Ka mundësi të ndryshohet marrëveshja, analisti “paralajmëron” Kosovën: Duhet vëmendje, Serbia bën lojëra

Politika

Ka mundësi të ndryshohet marrëveshja, analisti “paralajmëron” Kosovën: Duhet vëmendje, Serbia bën lojëra

Nga: Naile Ejupi Më: 4 mars 2023 Në ora: 12:31
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Analisti besnik i kriminelit Sllobodan Millosheviq, tani në shërbim të Vuçiqit, Millovan Drecun, ka folur rreth propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Sipas tij “Serbia ka pranuar të diskutojë për propozimin evropian si për një koncept, me faktin se propozuesit do të donin që ai të ishte identik me marrëveshjen eventuale. Ai shton se beteja kryesore do të jetë për planin e zbatimit, i cili do të specifikojë se çfarë do të zbatohet nga propozimi e çfarë jo. Ne nuk do të pranojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen e saj as de fakto e as de jure”.

Analisti serb thotë se ajo çfarë shkruan në propozim nuk do të thotë se ata do ta pranojnë.

“Ky është një propozim, marrëveshja është diçka tjetër. Ne pranojmë ofertën për të biseduar, por nuk duam që kjo ofertë të jetë marrëveshje përfundimtare. Vetëm ajo që është nënshkruar është e detyrueshme. Ajo çfarë shkruan në propozim nuk do të thotë se ne do ta pranojmë. Njohja de facto në thelb nuk do të thotë asgjë, është për nevojat e brendshme politike të Kosovës dhe Kurtit. Absolutisht nuk do të ketë njohje de jure, madje as de facto. Por, nëse duam të arrijmë ndonjë marrëveshje, atëherë duhet të bëjmë një lloj kompromisi”, ka pretenduar Drecun.

Në anën tjetër, analistët politikë thonë se Kosova duhet të përcjell me vëmendje hapat e Serbisë, sepse ajo gradualisht me lojëra të tilla ka arritur të heq apo të fut në diskutim dhe në aprovim çështjet të dëmshme për Kosovën.

Muhamet Kelmendi, ka treguar anën juridike sesi mund të futet në zbatim plani franko- gjerman dhe çfarë mund të ndodh nëse refuzohet ndonjë pikë e marrëveshjes.

“Plani franko-gjerman apo euro-amerikan mund dhe futet në zbatim me marrëveshje konkrete vetëm me nënshkrimin e marrëveshjeve nga të dy palët. Marrëveshja e tillë pas nënshkrimit shtrohet në Kuvend për diskutim dhe aprovim. Kundër ka mundësi të paditet në Gjykatën Kushtetuese. Ky është përfundimi dhe arritja e pikës ku një marrëveshje ndërkombëtare bëhet obligative për shtetet nënshkruese. Refuzimi i një pike nga marrëveshja është akt i mos aprovimit të marrëveshjes, apo të planit me karakter ndërkombëtar. Natyrisht se Kosova duhet të përcjell me vëmendje hapat e palës tjetër, të shtetit serb. Serbia ka arritur që gradualisht me lojëra të tilla të heq apo të fut në diskutim dhe në aprovim çështjet shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Një lëvizje taktike të Serbisë, të dëmshme Kelmendi e konsideron asociacionin. Sipas tij, nëse kufizohet, hiqet apo ndryshohet pika e katërt e planit franko- gjerman, de fakto nuk ka më Kosova subjektivitet ndërkombëtar.

“Çështje të tilla ishte futja në thonjëza e Kosovës pasi u shpall shtet më 2008. Arriti tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe. E kërkoi dhe Kosova lëshoi në formimin e Gjykatës dhe të prokurorisë serbe, që u vë policia nën komandën e veriut dhe u ndërtua për veri Gjykata e Apelit. Edhe në raport me subjektet e jashtme bëri punë shteti serb. Nëpër disa organizata të OKB-së nuk është subjekt Kosova. Serbia ka arritur të jetë subjektivitet ndërkombëtar edhe për Kosovën në OKB. Cështjet e tilla vazhduan. Me veprimet taktike serbe u arritë të kufizohet sovraniteti i shtetit të Kosovës. Tash është në plan edhe Asociacioni. Dhe, nëse kufizohet, hiqet a ndryshohet pika e katërt e planit franko-gjerman, de-fakto nuk ka me Kosova subjektivitet ndërkombëtar. Këtë nuk duhet lejuar”, ka përfunduar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat