“Kurti bëri mirë në Bruksel”/ Publicisti: Asgjë nuk ndodhë për Kosovën pa miratimin e këtij shteti

Politika

“Kurti bëri mirë në Bruksel”/ Publicisti: Asgjë nuk ndodhë për Kosovën pa miratimin e këtij shteti

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 3 mars 2023 Në ora: 14:02
Pamje nga takimi ne Bruksel

Duke komentuar takimin e zhvilluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, publicisti dhe analisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, thotë se për Kosovën nuk vendoset asgjë pa pëlqimin e Amerikës.

“Nuk e di saktësisht çfarë e si ka ndodhë në Bruksel me 27 shkurt 2023 me kryeministrin e Kosovës e presidentin e Serbisë, nuk di kujt e kë të besojmë nga mentarët që gelojnë, por pas prezantimit zyrtar te planit franko-gjerman ne Bruksel, i bindur se asnjë gjë nuk mund të ndodhë në Evropë për Kosovën pa dijeni, prani e pëlqim amerikan, pasi Amerika është sponsorja e çdo zhvillimi në Kosovë, sponsore e lirisë, pavarësisë, sigurisë e garancisë së ekzistencës së saj si shtet i lirë e i pavarur, dhe pas deklaratës së Ambasadorit amerikan në Prishtine pas takimit të Brukselit për ta kthjelluar çdo mjegull, unë besoj se ka ndodhë ajo që pritej, ka ndodhe një gjë pozitive, janë fashitë tensionet dhe shumëçka ka marrë emër”, shprehet Shahu.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka vepruar mençur me pranimin e planit franko-gjerman, propozim ky i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe Serbinë.

“Albin Kurti ka bërë mirë që e ka pranuar dhe nuk duhet të shfaqet i kompleksuar as të bëjë llogje e lojëra deklaratash. Ai ka pranuar atë që e ka kundërshtuar gjithë jetën politike me të padrejtë. Ka bërë atë që duhej, atë që do të bënte çdo individ po te ishte në vendin e tij, pavarësisht se sot kundërshtojnë disa por nuk janë të veshur me petkun e kryeministrit të Kosovës që të na bindin se do të ishin e do të bënin ndryshe nga Albini. Trima që do të kundërshtonin atje në zyrat e Evropës nuk ka.

Albin Kurti e vrau ne Bruksel Albin Kurtin e dikurshëm të udhës dhe i shërbeu Kosovës si duhet me këtë veprim, pasi janë ca vendime e verdikte që nuk u bëhesh digë për t’i ndalë. Këta që trimërojnë e thonë ndryshe nëpër facebook e në media të ndryshme e kanë trimëri fjalësh që s'i vyen askujt”, deklaron Shahu për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Më tej, ai thotë se edhe pika e shtatë e marrëveshjes, e cila parasheh statusin e Kishës serbe në Kosovë nuk ka pse ta tmerrojë askënd.

“Edhe ato pika apo nene të nxehta që na djegin, ne me pazotësinë tonë, me keq sjelljen tonë i kemi krijuar dhe tani duhet të paguajmë për to. Pika 7 ku flitet për Kishën serbe nuk është hataja që po ne tmerron. Territori i Kishës serbe nuk është sa Kosova, as më i madh se Kosova, është një kishe serbe brenda territorit e brenda shtetit të Kosovës. Ku i dihet se sa bukur dhe pozitivisht ecin punët, forcohet shteti i Kosovës dhe gjërat ndryshojnë natyrisht ndryshojnë siç kanë ndryshuar. Para dy dekadash Serbia ishte në Kosovë e shqiptarët ishin robër të serbëve. Sot pas dy dekadash nuk ka Serbi në Kosovë por ka një frikë të pashpjegueshme ndaj Kishës serbe sikur aty është shteti serb dhe Kosova është një bahçe në territorin e Kishës serbe”, nënvizon Shahu.

“Nuk mendoj se ka krahasim me Malin e Zi, por besoj se shqiptarët nuk i qeveris as sot as nesër Kisha serbe. Komplekset tona po çelin lule. Ne nuk kemi luftuar për Kosovën që ta çlironim vetë, ta pavaresonim vetë dhe edhe sikur të vdisnim ne duke luftuar nuk do te ishte e mjaftueshme lufta, jeta e vdekja jonë për ta fituar vetë Kosovën, për t'i vendosë tre gurët ku duam ne. Prandaj e kemi me kushte lirinë e pavarësinë prej atyre që na e kanë bërë dhuratë dhe jemi të detyruar të bëjmë si na thonë miqtë që për ne e dëbuan Serbinë prej Kosove, e çliruan Kosovën, e pavarësuan, e njohën, e bënë shtet dhe sot Kosova është shqiptare, e shqiptarëve, udhëhiqet nga shqiptarët, serbët nuk e udhëheqin Kosovën, nuk janë serbët në zyrat e shtetit në Prishtinë e askund në Kosovë, por serbët janë një pakicë që qajnë shumë me zë të lartë edhe kur u matesh e jo më kur i bjen”, shpjegon analisti Rexhep Shahu.

Me takimin në Bruksel dhe pranimin e planit franko-gjerman, Shahu thotë se Serbia e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Qortohet Albini se ka pranuar një marrëveshje apo një dokument që nuk e ka brenda njohjen e Serbisë, një dokument ku nuk thuhet që Serbia e njeh dhe pranon shtetin e ri të Kosovës. Serbia edhe shumë gjatë nuk besoj se e nënshkruan një dokument të tillë, por ajo ka nënshkruar mundjen e saj ne qershor 1999, ka pranuar marrëveshjen e tanishme me shtetin e Kosovës pasi marrëveshja është mes Serbisë e Kosovës. Një brez njerëzor kaloi qe Serbia u dëbua prej Kosove ku ka qëndruar pushtuese e sunduese katër breza njerëzore. Nuk është e lehtë të na njohe Serbia de jure, ta pranojë faktin që ka ndodhë, ta pranojë realitetin, por Kosova shtet shqiptar me miqtë e aleatët që ka, bën edhe pa e njohur Serbia. Marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, marrëdhëniet tregtare e njerëzore, nuk janë ndërprerë asnjëherë as në kohen e luftës”, nënvizon Shahu.

Publicisti Shahu thotë se Kosova duke u fuqizuar si shtet, i imponohet përditë e më shumë Serbisë siç i është imponuar këto dy dekada.

“Kosova dhe shqiptarët kanë mbijetuar, janë rritë e fuqizuar në Kosovë duke qenë nën Serbi, nën pushtet serb, me zyrtarë serbë në çdo qelizë të jetës. Po sot që Kosova nuk është nën Serbi, por është në dorë të shqiptarëve, në çdo qelizë ka zyrtarë shqiptarë, pse duhet të ketë frikë e ankth prej pakicës serbe, pse kjo ligështi e pasiguri e frikë kaq e madhe. Po kur lexon e dëgjon shqiptarë patriotë që e urdhërojnë e diktojnë Amerikën se çfarë të bëjë, që kërcënojnë trimërisht me mesazhe në Facebook se na nuk pranojmë asgjë me pak se njohje të Kosovës nga Serbia dhe asnjë asociacion serbesh... Harrojnë t'i kërkojnë Amerikës edhe nga një veturë, a kerr mercedes prej Serbisë ose prej bashkësisë ndërkombëtare”, shprehet Shahu.

“Po deri sot Amerika nuk ua ka kthye me ju thanë, dilni e fitojeni ju vetë Kosovën siç e doni, mundeni Serbinë vetë dhe mos luftoni në Facebook me parulla nga vendet e perëndimit ku jetoni dhe as mos luftoni si Albini dikur me protesta antishtet e anti çdo gjëje e çdo marrëveshje që e miratoi tani edhe vetë”, përfundon për “Bota sot”, publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat