“Kurti nuk është terrorist” - deputeti shqiptar tregon çka ndodhi në prapavijë, a pati tensione pas debatit me Vuçiqin

Politika

“Kurti nuk është terrorist” - deputeti shqiptar tregon çka ndodhi në prapavijë, a pati tensione pas debatit me Vuçiqin

Nga: A.Zh Më: 3 mars 2023 Në ora: 10:25
Shaip Kamberi dhe Aleksandar Vuçiq

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi, ka folur për përballjet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Në njërën nga seancat e mbajtura së fundmi në parlamentin serb, Vuçiq e quajti “terrorist” e “monstrum” kryeministrin e Kosovës. Ndaj deklaratës së tij kishte reaguar deputeti shqiptar Shaip Kamberi, i cili kishte thënë se Kurti është “kryeministër legjitim i Kosovës”.

“Albin Kurti nuk është as monstrum e as terrorist. Ai është Kryeministër i zgjedhur në mënyrë legjitime i Qeverisë së Kosovës. Si të tillë do duhej ta pranonit dhe me të të arrinit marrëveshje. Më vjen keq, z. President që disa herë keni shprehur keqardhjen që Albin Kurti nuk është ende nëpër burgjet serbe. A nuk do duhej rasti i tij dhe rasti i dhjetra mijëra të rinjëve shqiptarë të arrestuar atëkohë të ju shërbejë si dëshmi më e mirë për politikën e gabuar e represive të Serbisë në Kosovë? Keni arrestuar një të ri, keni fituar një Kryeministër me të cilin duhet patjetër të bisedoni e të arrini marrëveshje”, kishte deklaruar Kamberi në seancën e Kuvendit serb.

Ndërsa, duke folur për këtë përballje për gazetën “Bota sot”, Kamberi ka treguar se Vuçiqit, i kishte thënë se duhet të mësojë nga e kaluara e dhunshme serbe ndaj shqiptarëve, që sipas tij, nuk jep rezultate.

“Vetë Vuçiq e pati quajtur kryeministrin Kurti “terrorist” dhe “monstrum”. Unë vetëm i thashë që politika e juaj qindar vjeçare e dhunës ndaj shqiptarëve nuk jep rezultate, është koha të mësoni nga politikat tuaja ndaj shqiptarëve. Disa herë ia kam thënë se konflikti me shqiptarët është i dëmshëm edhe për ju”, ka thënë Kamberi.

I pyetur nëse ka pasur kërcënime për këto deklarata, deputeti shqiptar ka thënë se ato i janë bërë përmes presionit mediatik.

“Presionet që më përcjellin janë përmes mediave të kontrolluara nga qeveria apo nga partitë e të djathtës ekstreme në parlament. Jam mësuar të jetoj me gjithë këtë”, është shprehur Shaip Kamberi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat