Familja Jashari i tregoi pushtuesit serb se Kosova i ka zot shtëpie shqiptarët, që me gjak e mbrojnë pragun e shtëpisë

Politika

Familja Jashari i tregoi pushtuesit serb se Kosova i ka zot shtëpie shqiptarët, që me gjak e mbrojnë pragun e shtëpisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 mars 2023 Në ora: 17:10
Kulla e familjes Jashari në Prekaz

Marsi do të kujtohet gjithmonë për heroizmin e familjes Jashari. Më 5, 6 e 7 mars 1998, familja Jashari për të tretën herë, me forca të mëdha policore dhe ushtarake ishte sulmuar nga Serbia, duke rënë heroikisht 59 anëtarë të saj në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.

Sulmi ndaj familjes Jashari, konsiderohet si sulm ndaj bërthamës së UÇK-së dhe të njëjtën kohë "tentim vrasje" e guximit të shqiptarëve për të luftuar për çlirim e bashkim kombëtar.

Anëtarët e familjes Jashari që u vranë, nuk konsiderohen viktima, por kapedanë e heronj.

Në nderim të “Epopesë së UÇK-së” dhe në kujtim të Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri, Qeveria e Republikës së Kosovës, më 5, 6 dhe 7 Mars 2023, organizon manifestimin gjithë-popullor.

Manifestimi qendror nisi të dielën në mesditë, u mbajt të dielën në mesditë me parakalimin e Kuadrove Ushtarake të FSK-së.

Në manifestim morën pjesë liderët shtetërorë, zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të MM-së dhe FSK-së, si dhe autoritete tjera politike, diplomatike dhe ushtarake vendore dhe ndërkombëtare.

Epopeja e UÇK-së po konsiderohet si e shenjtë e po ashtu si dëshmi konkrete e rezistencës kundër armikut dhe si e tillë ajo duhet të shërbejë për brezat që vijnë.

Zogaj: Epopeja e Jasharajve njëra nga ngjarjet më kulmore të historisë sonë

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se familja Jashari ka sakrifikuar jetën për Kosovën.

Image
Skender Zogaj

“Epopeja e Prekazit në fakt është Epopeja e Familjes Jashari, e cila e tëra, nga foshnjat në djep e deri te pleqtë, ka sakrifikuar jetën dhe gjithçka që ka pas, për t'i treguar pushtuesit serb se Kosova i ka zot shtëpie shqiptarët të cilët, me gjak e mbrojnë pragun e shtëpisë! Kjo vlerë është shpirtërisht e shenjtë, ndërsa historikisht është dëshmi konkrete e rezistencës epokale që bijtë e Kosovës kanë bërë për atdhe, liri dhe pavarësi!”, thotë Zogaj.

Sipas Zogajt, Epopeja e UÇK-së duhet të gëzojë përkujdesje të madhe institucionale dhe formën e merituar ta kenë objektet në oborrin e Jasharajve.

“Si e këtillë kjo është njëra nga ngjarjet më kulmore të historisë sonë dhe shenja më sublime e kujtesës që, duhet të mbahet e freskët dhe të festohet denjësisht, duke ua bërë të dashur brezave që ta kuptojnë vlerën e lirisë dhe sakrificën e madhe që është bërë për çlirimin e Kosovës! Mbi të gjitha, kjo ngjarje duhet të gëzojë përkujdesje më të madhe institucionale dhe, njëherë e mirë të bëhet restaurimi i objekteve të oborrit të Jasharajve që duhet të marrin formën e merituar të një vendi pelegrinazhi ku përjetë e mot mësohet e vërteta e flijimit!”, shton Zogaj.

Rrëfimi tronditës i Besarta Jasharit

Nëse rikthehemi pak në kohë, kujtojmë se më 5 mars 1998 forcat e shumta terroriste të policisë dhe të ushtrisë serbe me mjete të blinduara kishin shpërthyer rrethojën e Fabrikës së Municionit të Gjuetisë në Skënderaj dhe janë vërsulur drejt shtëpive të familjes Jasharaj.

Paraprakisht lagjja Jasharaj ishte djegur në flakë, shtëpitë ishin të rrënuar, por meqë ishte vënë një rreth i hekurt, nuk kishte mundësi as të hynte as të dilte dikush prej atij shtetrrethimi.

Flitej se në Prekaz kishin hyrë këmbësoria nëpër familje duke masakruar njerëz që kishin mbetur nëpër shtëpi. Qytetarë të shumtë ishin evakuuar edhe nga Galica.

Në ditën e parë të sulmit mbi familjen Jashari, filloi një betejë e fuqishme kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. E gjithë familja e Adem Jasharit filloi luftimet pa asnjë kompromis e përgatitur për të bërë rezistencë deri në vdekje.

Sipas rrëfimit të Besarta Jasharit, dëshmitare e kësaj Epopeje, “ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. Atë ditë, u vra vetëm Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat e mbushura me armatim.

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht më 6 mars 1998, luftimet sipas rrëfimit të Besartës filluan kështu, “Që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat.

Granatimet vazhduan të jenë edhe më të fuqishme ndërsa nga copat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ademi e Hamza së bashku me djemtë e familjes rezistonin në pozicionet e tyre. Më tragjikja ka qenë një granatë e cila i ra podrumit dhe e çau atë në dy pjesë, duke e shkatërruar atë.

Ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve tjerë të familjes tonë. Nga kjo granatë dhe disa të tjera që u hodhën rresht, nga plagët e marra vdiqën edhe Hidajetja, vajza e Rifatit dhe motra ime Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Të gjallë ende ishin Besimi, Kushtrimi dhe Adem, që luftonin nga një pozicion në tjetrin”, ka rrëfyer ajo.

Nga kjo mund të kuptohet se beteja vetëm sa po përshkallëzohej edhe më shumë, edhe përkundër dëmeve që po shkaktoheshin dita ditës.

Në ditën e tretë të sulmit, më 7 mars 1998, që konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së, nga Besarta përshkruhen edhe momentet e fundit dhe kryesore për luftimet në shtëpinë e Jasharajve.

Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit 20 anëtarë, 10 prej të cilëve fëmijë.

Haziri: Kujtimi për këta heronj dhe heroina është mesazh për brezat që vinë

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se Epopeja e UÇK-së është vlerë sublime e historisë së re të Kosovës.

Kujtimi i heronjve dhe heroinave, sipas Hazirit, është mesazh për brezat që vinë pas.

Image
Nexhat Haziri

“Është vlerë sublime e historisë së re të Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi. Dhe ky kapitull i historisë, i luftës së UÇK-së për liri, do të duhej të kujtohet se liria është e shenjtë, është paguar me gjakun e djemve dhe vajzave më të mira të popullit tonë. Dhe kujtimi për këta heronj dhe heroina është mesazh për brezat që vinë pas nesh për ruajtjen e lirisë me çdo çmim, zhvillimin e vendit dhe të demokracisë për ta bërë një vend të mirëqenë për qytetarët”, vlerëson Haziri.

Beteja e 5 , 6 dhe 7 marsit në Prekaz, nga distanca kohore dhe aspekti historik mbyll një kapitull të dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës, dhe fillon një etapë e re. Ajo përkujtohet si beteja që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve, që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve dhe që frymëzoi çdo atdhetar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat