Plani franko- gjerman, analisti tregon çfarë duhet të ofrojë, ja strategjia e ndërmjetësuesve

Politika

Plani franko- gjerman, analisti tregon çfarë duhet të ofrojë, ja strategjia e ndërmjetësuesve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 mars 2023 Në ora: 16:27
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Jeffrey Hovenier, Aleksander Vuçiq

Dialogu Kosovë- Serbi dhe plani evropian për normalizim të marrëdhënieve, janë shkas i reagimeve të shumë vendeve, duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromis.

Në ditën e martë, një thirrje të atillë ka bërë Gjermania, ku ambasadorja e Gjermanisë në Beograd, Anke Konrad, ka thënë se palët duhet bëjnë kompromise që të ecin në rrugën përpara drejt BE-së.

“Unë nuk mendoj se dikush do të thotë – nëse nuk tregoni rezultate deri më 18 mars se është fundi. Nuk është. Ne kemi punuar në diskrecionin e normalizimit të marrëdhënieve për një kohë shumë të gjatë, veçanërisht në disa të fundit. Ne jemi duke u përpjekur të tregojmë realisht se normalizimi mund të arrihet dhe shpresojmë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve të gjejnë një kompromis. Është e qartë se është e vështirë, por të gjejmë një marrëveshje, një kompromis dhe të ecim përpara drejt BE”, tha ajo.

Një reagim, sot ka bërë edhe Sllovakia e cila nuk e ka njohur Kosovën, sipas saj, propozimi evropian është arritje e rëndësishme e pajtimit të palëve, por ata duan marrëveshje të nënshkruar.

“Rezultati i takimit të fundit në dialog është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo mund të jetë një shtysë për negociata të mëtejshme që çojnë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre”, thuhet në reagimin e Sllovakisë.

Edhe, Japonia ka reaguar të martën, sipas saj, ata mirëpresin faktin se Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar se s’ka nevojë për diskutime shtesë sa i përket propozimit evropian për “Marrëveshjen për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Japonia pret që të dy vendet të angazhohen në mënyrë konstruktive në implementimin e Marrëveshjes”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se, zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

Bashkimi Evropian pas takimit të 27 shkurtit, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, gjë që do të kërkojë më shumë bisedime.

Kurse, analisti politik Blerim Burjani thotë se më e rëndësishmja është normalizimi i marrëdhënieve.

Image
Blerim Burjani

I pyetur nëse plani ka larguar njohjen e dy vendeve, Burjani shprehet se ajo do të vijë me kalimin e kohës dhe kësisoj ky plan duhet të ofrojë siguri afatgjate dhe të përhershme.

“Njohja për momentin është hequr, duket se nuk do të ketë diçka eksplicite brenda draftit, tash me rëndësi është që normalizimi të ndodhë deri në fund. Këtu duket se palët duhet të jetojnë me fqinjësi të mirë dhe pa problem dhe se njohja e plotë do të ndodh me kalimin e kohës, mendoj se kjo duket të jetë strategjia e ndërmjetësuesve. Kjo ka ligje, por bart me vete edhe rreziqet dhe pa siguri të saja, mirëpo duhet që plani franko- gjerman të ofrojë siguri afatgjate dhe të përhershme në mënyrë që të mos e vonojë dialogun më shumë vjet”, deklaroi Burjani.

Takimi i radhës i Kurtit dhe Vuçiqit priten të jetë më 18 mars në Ohër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat