Njohja nga Serbia dhe ngecje në njohje tjera, ku “gaboi” Kosova?

Politika

Njohja nga Serbia dhe ngecje në njohje tjera, ku “gaboi” Kosova?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 mars 2023 Në ora: 08:18
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar dje në Kosovë, me ç’rast është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Lajçak pas takimeve ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si një prej kërkesave dukshëm të përsëritura nga ndërkombëtarët, do të themelohet konformë modeleve ekzistuese evropiane.

Mirëpo, sipas tij, Asociacioni momentalisht nuk është në agjendë të dialogut.

Gjersa, ai ka shtuar se i ka dërguar Kurtit 15 modele evropiane për Asociacion, nuk ka folur më tepër rreth planit franko- gjerman tashmë të pranuar nga palët dhe njohjes reciproke.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partia e vetme opozitare që e ka mbështetur kryeministrin rreth këtij plani, mirëpo thonë se ai do të duhej të ngulmonte që njohja e Kosovës nga Serbia të futej në atë plan.

Deputetja nga radhët e AAK-së, thotë se njohja duhet të jetë kërkesa kryesore e dialogut.

“Sigurisht që Kurti do të duhej të ngulmonte që njohja të futej në planin franko- gjerman, se po, ajo duhet të jetë kërkesa kryesore dhe njëherë e mirë për të përmbyllur marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike”, ka deklaruar deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi.

Image
Albana Bytyçi

Në anën tjetër, njohjet e shtetit të Kosovës kanë filluar të kenë ngecje edhe nga vendet tjera të botës, kjo sipas deputetes për shkak të ndërrimit të shpeshtë të Qeverive.

Bytyçi thotë se lobimi për njohjen e vendit nuk është marrë me shumë përkushtim, kjo pasi sipas saj, për shkak të proceseve të tjera që në vazhdimësi është përballur vendi.

“Mendoj që ndërrimi i shpeshtë i Qeverive disi e ka lënë në hije angazhimin serioz në çështjen e njohjeve për shkak se fokusi më shumë ka qenë në zgjedhje. Pastaj e dimë mirë se pak a shumë çështja e njohjes është edhe çështje e interesi të shtetit që e bën njohjen për një shtet tjetër. Sidoqoftë nga ana e Kosovës mendoj se nuk është marrë me shumë përkushtim lobimi për njohje për shkak të shumë proceseve të tjera që në vazhdimësi është përballur vendi ynë. Sigurisht që kjo duhet të ndryshojë dhe të merret si një ndër prioritetet e akterëve relevantë në këtë çështje dhe të lobohet shumë që Kosova të merr njohje të reja”, ka shtuar Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat