Asociacioni i pa-tejkalueshëm, Borell e Lajçak kritikohen ashpër: Vazhdojnë me ledhatime ndaj Vuçiqit!  

Politika

Asociacioni i pa-tejkalueshëm, Borell e Lajçak kritikohen ashpër: Vazhdojnë me ledhatime ndaj Vuçiqit!  

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 mars 2023 Në ora: 07:58
Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Bruksel, 27 shkurt 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presindenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë ditës së djeshme e pranuan planin franko-gjerman të propozuar nga BE, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.  

Mirëpo, nuk kishte nënshkrim të dokumentit për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, që do të kërkojë me shumë bisedime.   

Kurti, para mediave, deklaroi se ndonëse pati dakordim, marrëveshja nuk u nënshkrua  pasi pala tjetër [Vuçiq], nuk ishte e gatshme. 

 “Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme. Unë kam shprehur gatishmërinë dhe interesimin për ta nënshkruar këtë tekst”, deklaroi Kurti para mediave.   

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi takimin ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, tha se të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.   

“Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti janë pajtuar sot se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Një propozim që mban titullin “marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Borrell.   

Mirëpo, natyrisht që tema e Asociacionit nuk kaloi pa u përmendur. 

Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë se ka insistuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por që në fund nuk kanë arritur tek marrëveshja.    

“Kurti refuzoi që ta krijojë Asociacionin. Nuk do të ketë marrëveshje pa krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.   

E analistët për “Bota sot” treguan nëse asociacioni po bëhet temë e patejkalueshme për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.   

Elezaj: Këtë ledhatim që Borrelli ia bëri mbrëmë A. Vuçiqit, fund e krye e ka bërë në dëm të Kosovës  

Image
Rexhep Elezaj

 

 E për këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.   

FIllimisht, ai u shpreh se mos nënshkrimi i planit franko-gjerman në Buksel, shpërfaq hapur ‘ledhatimin’ qe BE po ia bën Serbisë së Vuçiqit.   

Kjo, pasi ishin vetë përfaqësuesit evropian që para takimit ky propozim do të jetë “Merre ose lerë..”, gjë e cila nuk ndodhi mbrëmë. 

“Mos nënshkrimi mbrëmë në Bruksel i Planit të BE-së (franko-gjerman) prej 11 pikave nga ana e A. Vuçiqit, pra refuzimi i tij që ta nënshkruaj këtë Plan (në marrëveshje të fshehtë me zyrtarët e saj), ka qenë pa dyshim ndër koncesionet më të mëdha që BE-ja ia ka bërë Serbisë në 10 vitet e fundit.  

Pra, këtë ledhatim që J. Borrelli ia bëri mbrëmë A. Vuçiqit, fund e krye e ka bërë në dëm të Kosovës dhe normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë, dhe ky nuk është zhgënjimi i parë i shqiptarëve në sjelljet nihiliste të Evropës ndaj tyre..!? 

Pse..? Sepse, siç kanë shkruar mediat gjatë këtij muaji, por edhe siç ka thënë vetë kryeministri Kurti para ca ditësh, kanë qenë vetë ndërmjetësuesit ndërkombëtar, ata të cilët i kanë thënë gjatë takimeve të fundit me ta, se pranimi i këtij Plani me 27 shkurt në Bruksel do bëhet, në mos me qejf, atëherë në formën; “Merre ose lerë..”, gjë e cila mbrëmë nuk ndodhi..!”, deklaroi opinionisti. 

Po ashtu, Elezaj tha se arsyeja që presidenti serb nuk pranoi nënshkrimin e këtij plani është neni 2, ku kërkohet njohja e Kosovës “de-facto”.   

Ai kritoi ashpër përfaqësuesi evropianë ku tha se edhe më tutje po e amnistojnë regjimin e Serbisë nga sukcesionet dhe dëmet e luftës. 

“Nuk ndodhi, sepse ishte presidenti serb, A. Vuçiq, ai i cili ua ka bërë të qartë Borrellit dhe Lajçakut në takimin e ndarë me ta, se ai nuk do ta nënshkruan këtë plan, dhe nuk ishte fare vështirë të kuptohet, se pse Vuçiqi e ka refuzuar nënshkrimin e këtij plani, ngase siç dihet Pika 2 e këtij Plani, nënkupton njohje “De-facto” të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, gjë të cilën unë e kam paralajmëruar para ca ditësh, se pala serbe, pranë pranimit verbal të këtij Plani, të njëjtin kurrë nuk do ta pranonte, duke e ditur fare mirë se nënshkrimi i këtij Plani do ishte njohje faktike e pavarësisë së Kosovës nga e Serbisë, të cilin akt fashisti A. Vuçiq nuk do ta bënte kurrë..!? 

Pra, mos detyrimi i Vuçiqit nga ana e Borrellit që ta nënshkruante këtë plan, ka qenë koncesion i pastër ndaj Serbisë, të cilin J. Borrelli dhe ndihmësit e tij e kanë bërë me vetëdije të plotë, duke qenë të sigurt se  kështu edhe më tutje po e amnistojnë regjimin e Serbisë nga sukcesionet dhe dëmet e luftës të bëra në Kosovë, por edhe me qëllim që ta joshin që ajo përfundimisht të përcaktohet në rrugën e saj drejtë Evropës, duke e larguar sa më shumë nga Rusia cariste”, nënvizoi ai.   

Më tej, opinionisti tha se të gjitha këto veprime ndër vite i kanë dhënë përkrahje shtetit serb për të shpëtuar nga fajësia kolektive si një shtet kriminal.   

“Pra, të gjitha koncesionet e bëra ndaj Serbisë që kur ka mbaruar lufta në Kosovë e deri më sot, sidomos që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi (2010), kanë qenë jo vetëm përkëdhelje e ngrohtë ndaj saj, por edhe mbështetje maksimale për ta shpëtuar nga fajësia kolektive si një shtet kriminal dhe gjenocidial për krimet e bëra në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë..!? 

Pra, kjo është Evropa që e amniston Serbinë për krimet e saja në Kosovë, duke mos e detyruar që ta njoh pavarësinë e Kosovës, dhe e cila, BE-ja, në të njëjtën kohë ndaj Kosovës vazhdon të bënë trysni, duke e detyruar qeverinë e saj që ta formon AKS në Kosovë, si dënim dhe “shpërblim” për urtësinë dhe dëgjueshmërinë e saj, si një vend i vogël në Ballkan, të cilin qe 23 vite po e mbajnë të izoluar nga pjesa perëndimore e Evropës, duke mos ia liberalizuar sistemin e vizave..!”, vlerësoi Elezaj.  

Ndër të tjera, shtoi se Asociacioni në mënyrë të terthortë do të formohet në një të ardhme, pavarësisht se a i pëlqen apo jo, ky fakt shqiptarëve. 

“Pra, formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS) është në mënyrë indirekte i përfshirë në këtë plan, andaj nga takimi i mbrëmshëm në Bruksel e ka marrë formën e prerë, ai do formohet patjetër, i pëlqeu kjo apo jo shqiptarëve dhe Kosovës, sepse ky obligim i shtetit të Kosovës i marrë përsipër nga ish qeveria e Isa Mustafës me nënshkrimin e Marrëveshjes në Bruksel në vitin 2015 me Serbinë, mjerisht edhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, do të zbatohet deri në fund të këtij viti. Përndryshe, Kosova do ballafaqohet me sanksione të ndryshme si dhe me ngadalësim të procesit të anëtarësimit në BE-së dhe NATO, e ndoshta edhe nga miqtë tanë amerikan, të cilët me çdo kusht po kërkojnë që qeveria e Kosovës ta formojë këtë asociacion, alias një bombë serbe të kurdisur brenda Kosovës, e cila një ditë patjetër se do të eksplodojë..!”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”. 

Duhanaj: Asociacioni derivate i trazirave të marsit 

Image
Leon Duhanaj

Nga ana tjetër, analisti Leon Duhanaj, vlerëson se themelimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe, ka rrjedhur si derivat i procesit të Vjenës.  

Sipas tij, ky nuk do të ndodhte nëse në Kosovë, nuk do të ndodhnin trazirat e marsit 2004. 

“Pra, të gjitha këto gracka na janë përgatitur nga Serbia dhe janë realizuar nga vetë shqiptarët. 

Fatkeqësia me e madhe qëndron mbi faktin se të gjitha këto, na janë infiltruar nën slloganin e "patriotizmit". 

Me pastaj Kosova i pranoj disa lëshime në Vjenë për hir të shpalljes së pavarësisë, pasi që pas ngjarjeve të tmerrshme me trazirat e marsit, bota u tmerrua nga sjellja e shqiptarëve, gjë që i dha të drejtë propagandës serbe se shqiptarët nuk janë të sinqertë as me perëndimin e as me të ardhmen e tyre si komb. 

Pas shpalljes së pavarësisë, ishte pjesë e marrëveshjes fillimi i negociatave me Serbinë. 

SHBA dhe BE, në mënyrë që ta shmangin pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë ruse e kineze në dialog, arritën ta plasojnë ketë temë si temë të brendshme të BE-së, gjë që edhe ndodhi. 

Negociatat filluar në 2011 dhe patëm një marrëveshje në 2013 në të cilën parashihej asociacioni. Me pastaj pasoj marrëveshja e vitit 2015 në të cilën për herë të parë Serbia me në krye me Presidentin e saj Vuçiq,  pranoj të nënshkruaj një dokument, në të cilin tekstualisht shkruhej se asociacioni duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se statuti i tij, duhet të dërgohet për interpretim në ketë Gjykatë”, është shprehur Duhanaj. 

Duhanaj shton se për fat të keq, shqiptarët, në vend që të operojnë unik në politikat e jashtme, zgjodhën t'i sabotojnë ato duke manipuluar me tema të stisura dhe duke i përdorur ato për interesa meskine politike. 

Kësaj gare, sipas tij i priu pikërisht Kryeministri i tanishëm Albin Kurti me partinë e tij VV. 

“Z.Kurti luftoi me të gjitha mjetet, të ligjshme dhe jashtëligjshme për ta sabotuar çdo proces të këtij procesi shtetndërtues. Në një kohë duke rënë nën ndikimin e tij, u lajthit edhe z. Haradinaj gjë që së bashku na e mohuan mundësinë e liberalizimit të vizave në paketë me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, që që me pastaj mbetëm vetëm dhe kjo temë u shfrytëzua për interesa nga shtete të ndryshme duke na bllokuar”, ka theksuar ai. 

Rasti i Haradinajt dhe demarkacionit me Malin e Zi 

Kështu, sipas Duhanajt nëse z. Haradinaj si kundërshtari me i madh i demarkacionit me Malin e Zi, u bë protagonisti i nënshkrimit të tij vetëm pasi erdhi vetë në pushtet dhe të njëjtën po e bën tani z. Kurti me asociacionin.  

“Tanimë edhe demarkacioni ka marrë trajtën e vetë dhe nuk la kthim mbrapa. Ajo çfarë është dëshpëruese dhe që kërkon studim serioz, është fakti se edhe demarkacioni  u pranua kur Kosovës i kishte ikur treni, duke u dëshmuar se vonesa e tij ishte kundër Kosovës dhe shqiptarëve. 

Ashtu edhe asociacioni, po dëshmohet se vonesa e tij ishte në kundërshtim të plotë me interesin e Kosovës dhe shqiptarëve, pasi që tashmë ky asociacion përpos që ka kompetenca me të mëdha, brënda ka edhe eksterritorialitet për kishat "serbe" dhe marrëveshja si e tillë nuk e parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia  të paktën në ketë fazë. 

Pra, kjo nënkupton, se nëse Kosova zyrtare, përkatësisht shqiptarët, nuk këndellen dhe nuk operojnë njëzëri në politikën e jashtme, pas dhjetë vitesh do të kemi edhe kërkesa të tjera nga Serbia dhe ne do të detyrohemi për kompromise të reja. 

Uroj që koha të mos me jepë të drejtë, por duke analizuar të kaluarën, e kam të vështirë të jem optimist që ne do nxjerrim maksimumin nga mundësitë që kemi”, ka përfunduar Haradinaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat