Plani franko-gjerman dhe gjenocidi serb, vjen thirrja për palën e Kosovës në dialog: Mos i amnistoni krimet e luftës

Politika

Plani franko-gjerman dhe gjenocidi serb, vjen thirrja për palën e Kosovës në dialog: Mos i amnistoni krimet e luftës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 mars 2023 Në ora: 10:15
Foto ilustrim

Kosova dhe Serbia tashmë kanë deklaruar se plani evropian është i pranueshëm për përmbylljen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Teksti i atij plani u publikua pas bisedimeve trepalëshe që u mbajtën të hënën më 27 shkurt.

Plani përbëhet nga 11 nene, të cilat duhet t`i zbatojnë palët.

Mirëpo, ajo çfarë nuk thuhet në atë plan janë krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë gjatë luftës.

Deri më tash, të paktë janë serbët që janë dënuar për krime lufte në Kosovë, derisa dënimet gjithmonë kanë qenë minimale.

Serbia nuk ka kërkuar kurrë falje për krimet dhe gjenocidin e ushtruar në Kosovë. Ndërsa Kosova nuk e ka paditur asnjëherë Serbinë për krime të luftës.

Analistët e konsiderojnë si mjaft të rëndësishme përfshirjen e kësaj çështjeje në marrëveshjen përmbyllëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ahmeti: Asnjë përfaqësues në dialog nuk e ka legjitimitetin moral për të amnistuar krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se plani evropian nuk është as fundi e as fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai ka thënë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë edhe krimet serbe.

Adresimi krimeve të luftës duhet të jetë një çështje e pa tejkalueshme, por edhe e domosdoshme. Plani franko-gjerman nuk është fundi, por as fillimi i dialogut në mes palëve, edhe nëse arrihet marrëveshja në mes palëve dialoguese. Marrëveshja duhet të përfshijë parime mbi të cilën ndërtohet dialogu konstruktiv, dhe mbi këtë bazament pala kosovare duhet të jetë këmbëngulëse që krimet e luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës të mos amnistohen. Asnjë përfaqësues në dialog nuk e ka legjitimitetin moral për të amnistuar krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës”, thotë Ahmeti.

Tërnava: Mos të harrohen krimet e luftës, ajo plagë aq e rëndë që na i ka shkaktuar Serbia gjatë luftës

Njohësi i çështjeve politike Hajrullah Tërnava, ka thënë se tashmë janë shumë të intensifikuara presionet ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Image
Hajrullah Tërnava

“Ndërmjetësimet e ndërkombëtarëve për çështjen e njohjeve reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, tani janë mjaft të intensifikuara, sikur që tani e shumë shpesh përfaqësuesit e këtyre dy shteteve përmes ndërkombëtarëve po kontaktojnë në bisedimet mes veti, e që e kanë qëllimin e pajtimit të këtyre dy shteteve”, shprehet ai.

Më tej, thotë se ky plan e ka për qëllim të arrijë qëllimet e Kosovës si shtet i pavarur e sovran.

“Temat e bisedimeve mes këtyre dy shteteve janë ato që të vijë deri te njohja reciproke në rend te parë, por meqenëse Serbia po është e ashpër në këtë pikëpamje, dhe kërkesat e saj janë të pa-kapërdijshme, sepse e do copëtimin e Kosovës, dhe një pjesë të saj të veriut atë më të pasurën t’i takoj asaj, e sikur që në kushtetutën e tyre Kosova figuron si pjesë përbërëse e Serbisë, është e vështirë që të arrihet ajo marrëveshje e njohjeve reciproke. Prandaj tani është krijuar një plan franko-gjerman që e ka për qëllim të arrihen ato qëllime që Kosova është shtet i pavarur, e njohur nga të gjitha shtetet e BE, edhe që 5 shtete të BE nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës, pritet që me këtë planin në fuqi tani do të ndodhë njohja e tillë edhe nga këto shtete të BE, prandaj tani në prespektivë është që Kosova të pranohet në bashkësinë e shteteve të BE e që Serbia nuk do ta kundërshtojë tani e tutje fare antarësimet e Kosovës në institucionet ndërkombëtare sikur që janë NATO, INTERPOL, UNESCO etj”, thekson ai.

Sa i përket krimeve të luftës, ai thotë se kjo çështje nuk duhet lënë anash asnjëherë, sepse ajo është një plagë që e ka shkaktuar Serbia.

“Në bisedimet e radhës tani e tutje është çështje se si do të vendoset për krimet e luftës që na i ka shkaktuar Serbia, sipas planit franko-gjerman, prandaj është çështje e përfaqësuesve të Kosovës në bisedimet e radhës se si do t’ia arrijnë që në bisedime mos të harrohen krimet e luftës, ajo plagë aq e rëndë që na i ka shkaktuar Serbia gjatë luftës, sepse kemi provoja të shumta në të kaluarën që krime të luftës të tilla Serbia i ka krye në shumë raste edhe në të kaluarën shekullore, prandaj kjo nuk duhet të harrohet nga një shtet gjenocidial sikur që është Serbia, që i ri-përsërit ato vepra kriminale kur t’i jepet rasti”, përmbyll Tërnava.

Kujtojmë, se ky është teksti i plotë i propozimit:

Palët kontraktuese;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve, kanë rënë dakord që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë

mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat