Plani franko - gjerman dhe lojërat e Serbisë - Juristi: U vunë në diskutim çështje shumë të dëmshme për Kosovën  

Politika

Plani franko - gjerman dhe lojërat e Serbisë - Juristi: U vunë në diskutim çështje shumë të dëmshme për Kosovën  

Nga: A.SH Më: 6 mars 2023 Në ora: 22:53
Scholz, Albin Kurti, Vuçiqi dhe Macron

Në takimin e 27 shkurtit mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e emisarëve evropan u dakordua për pranimin e planit evropian.   

Kosova, madje edhe zyrtarisht e pranoi këtë plan, që tani po kundërshtohet nga opozita. 

Opozita po e kundërshton planin evropian me arsyetimin se një ndër 11 nenet e përshkruara aty nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

Profesori dhe njëherit juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kjo marrëveshje duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për aprovim, madje sipas tij, ka mundësi edhe të paditet në Gjykatën Kushtetuese.  

Më tej, profesori nënvizon se Serbia ka arritur që me lojërat e saj të fusë në diskutim çështjet shumë të dëmshme për Kosovë.  

“Plani franko-gjerman apo euro-amerikan mund dhe futet në zbatim me marrëveshje konkrete vetëm me nënshkrimin e marrëveshjeve nga të dy palët. Marrëveshja e tillë pas nënshkrimit shtrohet në Kuvend për diskutim dhe aprovim. Në të kundërtën ka mundësi të paditet në Gjykatën Kushtetuese. Ky është përfundimi dhe arritja e pikës ku një marrëveshje ndërkombëtare bëhet obligative për shtetet nënshkruese.  

Refuzimi i një pike nga marrëveshje është akt i mos aprovimit të marrëveshjes a të planit me karakter ndërkombëtar. Natyrisht se Kosova duhet të përcjellë me vëmendje hapat e palës tjetër, të shtetit serb.  

Serbia ka arritur që gradualisht me lojërat e tilla t'i heq apo t'i fus në diskutim dhe në aprovim çështjet shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës. Çështja e tillë ishte futja në thonjëza e Kosovës pasi që u shpall shtet me 2008. Arriti tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe. E kërkoi dhe Kosova lëshoi në formimin e gjykatës dhe të prokurorisë serbe. U vu policia nën komandën e veriut dhe u ndërtua për veri Gjykata e Apelit.  Edhe në raport me subjektet e jashtme bëri punë shteti serb. Nëpër disa organizata të OKB-së nuk është subjekt Kosova.  

Serbia ka arritur të jetë subjektivitet ndërkombëtar edhe për Kosovën në OKB. Çështjet e tilla vazhduan. Me veprimet taktike serbe u arrit të kufizohet sovraniteti i shtetit të Kosovës”, thotë ai.  

Sipas tij, një çështje e dëmshme për Kosovën është edhe Asociaiconi. 

“Tash është në plan edhe Asociacioni. Dhe, nëse kufizohet, hiqet a ndryshohet pika e katërt e planit franko-gjerman, de-fakto nuk ka më Kosova subjektivitet ndërkombëtar. Këtë nuk duhet lejuar. Çdo intervenim në plan kërkohet të përcillet me vëmendje nga Kosova dhe mos të pranohet ndonjë ndryshim. Kuptohet se shumë çështje në plan që janë paraparë dhe që i pranoi z. Kurti janë kundër interesave të shtetit të Kosovës. Duhet këtu të përmendim të drejtën që rrjedhimisht del për minoritetin serb në vet-qeverisje dhe në vetëvendosje. Një çështje tjetër është mos mundësia e organeve të Kosovës për të zhbërë Asociacionin nëse është domosdoshmëri, sikundër që është edhe koncentrimi i kompetencave të komunave në një organ vertikal të udhëheqjes në Asociacion. Ka edhe çështje tjera që duhet pasur parasysh gjatë kohës së bërjes së marrëveshjeve për zbatim", thotë ai.   

Në fund, ai shton se kërkesat të cilat janë në dëm të Kosovës, duhet të refuzohen, duke deklaruar se duhet të kërkohet me ngulm që të futet njohja reciproke.  

“Tash, kërkohet të refuzohet me ashpërsi çdo ndryshim i planit dhe, nëse kërkesa serbe për pikën katër realizohet, kërkohet të futet domosdo njohja reciproke dhe në asnjë mënyrë mos të pranohet kërkesa serbe për ndryshimin e pikës katër në raport me jashtë. Kërkesa serbe i tejkalon tërë kufijtë e vendosur. E bënë marrëveshjen juridikisht të pa pranueshme dhe natyrisht se çdo ndryshim ndikon në subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.  

Kërkohet qartësi dhe refuzim i çdo intervenimi në materie. Edhe ashtu plani ka anë shumë të dëmshme për Kosovën dhe edhe të pakapshme politiko-juridikisht. Nëse edhe kjo ndryshon, kërkohet refuzim i tërësishëm i planit. Kosova nuk luftoi dhe nuk derdhi gjak që tash të ndahet dhe të copëtohet apo të vihet nën kontrollin serb. Kjo nuk është ardhmëri. Populli shqiptar derdhi gjak për liri, për pavarësi dhe për sovranitet e për shtet. Këtu nuk ka lëshime nga Republika e Kosovës”, përfundoi ai për “Bota sot”.  

Kujtojmë, se takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat