Miroslav Lajçak sot në Kosovë, ja si mund të jenë modelet e asociacionit

Politika

Miroslav Lajçak sot në Kosovë, ja si mund të jenë modelet e asociacionit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 mars 2023 Në ora: 08:05
I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

I dërguari evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten do të qëndrojë në Prishtinë dhe më pas do të shkojë në Beograd për t’i përgatitur palët për takimin e 18 marsit.

Asociacioni është një prej temave që palët kanë mospajtime.

Mirëpo, tashmë Lajçak i ka disa modele të Asociacionit të cilat i ka ndarë me palët.

Gjersa, SHBA është në pritje të formimit të Asociacionit dhe që diskutimet për të, të fillojnë menjëherë, Qeveria e Kosovës, ka refuzuar të tregojë modelet që ia ka paraqitur Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim para gazetarëve të mërkurën, ka thënë se pritshmëritë për takimin me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak janë që të vazhdojnë me përgatitjet për takimin e datës 18 mars në kuadër të dialogut.

"Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars në Maqedoninë e Veriut në Ohër dhe të shohim se si do të mund të ja bashkëngjesim përkufizimin të dakorduar evropian dhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe nga efikasiteti", u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, analistët thonë që Kosova nuk e ka luksin të bëj eksperimente me Asociacion, por BE dhe SHBA do ta bëjnë më të mirën të mundshme për marrëveshjen Kosovë- Serbi.

Kompromiset të konsiderohen të harruara

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, thotë se Kosova duhet të jetë e përgatitur për një statut të asociacionit me strukturë të organizimit dhe kompentencave të një OJQ-je.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, duhen kompromiset duhet të konsiderohen të harruara dhe kushtetuta e Kosovës është një kompromis i dhimbshëm.

“Çdo pretendim i Serbisë për një Asociacion me kompetenca ekzekutive duhet të injorohet në mënyrë kategorike. Shteti i Kosovës nuk e ka luksin të bëj eksperimente të tilla, ku potencialisht do të krijonin destabilitet afatgjatë, por edhe do gërryejnë sovranitetin e shtetit. Kosova duhet të jetë edhe përgatitur, duke prezantuar një Statut të Asociacionit me strukturë të organizmit dhe kompetencave të një OJQ-je. Kompromiset duhet të konsiderohen të harruara, pasi edhe në versionin aktual, kushtetuta e Kosovës është një kompromis i dhimbshëm”, ka deklaruar Ahmeti.

Për vizitën e të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka folur zëdhëndësi i BE-së, Peter Stano, i cili thotë se qëllimi është të vazhdohen diskutimet dhe përgatitjet për takimin e radhës.

Lajçak ka thënë se në tavolinën e tij i ka 16 modele ekzistuese funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilat ka thënë se i ka ndarë me Kosovën dhe Serbinë.

“Askush nuk ka interes ta dobësojë funksionalitetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Rruga deri te konferenca ceremoniale për nënshkrimin e marrëveshjes

Kurse, sipas analistit politik Fatmir Sheholli, takimi Kurti- Vuçiq në Ohër ka për qëllim të verifikojë a gjenden palët në “frekuencat” identike që ishin në Bruksel.

Image
Fatmir Sheholli

Sheholli i cili është edhe drejtor i Institutit për afrimin e marrëdhënieve ndër etnike, thotë se në Ohër do të bëhet sqarim i detajuar i planit të veprimit të BE-së.

“Lajçak vjen në Prishtinë dhe do shkojë në Beograd në prag të takimit të aranzhuar në Ohrit. Ky takim i Lajçakut me Kryeministrin Kurti dhe Vuçiqin ka për qëllim të verifikoi a gjinden palët në " frekuencat" identike që ishin në Bruksel dhe a do të përqafojnë në tërësi Planin e veprimit që do t'iu prezantohet në Ohrit. Në bazë të takimeve që kemi zhvilluar si Institut për afirmimin e marrëdhënieve ndër etnike me faktorin ndërkombëtar konsiderojmë që në Ohër do të bëhet sqarimi i detajuar i planit të veprimit të BE-së që ka kalendarin deri në fund të vitit 2023. Nëse palët arrijnë të pajtohen për planin e veprimit atëherë Borelli dhe Lajçak të fasilituar nga SHBA do të përgatisin një konferencë ceremoniale të nënshkrimit të këtij dokumenti i cili sipas të gjitha gjasave do të mbahet në Paris”, u shpreh Sheholli.

Ai ka treguar si mund të jenë modelet e asociacionit, gjersa shton se BE dhe SHBA duan variantin më të mirë për arritjen e marrëveshjes.

“Modelet për asociacionin janë të konceptit evropian dhe kryesisht janë marrë shembuj nga Belgjika dhe Gjermania që mund të jenë të diskutueshëm për Kurtin. Në bazë të asaj që ky proces i dialogut ka hyrë në vitin 15 atëherë besoi që BE dhe SHBA nuk do të lejojnë që ky shans të ju ik nga duart dhe do të gjejnë variantin më të mirë për arritjen e kësaj marrëveshjeje”, ja shtuar Sheholli.

Kujtojmë, se Kurti dhe Vuçiq tashmë janë pajtuar për planin franko- gjerman, në takimin e 27 shkurtit.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e propozimit evropian – marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat