Molliqaj vazhdon ende ‘inatet’ me Kurtin - çfarë po paralajmëron me protestat kundër planit franko-gjerman?

Politika

Molliqaj vazhdon ende ‘inatet’ me Kurtin - çfarë po paralajmëron me protestat kundër planit franko-gjerman?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 mars 2023 Në ora: 10:05
Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti

Plani franko-gjerman është një nga temat më të përfolura kohëve të fundit.

Kjo temë është kthyer në qendër të diskutimeve, pas rifillimi të dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit Kurti-Vuçiq.

Së fundi, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për pranimin në parim të propozimit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Me këtë rast, Molliqaj ka paralajmërua protestë kundër kësaj marrëveshjeje, e cila tha se do të mbahet në fund të muajit mars apo fillim të prillit.

Këtë paralajmërim kreu i PSD-së e bëri para objektit të qeverisë, ku në një aksion me bashkë-partiakët vendosën 205 mijë nënshkrime kundër Asociacionit të peticionit në vitin 2015.

Mirëpo, marrë parasysh mbështetjen që ka Molliqaj me subjektin e tij, vështirë mund të besohet se mund të ketë sukses protesta e paralajmëruar nga ai.

Dihet se, që nga largimi i Molliqajt nga LVV, në vazhdimësi është potencuar për një ‘kopjim’ të të bërit opozitë nga Kurti.

Më 27 shkurt, në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme. Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë këtij muaji .

Ndërkohë, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e dobëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe se në tavolinë janë 16 modele evropiane.

Qarri: Dardan Molliqaj, kritikon fare kot, kryeministrin Albin Kurti

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli analisti politik Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Fillimisht, ai kundërshtoi Molliqajn dhe mbështeti fuqishëm planin franko-gjerman, i cili sipas tij e ka barazuar Kosovën me Serbinë, në përballjet e tyre gjatë negociatave.

Në planin franko-gjerman, përveç ngritjes së Republikës së Kosovës në nivel të partnerit të barabartë në bisedimet me Serbinë, gjë që për mbi një dekadë Kosova, nuk e kishte këtë status dhe figuronte vetëm si "nën-palë" e stigmatizuar me "Fusnotë" me të cilën e pati "dekoruar" kuislingu Hashim Thaçi, tani ajo trajtohet si shtet i pavarur dhe i barabartë me Serbinë, ka "siguruar" të drejtën e anëtarësimit, pa pengesat e deritanishme të Serbisë, në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, deri në OKB”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Qarri i cilësoi si të kota kritikat e Molliqajt ndaj Kurtit dhe paralajmërimet për protestë, pasi që ka mungesë të përkrahjes nga populli.

Kështu që sa i takon kryetarit të të ashtuquajturës "Parti Socialdemokrate" që as si grupim, as si subjekt, populli i Kosovës nuk e ka pranuar për të vetin dhe me votën e lirë, e ka hedhur në margjina politike, shto kësaj mos-ekzistencën e peshës dhe mungesën totale të domethënies partiake, Dardan Molliqaj, kritikon fare kot, kryeministrin Albin Kurti dhe ai e bënë këtë, vetëm që ka kohë tepër dhe nuk ka punë tjetër.

Siç dihet ofrimi i planit franko-gjerman apo propozimi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, nuk kishte hapësirë për diskutim, ishte merre ose lëre dhe më tepër vinte si imponim, ndaj dhe nuk kishte rrugëdalje tjetër përveç pranimit, që edhe ashtu është pranim vetëm deklarativ, në parim”, theksoi analisti.

Më tej, ai foli për protestat si mjet demokratik të cilat i mbështeti dhe tha se janë një sinjal pozitiv për vendin, të cilat dëshmojnë edhe para faktorit ndërkombëtar, se populli i Kosovës nuk pranon imponime të vazhdueshme.

“Kurse sa u takon protestave të paralajmëruara, në fakt protestat janë të shëndetshme dhe të mirëseardhura për gjithë shoqërinë, ato mbajnë njerëzit aktiv, mësojnë ata të veprojnë sistematikisht dhe ti korrigjojnë veprimet e dëmshme të politikës, por në fakt, do të kishte qenë shumë më pozitive sikur të ishte protestuar edhe kundër nënshkrimit të marrëveshjes për "zajednicën" e veçanërisht kundër miratimit në Kuvend të saj, nga deputetët e PDK-së dhe të LDK-së.

Ndaj kurdo që mund të mbahen protestat, ato janë edhe një sinjal pozitiv për vendin, të cilat dëshmojnë edhe para faktorit ndërkombëtar, se populli i Kosovës, nuk mund të pajtohet me njëanësi të vazhdueshme dhe imponimet e pareshtura, të cilat cenojnë hapur ligjet e Kushtetutën, rregullimin tonë të brendshëm dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës”, shpjegoi Qarri.

Ndër të tjera, analisti shtoi se me numrin e anëtarëve që ka Molliqaj në partinë e tij, nuk mund të organizojë protestë, lëre më të ketë edhe efekt.

E Molliqaj sado që përpiqet t’i “kopjojë” veprimet që bënte dikur Kurti sa ishte në opozitë, ato tani nuk mund ta kenë “AJAMIN” e atëhershëm, pasi që me rreth një veturë anëtarësi të Molliqajt, po që se nuk i dërgojnë simpatizuesit e vet edhe PDK e LDK në protestë, Molliqaj as që mund të organizojë protestë fare, e të mos flasim tani edhe për efektet, kur dihet mirëfilli se Molliqaj & Co, në Kosovë, nuk kanë asnjë përkrahje”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mulliqi: Kjo protestë e paralajmëruar nga Molliqaj, po bëhet në rrethana krejt të tjera politike

Kurse, analisti tjetër politik, Skënder Mulliqi në prononcimin e tij për “Bota sot”, tha se më në fund kryeministri Kurtin e ka ‘kthyer topin’ në favor të Kosovës.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, akuza e Molliqajt për pranim të Asociacionit nuk qëndron.

Albin Kurti si kryeministër ka arritur të amortizojë politikën shoviniste të Beogradit zyrtar në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve siç po thuhet. Kurti nga pozita humbëse në bisedime ku Vuçiqi i caktonte agjendat, e ka kthyer topin të shprehem figurativisht në favor të Kosovës për herë të parë të zhvillimit të bisedimeve maratonike me Serbinë e pa reformuar. Nuk është e vërtetë siç thotë Molliqaj se Kurti e ka pranuar “Zajednicën” në takimin e fundit të Brukselit, ku u takua më Vuçiqin, me ndërmjetësim të Lajçakut dhe Borellit”, deklaroi ai.

Madje, Molliqaj tha se nuk është i njëjtë kundërshtimi i Asociacionit në të kaluarën nga Kurti, me kundërshtimin e planit franko-gjerman nga Molliqaj.

Kryeministri ka pranuar në parim planin franco-gjerman si bazë të mirë të bisedimeve, të cilin plan Serbia nuk e pranoi të nënshkruan edhe pse Kurti pranoi. Nëse dikur protestat e LVV kanë qenë që mos të pranohen nga Kosova, këto dy marrëveshje për Asociacionin dhe Demarkacionin, nuk është i njëjtë kundërshtimi i atëhershëm me protesta, nga këto protesta të vogla të sotme organizuara nga PSD-ja”, shpjegoi analisti.

Tutje, ai tha se Kurti nuk është fajtor për presionin që po i bëhet për themelim të Asociacion, e që këtë beson se e di edhe Molliqaj e shumica e deputetëve të Kuvendit.

”Pateten e nxehtë’ ia lanë në dorë të tjerët, Kurtit, i cili me gjithë fuqinë e tij politike nuk është duke pranuar Asociacionin një etnik. E tash kjo protestë e paralajmëruar nga Molliqaj, po bëhet në rrethana krejt të tjera politike për çka e di mirë edhe Dardani. Jo vetëm Molliqaj por shumica sot në Kosovë, edhe kryeministri Kurti mendojnë dhe janë duke u munduar që të kemi një asociacion të formës të OJQ-ve, e jo të formës ekzekutive. Por, dihet mirë së çfarë presioni iu ka nënshtruar Kosova nga BE-ja dhe Amerika që të formohet asociacioni, duke na i vendosur mbi tavolinë modele të ndryshme si së fundi Lajçak - 15 modele të Evropës për asociacionin”, theksoi Mulliqi.

Në fund, analisti tha se kjo temë po shfrytëzohet për të ardhur në pushtet, e që sipas tij nuk është aspak parimore.

Lufta për të ardhur në pushtet bëhet në mënyrë parimore, e jo të shfrytëzohet një temë e tillë, ku barra bie mbi të gjithë, e më së shumti mbi këtë opozitë e cila nuk po tregohet shumë konstruktive. Qeveria nuk e ka braktisur vullnetin qytetarë siç thotë Molliqaj. Kurti pikërisht më gjithçka po punon me rikthy, dhe shumë e ka kthy vullnetin e humbur qytetarë nga ish-pushtetet, të cilat për shumë vite nuk punuan ashtu si duhet”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat