Vjen përkrahja për Kurtin: Ky është plani më i mirë që i është ofruar Kosovës përballë Serbisë!

Politika

Vjen përkrahja për Kurtin: Ky është plani më i mirë që i është ofruar Kosovës përballë Serbisë!

Nga: A.M. Më: 7 mars 2023 Në ora: 11:51
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut pritet të mbahet më 18 mars në Ohër..

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të pajtohen për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

Diskutimi për planin franko-gjerman konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” planin franko-gjerman e cilësoi si propozimin më të mirë gjatë gjithë periudhës së bisedimeve Kosovë-Serbi.

Sipas tij, Kosova për herë të parë po trajtohet e barabartë me shtetin serb.

“Sa i takon propozimit të Bashkimit Evropian, në shumicën e pikave dhe ato më kryesoret, është plani më i mirë i deritanishëm në më se 11 vitet e dialogimit pothuajse, fare pa efekte pozitive për Kosovën, me ndërmjetësimin e BE-së, në bisedimet maratonike të zhvilluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë hegjemoniste.

Me planin franko-gjerman, Kosova, për herë të parë, trajtohet si shtet me të drejta të barabarta, me Serbinë, njihen dokumentet, territori dhe kufijtë e shtetit tonë edhe nga Serbia, pra siç po thuhet publikisht, ky plan përveç marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë, ofron njohje de fakto të shtetit të pavarur të Kosovës”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Qarri u shpreh se me këtë propozim Serbia u detyrua të heq dorë nga propagandat të cilat nuk e lejuan Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

Kurse, për Asociacionin tha se është çështje e brendshme e Kosovës, të cilën do ta rregullojë qeveria jonë me aleatët ndërkombëtar.

“Ky është plani i parë që Kosovën dhe Serbinë i trajton si dy shtete të barabarta e sovrane, fakt me shumë rëndësi për Kosovën, Serbia detyrohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa çështja e Asociacionit mbetet çështje e brendshme e Kosovës, dhe nëse vije deri te formimi, duhet të ndodhë në bashkëpunim të Qeverisë së Kosovës me komunat të cilat pretendojnë të jenë pjesë e asociacionit.

Kjo nuk mund të zhvillohet ndryshe, pasi që ne edhe sipas planit franko-gjerman, jemi shtet i pavarur, dhe po ashtu edhe sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare, çështjet tona të brendshme, si vend i lirë, i rregullojmë vet, në bashkëpunim me miqtë dhe faktorin ndërkombëtar, pa i lejuar një shtetit të tretë, si Serbia hegjemoniste e cila ka edhe pretendime territoriale ndaj vendit tonë, të përzihet në këto çështje”, nënvizoi ai.

Më tej, analisti e konsideroi me fat Kosovën që ka shtete mike që e ndihmojnë në ditë të vështira.

Në këtë rast, përmendi Britaninë e Madhe.

“Shto kësaj edhe argumentin politik se në propozimin e BE-së, është futur edhe reciprociteti, akt që luan rol të pazëvendësueshëm në trajtimin e barabartë të pakicave relevante kombëtare në të dy shtetet.

Madje për fatin e madh të Kosovës, miqtë e saj të mirë, sërish po e tregojnë veten, në ditë të vështira për vendin tonë, e pikërisht sa i takon Asociacionit kundërkushtetues një etnik serb, fatbardhësisht kjo ngrehinë e shpifur, e paqenë kurrë në trojet tona, ka filluar të kundërshtohet hapur edhe nga vendet e dëshmuara si miket tona të sinqerta si Britania e Madhe e cila, është njëra ndër shtetet e para, që ka deklaruar decidivisht se ata nuk e mbështet formimin e “Republikës Srpska” në Kosovë”, potencoi Qarri.

Ndër të tjera, shtoi se pavarësisht që Asociacioni përfshihet në mënyrë të tërthortë në planin franko-gjerman, Qeveria e Kosovës nuk duhet të nxitojë në themelimin e tij.

“Kështu që Kosova me gjithë imponimin për dakordim deklarativ me propozimin e BE-së, duke pasur parasysh faktin se asociacioni edhe në propozimin e BE-së, apo siç njihet ndryshe, plani franko-gjerman, figuron në pikën e 10-të, pra ka 9 pikë para tij, që si shtet i brishtë dhe ri, Kosovës i duhet mjaft kohë për ta bërë implementimin e tyre, para se të arrij te çështja fragjile e asociacionit, ndaj dhe nuk duhet të shpenzojë kohë as energji dhe të ngutet për "krijimin" tij.

Madje vet Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Parlamentit Britanik, Alicia Kerans, ka deklaruar publikisht se "asociacioni", jo vetëm që nuk ul tensionit, as nuk e forcon unitetin, por përkundrazi, formimi i tij, do të çonte në konsolidimin e etnonacionalizmit, gjë që do të rriste tensionet në gjithë Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat