Haradinaj krah Kurtit - Krasniqi e Abdixhiku kundër: Analistët kanë një paralajmërim për liderët opozitarë

Politika

Haradinaj krah Kurtit - Krasniqi e Abdixhiku kundër: Analistët kanë një paralajmërim për liderët opozitarë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 mars 2023 Në ora: 15:02
Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi, Lumir Adixhiku

Pas shumë presioneve, diskutimeve se çfarë mund të ndodh, është mbajtur edhe një raund i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.   

Takimi u mbajt në Bruksel, dhe me të përfunduar, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se edhe zyrtarisht Kosova e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian.  

Por, ky pranim-plani nuk është pritur mirë në Kosovë nga opozita dhe disa kritikë të Kurtit. Madje, nga PDK dhe LDK, ka thënë se Kurti me këtë plan ka pranuar edhe formimin e Asociacionit, gjë të cilën Kurti ka qenë kundër.  

I vetmi që mbështeti këtë vendim të Kurtit, ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.  

Ai ka thënë se pranimin i këtij plani nga ana e Kosovës, është një arritje e madhe.  

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe.  Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja. Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes 'de jure' midis Kosovës dhe Serbisë!”, ka shkruar Haradinaj.  

Maraj: Marrëveshja  e përkohshme  

Analisti Milazim Maraj ka bërë një kronologji të asaj se pse Kosova ka ardhur deri në këtë pikë.  

Sipas tij, kjo marrëveshje e cila është pranuar, Kosova po i paguan gabimet e veta, duke thënë se asociacioni bazamentin e ndërtuan udhëheqësit e protestave të dhunshme të turpshme të vitit 2004.  

“Në Bruksel u arrit një marrëveshje e cila nuk u nënshkrua nga Serbia, Kosova ishte e gatshme ta nënshkruaj. Ajo në parim u pajtua por sipas Vuçiqit ai do të konsultohet më tutje me Mirosllav Lajçak, për disa pika!?. Me këtë marrëveshje të mirë dhe të keqe Kosova pagojë faturat e gabimeve të veta. Bazamentin e AKS e ndërtuan udhëheqësit e protestave të dhunshme të turpshme të vitit 2004.  Në këto protesta shqiptarët shkelën mbi kulturën e vet, mbi traditën dhe dolën në skenë sipas interesave të Serbisë kriminale. Shkuarja në Siri e disa shqiptarëve ishte përsëri një materializim i propagandës së rrejshme antishqiptarë e Serbisë. Depërtimi i matrapazëve serb, iranian, turq, rus dhe shqiptar të korruptuar me xhamia në Kosovë madje edhe mbi varre të dëshmorëve që ranë në luftë kundër perandorisë turke ishte një argument tjetër që dje e arsyetonte statusin special të Kishave serbe të cilat janë qendra spiunazhi të Rusisë në Kosovë dhe ASK si autonomi serbe në Kosovë. Këto dy instrumente janë të mjaftueshme që Serbia të pengoj zhvillimin normal e shtetit të Kosovës. Reagimet që po dalin tani pas kësaj marrëveshje nuk dalin nga analiza e dëmit dhe dobisë nga kjo marrëveshje, por secili do të i shpërlaj duar nga gabimet e veta në këtë proces, për të dalë duke sharë dhe fajësuar tjetrin; ndërsa do të duhej një analizë e thellë për të shpëtuar këtë që ka mbetur”, thotë ai. 

Image
Milazim Maraj

Madje, ai thotë se është brengosës fakti që askush nuk po tenton të mësojë nga gabimet që po i bënë, dhe se askush nuk po ndjehet fajtor.  

“Kjo gjendje në përgjithësi është akoma më mjerë se sa dukët. Brengos fakti që askush nuk po tenton të mësojnë nga gabimet që i bënë. Askush nuk po ndjehet fajtor që do të thotë më këtë strukturë pluraliste nuk pritet përmirësim dhe veprim unik e të analizuar mirë për marrëveshje për çështje të rëndësishme. Kauzat farse për Debëlldenë si dhe për Kullën e Çakorrin, “zajednicën” nuk po e turpërojnë dhe bëjnë të ndjehen fajtor e të thonë unë kam gabuar, kërkoj falje dhe po lëshoj rrugën atyre që dinë më mirë se unë ose ejani të korrigjohemi bashkë; kështu do të bënin dinjitarët, për kësi udhëheqës ka nevojë vendi”, shprehet tutje Maraj.   

Sipas tij, gabimet partiake që kanë bërë ndër vite siç duket nxorën Serbinë nga kriza e shtetit kriminel dhe e sollën të barabartë në tryezë të bisedimeve.  

“Këto parti ishte bashkë me LVV, kundër paketës së Atihsarit, kur pengonin çdo zhvillim në Kosovë, madje edhe mbajtjen e seancave të rregullta në Kuvend, më parullën “Zajednica nuk kalon” LDK ishte pjesë e këtyre marrëveshjeve dhe zgjodhi njerëzit me kapacitete më të ulëta që i kishte në parti për dialog dhe  hartimin e marrëveshjes me Serbinë. Kurse partia PDK, ishte e gatshme të pranoj çdo lloj marrëveshje madje edhe ndryshimin e kufijve për të shpëtuar vet. Partia e VV që më të drejt quhet partia e gazit, helmeve dhe molotovit që ishte në gjendje të kallë institucionet e Kosovës dhe të kallë policët e Kosovës tani pajtohen edhe me, më pak se ajo që ishte në vitin 2015. Do të nënshkruan dhe lavdëron atë që e ka nënshkruar. Tërë kjo strukturë e mbanë barrën e  përgjegjësisë për dëmet që i sollën Kosovës që nga viti 2004. Këta ndërruan orientimin e zhvillimit të mbarë të shtetit të Kosovës. Këta nxorën Serbinë nga kriza e shtetit kriminel dhe e sollën të barabartë në tryezë të bisedimeve. Të barabartë krimineli dhe viktima! Humbën prestigjin që e kishte krijuar dr. Ibrahim Rugova me plejadën e vet intelektuale dhe patriotike”, deklaron analisti.  

Në fund, ai shton se kjo marrëveshje mund të sjellë përplasje, duke vazhduar se Asociacioni është shumë më pak i rrezikshëm se statuti special i kishave serbe që janë të lidhura drejtpërdrejt më Rusinë.  

“Ajo çka ka mbetur të shpëtohet varet nga niveli intelektual dhe përgjegjësia politike e institucionale e Kosovës. Përndryshe kjo marrëveshje nuk do të prodhoj paqe dhe zhvillim të mëtejshëm të Kosovës por do të prodhojë përplasje dhe dhunë deri në  kalim të një lufte të re në mes të Kosovës dhe Serbisë. ASK është shumë më pak i rrezikshëm se statuti special i kishave serbe që janë të lidhura drejtpërdrejt më Rusinë. Kosova këto armë të rrezikshme do të ia nënshkruaj Serbisë. Kush e solli Kosovën në këtë situatë( merre ose lere!?) Ju të gjithë bashkë qoftë në një formë qoftë në një tjetër. Rusia Serbinë e ka mish të pa dhimbshëm për top, sikur Serbia që i ka serbet në Kosovë. Kjo do ta bëjë marrëveshjen të përkohshme. Ne kemi nevojë për udhëheqës dinjitarë, të aftë dhe të guximshëm të moralshëm të përcaktuar dhe vizionar, që  ndjehen mirë në mes të popullit të vet të lumtur. Vetëm të tillët mund të shpëtojnë at që mbeti për të u shpëtuar”, përfundon Milazim Maraj.  

Elezaj: Plani paraqet një hap përpara në dialogun e Kosovës me Serbinë drejtë një marrëveshjeje finale mes dy shteteve  

Lidhur me këtë analisti Rexhep Elezaj thotë se kjo marrëveshje është një hap përpara, duke shtuar se nuk ishte ashtu sikur e kishte paraqitur Borrell “merre ose lëre”.   

“Nuk ka dyshim, se pranimi verbal i Planit të BE-së (franko-gjerman) prej 11 pikave nga ana e dy negociatorëve kryesorë Kosovë-Serbi, Aleksander Vuçiqit dhe Albin Kurtit, në takimin e mbajtur mbrëmë në Bruksel në praninë e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme J. Borrell dhe ndërmjetësuesit në bisedime, Miroslav Lajçak, paraqet një hap përpara në dialogun e Kosovës me Serbinë drejtë një marrëveshjeje finale mes dy shteteve.  Mirëpo, po ashtu, nuk ka asnjë dyshim, se mos pranimi i nënshkrimit i këtij Plani 11 pikësh nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiqit, ka qenë një kompromis në vete, të cilin Josep Borrell ia ka bërë palës serbe, duke mos e detyruar Vuçiqin që ta nënshkruante dje këtë dokument, ashtu siç ishte paralajmëruar para ca ditësh, se ky plan palëve do t’iu ofrohet në formën “merre ose lere”, gjë e cila nuk ndodhi në këtë takim!   

Ngase, krejt ndryshe do të zhvillohej ecuria e dialogut Kosovë-Serbi, posikur ky plan të nënshkruhej dje në Bruksel nga ana e presidentit të Serbisë, i cili ka vite që mjeshtërisht i ka ikur nënshkrimit të çfarëdo lloj marrëveshjeje me Kosovën, duke qenë i vetëdijshëm se nënshkrimi i këtij Plani do ishte njohje “de-facto” e pavarësisë së Kosovës, gjë të cilën ai dhe asnjë udhëheqës i Serbisë nuk do ta bën, kur dihet se politikanët e majtë apo të djathtë të Serbisë, janë të betuar në shpirtin e Sveti Savës, që kurrë mos ta njohin pavarësinë e Kosovës..!?”, shprehet ai.

Image
Rexhep Elezaj

Derisa për mbështetjen e Haradinajt ndaj Kurtit për këtë plan, Elezaj ka thënë se kur është në pyetje pranimi i Planit të BE-së për Kosovën, ka mbajtur qëndrim mjaft pozitiv, duke theksuar se kritika e Krasniqit dhe Abdixhikut është bërë për konsum të brendshëm.   

“Prandaj, sipas të gjitha gjasave për këtë fakt ka qenë më i vetëdijshëm lideri i AAK-së, z. Ramush Haradinaj, se sa kryetarët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, të cilët siç duket kritikat e tyre ndaj qëndrimit të kryeministrit Kurti në Bruksel vazhdojnë t’i bëjnë vetëm për konsum të brendshëm politik. Përndryshe, Ramush Haradinaj, kur është në pyetje pranimi i Planit të BE-së për Kosovën, ka mbajtur qëndrim mjaft pozitiv në përkrahje të kryeministrit Kurti, gjë e cila e ka dalluar nga dy opozitarët tjerë, dhe për këtë qëndrim konstruktiv ai e meriton çdo lavd dhe respekt, ngase në pyetje janë interesat e Kosovës dhe jo ato personale.  Mbase, këtu patjetër duhet theksuar faktin, se qëndrimi i inatçor dhe i mjaft i dëmshëm për Kosovën i kryetarëve të dy partive më të mëdha opozitare, PDK-së dhe LDK-së, ndaj angazhimit dhe veprimeve të kryeministrit Kurti në dialog me Serbinë, posaçërisht ndaj Planit të BE-së (franko-gjerman) për Kosovën, duke mos e mbështetur me asnjë veprim qeverinë tonë në ballafaqimin e saj në dialog me Serbinë hegjemoniste, ka qenë sjellje adoleshente dhe e papërgjegjshme e tyre, për shkak të cilës me siguri se do humbin më shumë vota tek elektorati i tyre se sa që do fitojnë”, shton ai.    

Në fund, ai thotë se, implementimi i këtij plani sipas agjendës së përcaktuar në Aneksin e tij dhe deklarimi i Borell, se “Fjala e folur është e vlefshme”, flet qartë se ky Plan mbështetet mbi fjalën e dhënë nga dyja palët në dialog e jo mbi aktin e nënshkrimit si një verdikt juridik dhe politik.  

“Sido që të jetë, implementimi i këtij Plani sipas agjendës së përcaktuar në Aneksin e tij, i pranuar vetëm gojarisht nga Aleksander Vuçiqi, meqë kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm që ta nënshkruante, pra siç e thotë vetë Josep Borell në konferencën e tij për shtyp, se “Fjala e folur është e vlefshme” (gjerm. Es gilt das gesprochene Ëort), flet qartë se ky Plan mbështetet mbi fjalën e dhënë nga dyja palët në dialog e jo mbi aktin e nënshkrimit si një verdikt juridik dhe politik, e që ky refuzim i nënshkrimit të këtij Plani nga ana e Aleksander Vuçiqit, dialogun Kosovë-Serbi e fut në një kohë të pa kufizuar, faktor ky me të cilin pala serbe ka luajtur dhe po luan për më shumë se dhjetë vite. Pra, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, tërë lojën e tij politike në dialogun me shqiptarët e ka mbështetur në blerjen e kohës, duke e shtyrë në këtë mënyrë deri në pafundësi aktin e njohjes faktike dhe formale të pavarësisë së Kosovës. Këtë manipulim diplomatik të Serbisë me kohën dhe dialogun me Kosovën, duhet ta kenë të qartë gjithë politikanët shqiptar të Kosovës!”, përfundon analisti Elezaj për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat