Padia për gjenocid ndaj Serbisë – Pse Shqipëria nuk e ndihmon Kosovën?

Politika

Padia për gjenocid ndaj Serbisë – Pse Shqipëria nuk e ndihmon Kosovën?

Nga: P.R Më: 7 mars 2023 Në ora: 22:14
Si alternativë ishte përmendur që edhe Shqipëria ta bëjë padinë për gjenocid në emër të Kosovës.

Gjatë kohës kur ishte në opozitë, por edhe ku u zgjodh kryeministër, Albin Kurti kishte thënë vazhdimisht se do ta padisin Serbinë për krime e gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Ne me ministren e Drejtësisë, ekipin e saj dhe me këshilltarët e mi, kemi filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë për periudhën e luftës së fundit dhe për këtë rast, do t’ju njoftojmë kur do t’i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve e që janë një përgatitje gjigante, sepse një rast i tillë, as nuk guxon, as nuk mundet, as nuk duhet të humbet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Përgatitjet duhet të jenë tejet të mëdha në shumë aspekte, e që përveç tjerash, lidhen edhe me institutin për kryerjen e krimeve gjatë luftës. Themi kështu, sepse nuk janë vetëm krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftë dhe kjo e meriton një pati, andaj përgatitjen e saj qeveria e Republikës së Kosovës e ka obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që i kanë plagët e hapura dhe që besa edhe ndaj ardhmërisë tonë që e kërkon një shtet demokratik e të drejtë”, kishte thënë Kurti në njërën nga konferencat e tij si kryeministër më 7 maj të vitit 2021.

Madje si alternativë ishte përmendur që edhe Shqipëria ta bëjë padinë për gjenocid në emër të Kosovës. Por një gjë e tillë nuk po shihet askund në horizont.

Madje sipas publicistit dhe analistit Rexhep Shahu, Kosova nuk duhet të pres nga Shqipëria që ta padisë Serbinë për gjenocid.

“Nuk e ka bërë, nuk e bën e nuk do ta bëjë kurrë Shqipëria një padi të tillë. Pas lufte, Fatos Nano është shprehur në parlament se do t’i riparojmë vetë dëmet dhe nuk do të padisim Serbinë. Në emër të një pajtimi me Serbinë, që nuk di çfarë ka më thellë, edhe Edi Rama në vitet e tij politike ka synuar të ndërtojë paqe me Serbinë, por në dëm të Kosovës e të shqiptarëve të veriut të Shqipërisë. As familjet shqiptare nuk janë nxitur asistuar e ndihmuar që të bënin padi individuale apo kolektive në Hagë. As familjet e Kosovës nuk janë nxitur as nuk janë ndihmuar që të bëjnë padi individuale në Hagë”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Siç thotë Shahu, shteti shqiptar asnjëherë nuk ka sakrifikuar asgjë për Kosovën, andaj edhe vazhdon që të heshtë për krimet serbe në Kosovë.

“Shteti i Shqipërisë nuk ka sakrifikuar asgjë për Kosovën, nuk ka prishe asnjë çast qejfin e Serbisë për hir të Kosovës, dhe vetëm familja shqiptare është ajo që i është gjetë Kosovës në kohen e dëbimit të shqiptarëve. Termat gjenocid apo masakër etj etj janë terma që duhen saktësuar qartë pasi thuhet se nuk ka gjenocid në një vend ku shtohet popullsia, ku është shtuar popullsia, por ka masakrime, zhdukje njerëzish etj etj”, shprehet Shahu.

Për fund, Shahu thotë se Serbia përfitoi nga gabimi i pelikanëve shqiptar.

“Pengesa e vetme që të mos bëhet padi kundër Serbisë është mosdashja. Kosova me Amerikën e fitoi luftën, është fituese, fitoi lirinë e pavarësinë dhe duhej e duhet të sillet si fitimtare, por ndërkohë Serbia e mundura avancoi mbi gabimet shqiptare dhe veshi kostumin e viktimës duke bërë politikë me gabimet e shqiptarëve të cilët duket e kanë zakon që luftën për pushtet kundër njëri-tjetrit e bëjnë me të fortë se sa luftën kundër armikut të jashtëm në rastin konkret Serbisë”, përfundon Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat