“Vuçiq e pranoi pavarësinë e Kosovës”/ A ishte kjo formula e Albin Kurtit në Bruksel?

Politika

“Vuçiq e pranoi pavarësinë e Kosovës”/ A ishte kjo formula e Albin Kurtit në Bruksel?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 1 mars 2023 Në ora: 19:08
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan të hënën në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë, shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Edhe pse nuk e nënshkruan zyrtarisht, Kurti dhe Vuçiq e pranuan propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas BE-së, puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.

E pranimi i planit franko-gjerman u mirëprit nga akterët ndërkombëtar, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, takimi Kurti-Vuçiq ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë.

"Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike", thuhet në komunikatën e Departamentit amerikan.

Kurse nga partitë opozitare, kryeministri Kurti u kritikua ashpër për pranimin e planit franko-gjerman, sipas të cilit duhet të formohet edhe Asociacioni i Komunave serbë në Kosovë, dhe askund nuk figuron njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Pranimi i planit pa formim të Asociacionit

Image
Enver Bytyçi

E krejt këto zhvillime në Bruksel, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi i sheh si të pritshme dhe pa risi.

“Takimi në Bruksel tripalësh, BE-Kurti-Vuçiq, përfundoi pa nënshkruar marrëveshjen sipas projektit dhe planit franko-gjerman. Është lënë që takimi i radhës të bëhet me datën 18 mars, mesa duket në Maqedoninë e Veriut. Nëse po, në Shkup, ose Ohër, besoj unë. Ishte e pritshme që nuk do të kishte dakordim të plotë dhe nënshkrim të kësaj marrëveshjeje. Sepse është e vështirë të sqarohen të gjitha detajet e një marrëveshjeje të tillë. Por në parim është rënë dakord për ta pranuar planin franko-gjerman. Ata që mezi presin ta shohin firmën e zotit Kurti në një marrëveshje, çfarëdo qoftë ajo, për ta akuzuar atë “për tradhti ndaj atdheut”! Nuk flenë gjumë deri sat ë ndodhë kjo. Po cilët janë këta që presin ta denigrojnë dhe ta “gozhdojnë” kryeministrin Kurti. Natyrisht që janë ata që për 4 vite u angazhuan për ndryshimin e kufijve. Dhe janë të njëjtët ata që nënshkruan marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe atë të vitit 2015 për asociacionin dhe demarkacionin. Kjo kategori politikanësh të Kosovës janë aktivizuar vetë dhe kanë aktivizuar zvarranikët e tyre, që të hedhin akuza kundër Kurtit për nënshkrimin e këtij projekti”, thotë Bytyçi.

Sipas Bytyçit, i gjithë problemi qëndron tek formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman duke e përjashtuar ASK-në.

“Megjithatë për mua nuk është problem projekti i paraqitur për diskutim dhe nënshkrim. Problemi qëndron me asociacionin e Komunave me Shumicë serbe në Kosovë. Pikërisht kjo temë ka bërë që diskutimet të shtyhen. Dhe nuk shoh që pala serbe do të pranojë gjashtë kushtet e njohura tashmë të zotit Kurti për asociacionin. Çfarë do të ndodhë? A do ta pengojë firmosjen e marrëveshjes mungesa e konsensusit për ngritjen e asociacionit? Burimet bëjnë me dije se Kurti ka pranuar ta nënshkruajë projektin e marrëveshjes në fjalë, por pa Zajednicën. Presidenti i Serbisë ka lënë të kuptohet do të autorizojë kryeministren serbe, Brnabiq, që ta nënshkruajë marrëveshjen. Kjo do të ndodhë për shkak se Vuçiq dëshiron të mos marrë përgjegjësi për deklaratën e para disa ditëve, kur njoftoi se nuk do ta nënshkruante marrëveshjen, nëse asaj nuk i bashkëngjitet edhe krijimi i këtij asociacioni”, shprehet Bytyçi.

“Pra, asociacioni JO, plani franko-gjerman, PO! Kjo ishte formula e Albin Kurtit. Nëse ai nënshkruan planin evropian dhe mënjanon asociacionin, atëherë Albin Kurti i ka sfiduar të gjithë çakejtë politikë dhe mediatikë, të cilët presin ta shohin Kosovën nën Serbi ose të ndarë më dysh, mjafton që Albin Kurti të shpallet tradhtar! Zoti Kurti besoj se ka rasti të reflektojë në këtë rast dhe t’ia dijë hallin Ibrahim Rugovës, kur i thoshin: „Nëse e shpall pavarësinë Ibrahim Rugova, është më mirë që Kosova të mbetet nën Serbinë“!”, sjpejgon më tej Bytyçi.

Ai thotë se Kurti realizoi më të mirën e mundshme për Kosovën.

“Këta jemi ne shqiptarët! Përdorim mjete e forma nga më të çuditshmet për ta denigruar kundërshtarin. Dhe kjo kategori shqiptarësh ka të njëjtin turi. Sillen njëjtë. Shihni kryeministrin e Shqipërisë! Ishte në ekstazë kënaqësie kur lajmëroi në parlament shpalljen e Sali Berishës non-grata! Madje korruptoi shefin e zbulimit të FBI-së për të përgatitur dosjen dhe për ta dërguar në departamentin e Shtetit! Miliona euro për të provuar ndjenjën e prestigjit për denigrimin e kundërshtarit! Kjo po ndodh me Albin Kurtin. Po nga sivëllezërit e Edi Ramës dhe të Aleksandër Vuçiq. Kjo i ndodhi Ibrahim Rugovës! Nuk ka psikiatër që mund ta shpjegojë këtë fenomen tipik shqiptar me qasje anti-shqiptare! Për mua taktika e zotit Kurti është më e mundshmja dhe më e mira që do të mund ta realizonte dikush nga politikanët atdhetarë shqiptarë”, thekson Bytyçi.

Për fund, ai thotë se pranimi i planit franko-gjerman ishte një veprim i mençur nga Albin Kurti.

“Ta pranosh një projekt-marrëveshje të quajtur plani franko-gjerman, plan i cili nuk e penalizon aspak Kosovën, është mençuri. Gjithkush do të donte që Kosova me atë marrëveshje të njihej nga Beogradi. Por edhe aq sa është ndihmon shtetësinë e sovranitetin e Kosovës. Nëse Kurti mënjanon, ose së paku realizon një asociacion pas njohjes së Kosovës shtet i pavarur dhe bazuar në kushtetutën e vendit, ai ka bërë maksimumin për ta shpëtuar shtetin më të ri në Evropë nga zhbërja. Mos harrojmë se nëse ai e realizon këtë, ka sfiduar jo vetëm Serbinë, por edhe lobet serbe në Amerikë dhe në Evropë, si dhe nënshkruesit e mëparshëm të asociacioni serb në Kosovë, përkatësisht Hashim Thaçin e Isa Mustafën, si dhe ekipet e tyre në dialog. Për këtë arsye Albin Kurti duhet nderuar dhe respektuar!”, deklaron profesor, doktor Enver Bytyçi.

Vuçiq e ka pranuar Kosovën

Image
Sed Bytyçi

Kurse sipas studiuesit të politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi, Vuçiq në Bruksel de facto e ka pranuar edhe Pavarësinë e Kosovës.

“Presioni privat mbi presidentin Vuçiq ka bërë punë dhe ka pranuar njohjen de facto të Kosovës. Marrëveshja për aneksin mund të arrihet në javët apo muajt e ardhshëm, me rëndësi është që për Serbinë nuk ka kthim mbrapa dhe kjo krijon një komoditet për Kosovën”, thotë Bytyçi.

Siç thotë ai, plani franko-gjerman është një marrëveshje paraprake para asaj finale.

“Ndërmjetësuesit e imponuan një marrëveshje merre ose lëre që shihet si marrëveshje paraprake para marrëveshjes finale. Kjo gjë e vindikon qasjen më të ashpër të Kosovës në negociata para momentit "merre ose lëre"”, thekson Bytyçi.

“Gjithashtu, arritja e pajtimit për njohje de facto ia mundëson Kosovës ta ketë një qasje të re, pra të mos e vazhdojë qasjen e vjetër ku janë bërë kompromise në ndjekje të një njohjeje eluzive de jure e cile nuk vinte kurrë. Pas këtij pajtimi Kosova ka komoditet të mos pranojë kompromise të reja me duke ndjekur njohjen nga Serbia”, përfundon për “Bota sot”, studiuesi i politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat