veri të Kosovës dhe tensionimi i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Analisti më tej thotë që deklarata për nismën “Ballkani e Hapur”, që ka hapur procesin e Berlinit është ngushëllim për Vuçiqin dhe Ramën.

Andaj deklarata e kryeministrit Rama se nisma për “Ballkanin e Hapur” e ka dinamizuar procesin e Berlinit është vetëm deklaratë ngushëlluese pas dështimit të nismës së tij dhe presidentit serb Vuçiq për të ashtuquajturin “Ballkan i Hapur””, nënvizoi Haziri për “Bota sot”.

Mehmeti: Projekti i “Ballkanit të Hapur” ka vdekur

Ndërsa analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që “Ballkani i Hapur”, është projekt I vdekur ani pse Rama po kërkon ende aleatë.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Rama është në rënie të lirë në skenën politike.

Projekti i "Ballkanit të Hapur" ka vdekur, ndonëse jo përpjekjet e Edi Ramës dhe Vuçiqit. Në kërkim të aleatëve të rinj, Rama synon të përfitoj aleatë për të qenë protagonist në Ballkan. Pavarësisht insistimit të tij, Rama është në rënie të lirë në skenën politike, opozita në Tiranë s’po e lë të qetë pas skandalit “McGonigal”, kështu që nuk shoh fuqi polirike të tij për të dërguar tutje këtë projekt serbo-ruse”, thotë analisti.

Në fund, ai për gazetën shprehet që “Ballkani i Hapur” dhe “Procesi i Berlinit”, nuk kanë vazhdimësi, por kanë kundërshtim njëra me tjetren.

“Nuk është e vërtetë se "Ballkani i Hapur" është vazhdimësi i “Procesit të Berlinit", përkundrazi kanë në kundërshtim me njëra tjetrën në thelb. Vizita e Ramës në Mal të Zi synon të gjej aleatë duke qenë se ideja e tij, Vuçiqit po jep shpirt çdo ditë e më shumë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat