Sami Lushtaku sfidon hapur Memli Krasniqin, PDK në duart e njerëzve të Thaçit e Veselit

Politika

Sami Lushtaku sfidon hapur Memli Krasniqin, PDK në duart e njerëzve të Thaçit e Veselit

Nga: P.R Më: 8 mars 2023 Në ora: 22:23
Sami Lushtaku dhe Memli Krasniqi

“Deklarata e Lushtakut tregon çartë se përveç sfidimit që ai ia bënë kryetarit të partisë Memli Krasniqi, tregon poashtu edhe anën tjetër që eksponentët e fuqishëm që vijnë nga i ashtuquajturi krahu i luftës, kanë pozicione dhe ndikim të fuqishëm në PDK”.

Edhe pse partia e tij, PDK, nuk e ka përkrahur propozimin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi të cilin e pranoi edhe kryeministri Albin Kurti, njëri nga njerëzit më të fuqishëm ndër vite në PDK, ish komandant gjatë luftës, Sami Lushtaku, ka bërë thirrje që PDK ta ndryshojë mendimin sa i përket këtij propozimi.

Sipas Lushtakut, plani për paqe në Ballkan është plan i aleancës së tyre me miqtë, dhe se marrëveshja e re do të kalojë për shkak të nevojës për NATO dhe hovit të zhvillimit.

“Ne si PDK jemi krenarë me punën që kemi bërë sot, para 10 viteve por dhe para 25 viteve nga paraardhësja jonë ushtarake. Plani amerikan për paqe në Ballkan është plan i aleancës tonë me miqtë tanë. Marrëveshja do të kalojë sepse kemi nevojë për NATO dhe për një hov të zhvillimit përpara. Jemi ne - Drenica, PDK, qytetarët tanë ata që duhet të jemi prijës të kësaj lëvizje perpara e jo mashtruesit, ata që përdoren gaz lotsjellës, zolla, urrejtje për të na përçarë. Albini vjen e shkon si një mashtrues i imtë, por sakrifica jonë dhe aleanca jonë me SHBA do të mbetet përgjithmonë”, ka shkruar Lushtaku në faqen e tij në facebok.

E sipas analistit politik, Nexhat Haziri, PDK ende nuk ka një qëndrim të çartë sa i përket propozimit ndërkombëtar për dialogun Kosovë-Serbi.

Image
Nexhat Haziri,

“Fillimisht mendoj se partitë opozitare, pra edhe PDK-ja akoma nuk kanë një vendim të qartë për propozimin evropian mbi të ashtuquajturin plani franko-gjerman dhe po kalkulojnë si të them për apo me poenë elektoral, për çka kishim edhe një deklaratë nga ambasada amerikane në Prishtinë, nëpërmes së cilës shprehen shqetësimin e tyre me qasjen e opozitës në raport me propozimin evropian për një marrëveshje të përkohshme në mes Kosovës dhe Serbisë. Por kërkesa e Sami Lushtakut si një nga eksponentët e fortë të PDK-së për pranim dhe mbështetje të planit franko-gjerman që për të cilin akoma nuk ka një vendim të prerë të lidershipit të saj, po mos ta njihnim PDK-në dhe funksionimin e saj për gjithë këto vite në skenën politike kosovare, për mua do të ishte një zhvillim normal në partitë politike që kanë një demokraci të zhvilluar të brendshme”, shprehet Haziri.

Ai thotë se reagimi i Sami Lushtakut është një dëshmi se PDK vazhdon të jetë në duart e komandantëve dhe njerëzve të Thaçit e Veselit.

“Por, PDK-ja edhe përkundër orvatjeve të saja akoma është larg një demokracie të mirëfilltë brenda funksionimit të saj, andaj deklarata e Lushtakut tregon qartë se përveç sfidimit që ai ia bënë kryetarit të partisë Memli Krasniqi, tregon poashtu edhe anën tjetër që eksponentët e fuqishëm që vijnë nga i ashtuquajturi krahu i luftës, kanë pozicione dhe ndikim të fuqishëm në PDK, pa marrë parasysh se ish liderët kryesor si Thaçi dhe Veseli gjenden në Hagë, e disa të tjerë të margjinalizuar, por Lushtaku akoma është lojtar ifuqishëm brenda PDK-së”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat