“Zot na ruaj”, Bytyçi tregon kush e tradhtoi Kosovën, flet për politikanët që kanë lidhje me Beogradin - “Jo Vjosa e Albini”!

Politika

“Zot na ruaj”, Bytyçi tregon kush e tradhtoi Kosovën, flet për politikanët që kanë lidhje me Beogradin - “Jo Vjosa e Albini”!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 3 mars 2023 Në ora: 18:59
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pajtuar me planin franko-gjerman.

Ai gjatë takimit të fundit në Bruksel ishte i gatshëm edhe të nënshkruajë, mirëpo ishte presidenti serb Aleksandër Vuçiqi i cili e revuzoi.

Por ky plan nuk është i përkryer.

Kështu shprehet profesori dhe njohësi i çështjeve politike Enver Bytyçi.

Profesori thotë se ky plan nuk është as më i miri, por sipas tij, shumica e pikave të tij janë në favor të shtetësisë së Kosovës.

“Ka një problem me pikën, në të cilën kërkohet një lloj autonomie të serbëve, pa specifikuar emërtimin. Autonomia e komunave serbe në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, në ekonomi. Nuk thuhet se siguria dhe mbrojtja do të kushtëzohen nga kjo autonomi. As politika e jashtme e shtetit. Por aty thuhet se autonomia e minoritetit serb duhet të bazohet në ligjet europiane, përkatësisht të Këshillit të Europës. Kjo jep mundësi teorike që të ruhen limitet e një autonomie që nuk dëmton sovranitetin dhe integritetin tokësor të Kosovës”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se, në këtë pikë, e cila shkon në dëm të Kosovës thuhet se përmes autonomisë, serbët kanë të drejtë të financohen nga Serbia dhe duhet të ruajnë një lidhje me institucionet e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Në këtë kuptim, mendoj se do të ketë probleme. Pra, problemi dhe dyshimi qëndron te kërkesa për autonomi të serbëve në Kosovë. Pikërisht këtë çështje zoti Kurti u përpoq së paku ta shtyjë në kohë, kur vendosi gjashtë kushtet e tij për formimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, shton ai.

Bytyçi shprehet se Kurti nuk mund të mohoj plotësisht krijimin e asociacionit.

“Unë besoj se kryeministri i Kosovës i ka duart e lidhura për ta mohuar plotësisht krjimin e këtij asociacioni, ose të një forme tjetër për një autonomi më të madhe për serbët. Lëshimin e parë e bënë Hashim Thaçi dhe ministri i tij i pushtetit lokal, Lutfi Haziri, kur pranuan që të formojnë 10 komuna me shumicë serbe. Ka komunë serbe me 500 banorë serbë të saj. E kësisoj, ndërsa serbët janë 4-5 përqind në Kosovë, ata zotërojnë gati një të tretën e numrit të komunave. Ky ishte absurdi i parë në politikën e lëshimeve ndaj Serbisë. Madje në një kohë kur gjaku i viktimave serbe, pra i shqiptarëve të masakruar ishte shumë i freskët. Ndërkaq Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan krijimin e këtij asociacioni dhe komuniteti ndërkombëtar i bën presion Kurtit me formulën se “Marrëveshjet e pranuara dhe nënshkruara nuk mund të mos zbatohen””, thotë profesori i cili shton se parimisht kjo është e vërtetë.

“Në këto rrethana Kurtit i mbetet thjesht të respektojë kushtetutën e vendit, pra të krijojë një asosciacion a diçka me emër tjetër, bazuar në kushtetutën e Kosovës. Mundet që ta kushtëzojë edhe me kohën se kur mund të ndodhë kjo. Sepse ai ka argumente të pafund se Serbia do ta përdor asociacionin si alibi për ta destabilizuar Kosovën në vazhdimësi, derisa të të shkohet te njohja e plotë”, thotë ai.

Sipas tij, vetëm njohja e plotë dhe pranimi i Kosovës në OKB mundet që së paku nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

“Ndryshe, në kushtet e mos njohjes dhe të mos qenit anëtare e OKB-së, Kosova rrezikohet çdo ditë nga Serbia. Këto parime i njohin si zoti Kurti dhe sidomos këshilltari i tij britanik. Prandaj unë besoj buron kërkesa e Kurtit që asociacioni të kushtëzohet me njohjen e Serbisë dhe në Këshillin e Sigurimit. Po lexoj kritika pa fund kundër pranimit të marrëveshjes. Përveç Haradinajt, dhe ndonjë tjetri me logjikë politikani të ftohtë, shumë e kanë grushtuar Albin Kurtin. Fatkeqësisht edhe Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi. Unë dua të besoj se as Lumiri, as Memli në deklaratat e tyre nuk janë vetvetja. Ndoshta kanë presion të madh nga kasta e vjetër, e cila e la pataten e nxehtë në duart e Albin Kurtit. Nuk e di pse po veprohet kështu. A mungon opozitarizmi për çështjet e zhvillimit të brendshëm?! Ndoshta ka një lloj interferimi servil në raportet me komunitetin euro-amerikan! Ndoshta ka papjekuri politike. Dhe nuk e përjashtoj faktin se ndonjë politikan (e) ruan lidhje të ngushta me Beogradin!”, thotë Bytyçi.

Ai thotë se të gjithë këta faktorë po e rëndojnë artificialisht situatën e post Brukselit.

“Ndërkohë që kryeministri ka pranuar planin, por jo modelin e implementimit, nuk ka vend as për panik, as për goditje nën brez. Duhet kohë për t’i qartësuar detajet. Dhe kur thotë Fatmir Limaj se Albini e tradhtoi Kosovën! Zot na ruaj! Kosovën e tradhtojnë ata që e vjedhin dhe e grabisin shtetin, jo ata që e ruajnë atë. Kosovën e tradhtuan ata që donin të shkëmbenin territore dhe ndër ta ishte i gatshëm edhe Fatmiri dhe jo Albin Kurti e Vjosa Osmani, të cilët po i mbrojnë këto territore. Kur reagojnë me gjuhë denigruese autorët e shkatërrimit dhe grabitjes së Kosovës, vetëm se i shtojnë pikë në opinion Albin Kurtit! Kjo është e vërteta. Prandaj duhet që ata së paku të heshtin”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat