Gjykimi i ish- drejtuesve të UÇK-së, reagon Maxharraj: Filloi festivali i filmit, priten edhe ata “horror”

Politika

Gjykimi i ish- drejtuesve të UÇK-së, reagon Maxharraj: Filloi festivali i filmit, priten edhe ata “horror”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 prill 2023 Në ora: 18:13
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi

Sot është mbajtur dita e parë e gjykimit të ish- krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë deklaruar se janë të pafajshëm, ndërsa më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në anën tjetër, një pjesë e diasporës dhe familjarët e të akuzuarve kanë marrë pjesë në protestën paqësore në Hagë.

Krahas shumë bashkatdhetarëve, në protestën e sotme pjesëmarrës kanë qenë edhe djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe vajza e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit.

E në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së aty ndodhet edhe gruaje e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, Shqipe Selimi.

Diaspora shqiptare po proteston nën moton “Jo në emrin tim”. Ndërkohë që gjykimi ndaj tyre po vazhdon, në seancën e stome gjyqësore Thaçi dhe të tjerët u deklaruan të pafajshëm.

Një marsh për ish- krerët e UÇK-së, është mbajtur edhe të dielën në Prishtinë.

Ideatorja e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha, ka thënë se marshi i djeshëm në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, ishte madhështor. Sipas saj, dje Kosova u bashkua për historinë e saj.

"Të gjitha rrugët dje çuan në Prishtinë. Dje Kosova u bashkua për historinë e saj. Dje ishte një ditë madhështore. Na kishte marrë malli me i pa krejt bashkë. Por krejt kjo do të ishte e pamundur pa vullnetarët dhe policinë që u kujdesen për rendin dhe ligjin. Maturia dhe qytetaria e djeshme ishte për tu admiruar", ka thënë ajo.

Duke komentuar marshin e djeshëm, por edhe atë në Hagë, profesori shqiptar në Amerikë, Binak Maxharraj, e ka quajtur “festival i filmit”.

Sipas Maxharrajt, nga sot do të shfaqen edhe “filma” të metrazhit të gjatë të zhanreve të ndryshme, deri në ata horror.

“Sot fillon “Festivali i filmit në Hagë”! Dje në Prishtinë u mbajt vetëm një uverturë e “Festivalit të filmit” në Hagë, ku u shfaq vetëm një pjesë apo siç quhet ndryshe “zhurnali” i filmave të metrazhit të gjatë që sot do të shfaqet në Hagë. Për të parë këtë “zhurnal” në Prishtinë erdhën me qindra dhe mijëra shikues nga të gjitha anët e Kosovës. Por, nga sot në “Festivalin e filmit” në Hagë do të shfaqen edhe filmat e metrazhit të gjatë të zhanreve të ndryshme deri në ata horror. Në këta filma do të shihet roli i “aktorëve” që gjenden në Hagë, roli i tyre se pse ata gjenden atje. Këta “filma” do të nxjerrin në dritë të vërtetën dhe të pa vërtetën , sepse ata gjenden në Hagë”, deklaron Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen se nga marsi i vitit 1998 e deri në shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj pakicave etnike – atyre serbe dhe rome – si dhe ndaj rivalëve të tyre politikë që nuk i kanë mbështetur gjatë luftës dhe në qeverinë e formuar pas çlirimit. Ata akuzohen për përndjekje, trajtim çnjerëzor, ndalim, vrasje, zhdukje personash etj.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarët e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët në kohën e luftës së Kosovës ishin ndër udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u deklaruan "krejtësisht të pafajshëm” në nisjen e seancës së parë gjyqësore, e cila duket se do t'i paraprijë një procesi maratonë që mund të zgjasë me vite të tëra. Veseli shprehu mospajtimin e tij për "vonesën mbi 2-vjeçare" të këtij procesi. Krasniqi nga ana e tij ripërsëriti se nuk ka lidhje me asnjë akuzë të parashtruar ndaj tij. Tërësisht të pafajshëm u deklaruan edhe Thaçi dhe Selimi. Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi janë arrestuar dhe dërguar në Hagë në nëntor të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat