“Epopeja e UÇK-së është flakaresh e fortë edhe ndaj tradhtarëve të Kosovës”

Politika

“Epopeja e UÇK-së është flakaresh e fortë edhe ndaj tradhtarëve të Kosovës”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 mars 2023 Në ora: 19:05
Epopeja e UÇK-së

Më 5 mars ka filluar Epopeja e UÇK-së që këtë vit ka shënuar 25 vjetorin e rënies së familjes heroike në Prekaz.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur ceremoni solemne për nder të “Epopesë së UÇK-së”, ku prezent ishte edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifati ku ka kërkuar unitet në përballej me Serbinë.

Jashari ka thënë se i gjithë spektri politik duhet të jetë bashkë që “të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia”.

“Duke i falënderuar SHBA-në, bijat dhe bijtë tanë, ne sot kemi arrit këtu jemi të lirë që t’i qajmë hallet me njeri tjetrin. SHBA dhe shtetet mike i kemi prape para nesh. I falënderoj nënat e dëshmorëve, veteranët invalidët të gjithë juve. Lavdi e nder të gjithë atyre që ranë. Këtu është Kuvendi që merren vendimet për të ardhmen e vendit, ju kisha preferuar që të jeni në një anë të gjithë e që të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, analisti politik, Rexhep Torte thotë se kjo ngjarje tregon shpirtin atdhetar e liridashës kombëtar shqiptar kundër serbëve që janë armiku shekullor më i rrezikshëm dhe më gjakatar i kombit shqiptar.

“Epopeja e UÇK-së në Prekaz dhe mesazh i saj dje, sot dhe nesër. Epopeja e UÇK-së, përkatësisht epopeja e Familjes Jashari në Prekaz është ngjarje e dhembshme, por në të njëjtën kohë është edhe ngjarje krenare dhe e lavdishme e Familjes së Jasharajve, e Kosovës dhe e mbarë shqiptarëve. Kjo ngjarje shembëllen shpirtin atdhetar e liridashës kombëtar shqiptar kundër serbëve, që janë armiku shekullor më i rrezikshëm dhe më gjakatar i kombit shqiptar. Epopeja e UÇK-së e Familjes Jashari në Prekaz në historinë e lavdishme të kombit shqiptar është skalitur me shkronja graniti në historinë e kombit shqiptar dhe është shembulli më i mirë në kohën që po jetojmë, që dëshmon trimërinë, guximin dhe sakrificën shqiptare në mbrojtje të pragut të shtëpisë shqiptare, në mbrojtje të nderit dhe fisnikërisë shqiptare, të mbrojtjes së atdheut dhe të trojeve shqiptare”, deklaron Torte.

Sipas tij, Epopeja e UÇK-së tregon se sa qyqarë, sa mizorë dhe sa frikacakë janë serbët.

“Epopeja e UÇK-së e Familjes Jashari në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kur kjo familje atdhetare heroike u rrethua nga forca të shumta ushtarake e policore serbe të armatosura gjer në dhëmbë dhe të shoqëruara me tanke e autoblinda, dëshmoi shembullin e një rezistence të fuqishme sypatrembur kundër një armiku numerikisht shumë më të madh dhe shumë më të armatosur. Në këtë betejë të pabarabartë me armikun ranë heroikisht 55 dëshmorë të lagjes së Jaharajve, prej tyre 22 të Famijes Jashari me në krye heroin legjendar Adem Jashari. Epopeja e UÇK-së së Familjes Jashari tregoi se sa qyqarë, sa mizorë dhe sa frikacakë janë serbët, ku me tërë atë numër ushtarësh e policësh dhe me tërë atë arsenal të madh armatimi sulmuan dhe luftuan me Familjen e Jasharajve. Epopeja e UÇK-së e Familjes së Jasharajve do të mbetet brez pas brezi frymëzim dhe inspirim mbarë kombëtar shqiptar, dhe shembull edukimi si duhet të mbrohet atdheu dhe si duhet të sakrifikohet për lirinë e pavarësinë”, vazhdon analisti.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Me 5 mars bëhen 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Torte, Epopen e Jasharajve e konsideron frymëzim kombëtar shqiptar, gjersa shton se ajo rriti maksimalisht gatishmërinë e mërgatës shqiptare në botë që të kontribuojnë në financimin e UÇK-së.

“Epopeja e UÇK-së e Familjes Jasharaj në Prekaz bëri jehonë të madhe edhe në arenën ndërkombëtare, duke pasqyruar guximin dhe heroizmin e Familjes Jashari dhe të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi nga Serbia okupuese. Epopeja e UÇK-së e Familjes Jashari në Prekaz, u bë frymëzim mbarë kombëtar shqiptar për shtimin e numrit të ushtarëve dhe të ardhurave të UÇK-së, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe nga mërgata shqiptare. Epopeja e UÇK-së e Familjes Jashari në Prekaz, e rriti maksimalisht gatishmërinë e mërgatës shqiptare në botë që të kontribuojë në financimin e UÇK-së nëpërmjet Fondit të 3 përqindëshit dhe nëpërmjet “Vendlindja Thërret”. Pamjet e tmerrshme shkatërruese të shtëpive të Familjes Jashari pas tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbë, ishin dëshmi për sulmet e ashpra të ushtrisë dhe të policisë serbe, dhe për rezistencën e fuqishme dhe admiruese të anëtarëve të Familjes Jashari. Pas përfundimit të kësaj beteje erdhi në shprehje solidariteti i shqiptarëve të Kosovës, por edhe i mbarë shqiptarëve për identifikimin dhe varrimin dinjitoz të secilës nga 55 kufomat e kësaj Epopeje të lavdishme të UÇK-së. Përveç heroit legjendar Adem Jashari dhe burrave tjerë të Familjes Jashari rezistencë benë edhe gratë dhe fëmijët e Jasharajve. Jehona dhe vlera historike e kësaj Epopeje të lavdishme të UÇK-së në Prekaz nuk do të shuhet kurrë. Kjo Epope e lavdishme e UÇK-së e Familjes Jashari do të jetë si flakadan në forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptarë dhe si udhëzim të secilin atdhetar veç e veç dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Kjo Epope e lavdishme e UÇK-së e Familjes Jashari sot, nesër dhe gjatë tërë historisë së kombit shqiptar do të shërbejë si shembull edukativ për çelnokosjen dashurinë që duhet ta kemi për atdheun dhe për sakrificën që duhet ta bëjmë për mbrojtjen e atdheut, të lirisë së Kosovës dhe të lirisë sonë mbarë kombëtare shqiptare”, ka vazhduar Torte.

Image
Rexhep Torte

Ai thotë se ajo është flakaresh e fortë ndaj tradhtarëve të Kosovës.

“Epopeja e UÇK-së e Familjes Jashari është flakaresh e fortë edhe ndaj tradhtarëve të Kosovës. Për fat të keq edhe në këtë Epope të lavdishme të UÇK-së së Familjes Jashari, ka patur individë jashtë kësaj familje heroike, të cilët nuk i kanë dalë në ndihmë Familjes Jashari gjatë kësaj Epopeje. E kam shikuar e dëgjuar personalisht një reportazh për këtë Epope të lavdishme në një emision të RTK-së, kur një banor mbijetuar i kësaj Epopeje në Prekaz, rrëfente se Adem Jashari gjatë luftimeve ndjehej tejet i dëshpëruar nga bashkëluftëtarët e tij, të cilët nuk vajtën lartë te bunkeri ku kishte armë e municine, për ta rritur rezistencën ndaj ushtrisë dhe policisë serbe. Për fat të keq kjo hallkë e tradhtisë u manifestua më vonë edhe me vëllavrasjet tinzare mes radhëve të UÇK-së për supremaci në pushtetin komandues. Kjo tradhti vëllavrasëse u manifestua edhe më shumë pas çlirimit e pavarësimit të Kosovës, nëpërmjet vëllavrasjeve të kundërshtarëve politikë për pushtet, nëpërmjet vrasjes së gazetarëve për fjalën e vërtetë dhe nëpërmjet pasurimit multi milionësh me hajni e korrupsion të ish komandantëve të UÇK-së në Kosovën e lirë e të pavarur”, pohon analisti.

Ai përmend ish- krerët qeverisës, sesi nuk kanë qenë të mirëseardhur në odën e familjes Jashara, gjersa shton se faqja zezë që do të shkruhet në historisë tonë kombëtare shqiptare, është se ish komandantët e UÇK-së e hedhën lavdinë për tradhtinë, pushtetin, hajninë, korrupsionin dhe pasurinë.

“Hashim Thaçi si ish kryeministër dhe ish president i Kosovës dhe si ish kryetar i PDK-së, si edhe Ramush Haradinaj si ish kryeministër dhe kryetar i AAK- së, dhe ish komandantë tjerë të UÇK-së, i kemi shikuar nëpër ekranet televizive duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, por nuk kemi dëgjuar asnjëherë të kenë qenë të mirëseardhur e ta pinë një filxhan kafe në odën e Familjes Jashari. Funksionarët shtetërorë dhe partiake dhe të tjerët kushdo qofshin, duhet ta respektojnë etikën morale dhe karakterin njerëzor, që homazhet t’i bëjnë me një pastërti dhe dinjitet të kulluar shpirtëror, e jo për propagandë e për politikë ditore. Shembulli i heroit legjendar Adem Jashari dhe i Familjes Jashari duhet të troket fuqishëm në vazhdimësi në ndërgjegjen dhe në vetëdijen tonë kombëtare shqiptare”, thekson Torte.

Torte ka folur edhe rreth Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, duke thënë se është lënë pa përkujdesjen e duhur nga qeveritë.

Sipas tij, ai Kompleks duhet të vezullojë e shkëlqej në të gjitha anët.

“Kompleksi Memorial “Adem Jashari” i lënë pas dore. Është e pafalshme dhe e turpshme që Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, tashmë 20 vite është lënë pa përkujdesjen e duhur nga qeveritë e derisotme. Kjo përbën pa përgjegjësi dhe tradhti kombëtare. Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është pasqyra e jonë kombëtare shqiptare. Ky kompleks memorial shpalos shembullin më të dhembshëm, por edhe më të lavdishëm të rezistencës sonë kundër Serbisë gjenocidiale, dhe domosdoshmërisht duhet ta ruajë çdo detaj të rezistencës dhe çdo detaj të shkatërrimit nga ushtria dhe policia e Serbisë gjenocidale. Ky kompleks Memorial “Adem Jashari” në Prekaz duhet të vezullojë e shkëlqejë në të gjitha anët. Kjo edhe për vetë faktin se këtë Kompleks Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e vizitojnë një numër i madh i shqiptarëve, i turistëve dhe i delegacioneve ndërkombëtare”, përfundon Torte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat