Paralajmërimi i frikshëm për planin franko-gjerman/ Kështu do të nisë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë

Politika

Paralajmërimi i frikshëm për planin franko-gjerman/ Kështu do të nisë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 5 mars 2023 Në ora: 19:02
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, projekti franko-gjerman nuk i jep fund konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë, ani pse një projekt i tillë është pranuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Projekti franko-gjerman nuk i jep fund konfliktit shqiptaro-serb, ose me mirë të themi Kosovë-Serbi, sepse Shqipëria prej dhjetë vitesh e ka bere pajtimin publik, substancial e vëllazëror me Serbinë dhe me serbët! Ky plan jep një zgjidhje të ndërmjetme dhe synon ruajtjen e ekuilibrave të paqes e stabilitetit. Nuk parashikon njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë e kështu me radhë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Siç thotë ai, statusi Kishës Ortodokse Serbe është një prej tyre temave me sensitive që duhet të sqarohet para nënshkrimit të planit franko-gjerman.

“Prandaj dhe mbeten shume çështje për t’u zgjidhur në të ardhmen. Statusi Kishës Ortodokse Serbe është një prej tyre temave me sensitive. Gjithmonë kishat janë pavarësuar disa ose shumë kohe pas pavarësimit të shteteve. Sidomos kisha ortodokse e cila është e decentralizuar. Kështu ka ndodhur me të gjitha shtetet që kanë dale nga ish-Jugosllavia. Eksperiencat e të tjerëve duhet të na bëjnë më të pjekur për të parandaluar konfliktet e mëtejshme. Prandaj dhe zyrtarizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka një domethënie të veçantë”, thekson Bytyçi.

Më tej, Bytyçi ka treguar edhe arsyen pse mund të nis një konflikt i ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Enver Bytyçi

“Çështja shtrohet nëse do të ketë autoritet Sinodi dhe Patriarkana e Serbisë në Kosovë, te kishat dhe manastiret serbe atje?! Apo Kisha Ortodokse e Serbëve në Kosovë do të ketë status të vetin, të pavarur e autonom. Ky është thelbi i diskutimit dhe konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës dhe pasi që të jetë firmosur plani franko-gjerman, këtu do të nisë konflikti midis të dy vendeve dhe shteteve. Serbia do të këmbëngulë që kishat dhe manastiret serbe në Kosovë të kenë varësi direkte të Kisha e Beogradit. Madje dhe që pronar i territorit të këtyre kishave dhe manastireve të jetë Kisha Ortodokse e Serbisë”, deklaron profesor Bytyçi.

Ai thotë se ky debat do ta përfshijë Kosovën dhe Serbinë e do ta intrigojë BE-në në të ardhmen.

“Por kam përshtypjen se aktualisht në Beograd janë të zënë me dilemën nëse duhet pranuar ose jo plani i franko-gjermanëve si dhe me përpjekjet për të krijuar një republikë Srpska në Kosovë me emrin Zajednicë. Nuk po nguten të hapin frontin e statusit të Kishës. Po taktizojnë me modelin e marrjes një e nga një të kërkesave politike që shtrojnë. Politika dhe diplomacia serbe nuk dëshiron që të hapë një problem tjetër, pa mbyllur në interesin e saj aksionin politik e ultranacionalist të radhës kundër Kosovës”.

Sipas Bytyçit, nuk do duhet të lejohet që statusi i ardhshëm i Kishës Ortodokse në Kosovë të ruajë varësinë e saj hierarkike me atë të Beogradit.

“Megjithatë projekti që është në duart e palëve për nënshkrim e ka përmendur edhe çështjen e statusit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë. Ndërkohë që mbrojtja e trashëgimisë fetare e kulturore të Serbisë në Kosovë është detyrim i institucioneve të saj, ruajtja e autoritetit të KOS në Kosovë nuk është detyrim, sipas kësaj marrëveshjeje. Çfarë do të bëhet? Nëse do të kemi një qeveri, president dhe institucione shqiptare me orientim e vlera europiane, nuk do të lejohet që statusi i ardhshëm i Kishës Ortodokse në Kosovë të ruajë varësinë e saj hierarkike me atë të Beogradit. Do të ruhen marrëdhëniet, do të lejohen veprimtaritë e përbashkëta, por jo edhe që autoriteti i Kishës së Beogradit të shtrihet te Kisha e Kosovës”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, ai tregon se si duhet të veprohet me statusin e Kishës Serbe në Kosovë.

“Ky është parimi. Por Serbia dhe Beogradi do të këmbëngulin në faktin se të besimit ortodoks në Kosovë na qenkan vetëm serbët dhe jo shqiptarët. Atëherë u duhet thënë se të besimit ortodoks nuk janë vetëm serbët, por edhe malazezët dhe pakica të tjera aty. Kjo bën që të hidhet poshtë “argumenti“ serb. Modeli i pavarësimit të Kishës së Malit të Zi është një eksperiencë e mirë edhe për Kosovën. Por me kusht që në Kosovë të mos ketë Abazoviç. Pra që politika e Kosovës të shkëputet nga varësia e Beogradit. Por nëse në Kosovë do të ketë qeveri kuislinge të Beogradit, atëherë ajo qeveri do t’u thotë serbëve „Hajde ta formojmë një zajednicë etnike e madje edhe fetare në Kosovë“! E në fund do t’u thotë serbëve se ju keni të drejtë të shkëputeni nga territori i shtetit tonë. Se në pjesën që do të mbetet do t’ia bashkojmë Shqipërisë. E më pas do të dalin e të shpallen heronjtë e “Bashkimit Kombëtar“, por me territore të humbura!”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Për fund, ai shprehet se duhet eliminuar termi Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.

“A nuk u hoq edhe Baton Haxhiu nacionalist me idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke e ndarë Kosovën me Serbinë?! Kështu do të ndodhë edhe me ata që do të mund të nënshkruajnë potencialisht një marrëveshje, ku statusi i Kishës Ortodokse të Kosovës do të përcaktonte varësinë e kësaj kishe te kisha serbe. Duhet eliminuar termi Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Duhet përdorur vazhdimisht vetëm termi Kisha Ortodokse e Kosovës. Duhet pasur kujdes në nënshkrimin e marrëveshjeve për pronat. Ato marrëveshje duhen nënshkruar vetëm me subjektet përkatëse fetare në Kosovës, p.sh manastirin e Deçanit, Kishën Ortodokse të Graçavicës etj”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat