Vuçiq synon ndryshimin e pikës 4 të planit franko-gjerman, kërkohet vëmendje nga Kurti – ja çfarë ndodh nëse realizohet kjo gjë!

Politika

Vuçiq synon ndryshimin e pikës 4 të planit franko-gjerman, kërkohet vëmendje nga Kurti – ja çfarë ndodh nëse realizohet kjo gjë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 mars 2023 Në ora: 08:07
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan me 27 shkurt në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak

Në qendër të tryezës së diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, që u titullua “Marrëveshje drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.

Pas përfundimit të takimeve, palët deklaruan se u arrit marrëveshja, por që nuk kishte nënshkrim të dokumentit për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, që do të kërkojë me shumë bisedime.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të punojë në shumë gjëra që dalin nga propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ai shtoi se nuk do të bisedojë për “njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

I pyetur gjatë një interviste për nenin që thotë se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Vuçiq tha: “Prandaj nuk e nënshkrova [propozimin evropian]”.

Kësisoj, presidenti serb e kundërshtoi hapur pikën 4 të planit franko-gjerman, në të cilën thuhet:

“Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Analistët për “Bota sot” komentuan këtë qëndrim të presidentit serb dhe parashikuan se çfarë mund të ndodhë me vazhdimësinë e dialogut, në rast se plotësohet kërkesa e Vuçiq për largimin e pikës 4.

Zogaj: Kosova nuk ka kohë për pritje, por në bashkëveprim me bashkësinë ndërkombëtare të ec përpara!

Image
Opinionisti Skënder Zogaj

Opinionisti Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” tha se presidenti serb nuk dëshiron t’i zgjidh problemet me Kosovën.

Sipas tij, Vuçiq po negocion me shtetin tonë në Bruksel, vetëm pas presionit që po i bëhet nga bashkësia ndërkombëtare.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq që nga dita e parë e pranimit të dialogut nuk ka hy në bisedime për të gjetur zgjidhje të problemeve dhe normalizim të marrëdhënive serbo- shqiptare, por ka qenë i detyruar që t'i pranoj bisedimet nga presioni ndërkombëtar. Në këtë situatë, Vuçiqi ka hy në dialog me strategjinë për të zhaguar bisedimet deri në pafundësi, me shpresën e krijimit të ndonjë situate të volitshme për të mbajtur status quon, e besa edhe për ta sulmu dhe rianeksu Kosovën! Kjo është ëndrra serbe qe 23 vjet dhe kësaj ëndrre i ka shërbyer mjaft mirë. Vuçiqi, që e po e mban Kosovën peng edhe sot”, deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, Zogaj me mos pranimi i nënshkrimit të planit franko-gjerman, Vuçiq është thjeshtë një lojë e tij, të cilës Kosova nuk duhet të merret me atë, por më bashkësinë ndërkombëtare.

“Këtë stil loje po e luan edhe aktualisht, pas pranimit të planit në Bruksel, por të refuzimit të pikës 4 në Beograd! Këtë do ta bëjë edhe në vazhdim, mirëpo, Kosova nuk ka pse merret me Vuçiqin. Kosova duhet të ndjek interesat e veta: e ka pranuar planin evropian dhe, duhet të shpejtoj në realizimin e tij. Kosova nuk ka kohë për pritje, por në bashkëveprim me bashkësinë ndërkombëtare të ec përpara! Kjo është e duhura sepse kështu i sosen gënjeshtrat Serbisë, e cila e zbaton duke kënduar jo vetë pikën katër, por edhe të gjitha të tjerat duke pyetur a ka më”, theksoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti tha se shteti serb vetëm po përpiqet të përfitojë sa më shumë, kësisoj Kosova duhet që edhe më shumë të punojë dhe të mos lejohet cenimi i saj.

“Ne nuk kemi nevojë të shohim se çka bën e çka flet Serbia, e cila normalisht që përpiqet të përfitojë sa më shumë, por në duhet të punojmë

shumë e të zotërojmë vendin tonë cep më cep. Ky është misioni historik dhe, nuk guxon të cenohet nga askush, e më së paku nga lakmia për pushtet”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Kelmendi: Kosova nuk derdhi gjak që tash të ndahet e të copëtohet nga Serbia

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi tha se propozimi evropian mund të fillojë zbatimin vetëm pasi të nënshkruhet.

Image
Profesori Muhamet Kelmendi

Sipas tij, refuzimi i nenit 4 nga Vuçiq është akt i mos aprovimit të marrëveshjes ndërkombëtare.

“Plani franko-gjerman apo evro-amerikan mund dhe futet në zbatim me marrëveshje konkrete vetëm me nënshkrimin e marrëveshjeve nga të dy palët. Marrëveshja e tillë pas nënshkrimit shtrohet në Kuvend për diskutim dhe aprovim, kundër ka mundësi të paditet në Gjykatën Kushtetuese.

Ky është përfundimi dhe arritja e pikës ku një marrëveshje ndërkombëtare bëhet obligative për shtetet nënshkruese. Refuzimi i një pikë nga marrëveshja është akt i mos aprovimit të marrëveshjes ose të planit me karakter ndërkombëtar. Natyrisht se Kosova duhet të përcjellë me vëmendje hapat e palës tjetër, të shtetit serb”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Kelmendi tha se refuzimet e neneve dhe kërkesa për ndryshime të planit evropian janë lojëra të shtetit serb, ku qëllim kryesor kanë dëmtimin e Kosovës.

Ai kërkoi që në asnjë mënyrë të mos lejohet ndryshimi apo largimi i nenit 4, pasi dëmtohet rëndë shteti ynë.

“Serbia ka arritur që gradualisht me lojërat e tilla t'i heq apo t'i fus në diskutim dhe në aprovim çështjet shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës. Çështja e tillë ishte futja në thonjëza e Kosovës pasi që u shpall shtet me 2008. Arriti tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe. E kërkoi dhe Kosova lëshoi në formimin e gjykatës dhe të prokurorisë serbe. U vu policia nën komandën e veriut dhe u ndërtua për veri Gjykata e Apelit.

Edhe në raport me subjektet e jashtme bëri punë shteti serb. Nëpër disa organizata të OKB-së nuk është subjekt Kosova.

Serbia ka arritur të jetë subjektivitet ndërkombëtar edhe për Kosovën në OKB, çështjet e tilla vazhduan, ku me veprimet taktike serbe u arrit të kufizohet sovraniteti i shtetit të Kosovës.

Tash është në plan edhe Asociacioni. Dhe, nëse kufizohet, hiqet a ndryshohet pika e katërt e planit franko-gjerman, de-fakto nuk ka me Kosova subjektivitet ndërkombëtar. Këtë nuk duhet lejuar”, theksoi profesori.

Më tej, kërkoi vëmendje të madhe nga udhëheqësit e Kosovës, që të mos pranohet ndryshimi i planit franko-gjerman.

“Çdo intervenim në plan kërkohet të përcillet me vëmendje nga Kosova dhe mos të pranohet ndonjë ndryshim. Kuptohet se shumë çështje në plan që janë paraparë dhe që i pranoi z. Kurti janë kundër interesave të shtetit të Kosovës. Duhet këtu të përmendim të drejtën që rrjedhimisht del për minoritetin serb në vetëqeverisje dhe në vetëvendosje”, potencoi Kelmendi.

Në fund, profesori tha se në rast se pranohet kërkesa e Serbisë për nenin 4, atëherë gjithsesi duhet të kërkohet përfshirja e njohjes reciproke në marrëveshje.

“Tash, kërkohet të refuzohet me ashpërsi çdo ndryshim i planit dhe, nëse kërkesa serbe për pikën katër realizohet, kërkohet të futet domosdo njohja reciproke dhe në asnjë mënyrë mos të pranohet kërkesa serbe për ndryshimin e pikës katër në raport me jashtë.

Kërkesa serbe i tejkalon tërë kufijtë e vendosur. E bënë marrëveshjen juridikisht të papranueshme dhe natyrisht se çdo ndryshim ndikon në subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.

Kërkohet qartësi dhe refuzim i çdo intervenimi në material, nëse edhe kjo ndryshon, kërkohet refuzim i tërësishëm i planit. Kosova nuk luftoi dhe nuk derdhi gjak që tash të ndahet dhe të copëtohet apo të vihet nën kontrollin serb. Kjo nuk është ardhmëri, populli shqiptar derdhi gjak për liri, për pavarësi dhe për sovranitet e për shtet. Këtu nuk ka lëshime nga Republika e Kosovës”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat