Publicisti serb “paralajmëron” perëndimin, tregon qëllimin e Vuçiqit: Gjërat mund të dalin jashtë kontrollit, me pasoja të paparashikueshme

Politika

Publicisti serb “paralajmëron” perëndimin, tregon qëllimin e Vuçiqit: Gjërat mund të dalin jashtë kontrollit, me pasoja të paparashikueshme

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 prill 2023 Në ora: 12:31
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Kosova dhe Serbia tashmë kanë pranuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve dhe në kuadër të saj takimi i radhës Kurti- Vuçiq do të mbahet më 22 prill në Bruksel.

Në kuadër të marrëveshjes është edhe zbatimi i një vetëmenaxhimi për serbët në Kosovë, një vetëmenaxhim i cili po kërkohet edhe për shqiptarët në Serbi.

Kongresmeni Ritchie Torres dhe Jim Himes, i kanë shkruar një letër Sekretarit amerikan, Anthony Blinken.

Letra i është dërguar më 16 mars, dy ditë para takimit në Ohër.

Në këtë letër, kongresmenët kanë kërkuar që të njëjtat të drejta që do të kenë serbët në Kosovë, të kenë edhe kosovarët në Serbi, duke iu referuar shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Së fundmi është raportuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe do të përfshihet në dialog, për të siguruar që minoriteti serb që jeton në Kosovë, të kenë të drejtat e tyre. Unë ju bëjë thirrje që të avokoni për reciprocitet dhe një asociacion të njëjtë për komunitetin shqiptarë që jeton në jug të Serbisë”, shkruhet në letrën që kongresmenët Torres dhe Himes, ia ka dërguar sekretarit Blinken.

Duke folur rreth mundësisë së formimit të asociacionit apo vetëmenaxhimit për shqiptarët në Serbi, sikurse që do të formohet me serbët në Kosovë, publicist serb Zlatoje Martinov thotë se Serbia zakonisht kërkon për vete atë që nuk ua lejon të tjerëve.

Sipas tij, pozita e shqiptarëve në Serbi do të jetë e njëjta.

“Serbia zakonisht kërkon për vete atë që nuk ua lejon të tjerëve. Kjo dihet që nga koha e Millosheviqit dhe Sheshelit. Dhe Vuçiq dhe Daçiq janë të rinjtë e dikurshëm të Sheshelit dhe Millosheviqit, fëmijët e tyre shpirtërorë, fëmijë që tani janë rritur dhe po udhëheqin politikën e vjetër nacionaliste si baballarët e tyre shpirtërorë. Pra, pozita e pakicës shqiptare në Serbi do të mbetet e njëjtë si më parë, aq më tepër që Perëndimi nuk ka vullnet për të krijuar një paralele me serbët në Kosovë. Kështu ka deklaruar së fundmi pa mëdyshje ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Komuniteti shqiptar në Serbi ka një përfaqësues në parlamentin serb. Ky është Shaip Kamberi”, deklaron publicisti.

Në anën tjetër, Martinov në një prononcim për “Bota sot” ka folur edhe për paqen në Ballkan, që sipas tij varet nga marrëveshja Kosovë- Serbi.

“Paqja në Ballkan pas vitit 1999 nuk ka qenë kurrë më e kërcënuar. Rusia nuk do të qëndrojë në vend. Vitin e ardhshëm janë zgjedhjet amerikane. Më pas janë zgjedhjet në BE. Shumë do të varet nga rezultatet e atyre zgjedhjeve në Ballkan dhe në Evropë. Do të varet edhe nëse dhe kur do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, pohon Martinov.

Image
Zlatoje Martinov

Sipas tij, perëndimi duhet t’i bëjë presion Serbisë për marrëveshje sepse në të kundërtën gjërat mund të dalin jashtë kontrollit me pasojat e paparashikueshme.

“ Përshtypja ime personale është se Serbisë së Vuçiqit i shkon për shtati të shtyjë një marrëveshje gjithëpërfshirëse deri në momentin e "fitores së Rusisë dhe Kinës ndaj Perëndimit", siç shpresojnë shumë në Serbi. Unë besoj se këto shpresa janë të kota, por Perëndimi do të duhet të marrë parasysh të gjitha opsionet dhe t'i përshpejtojë gjërat duke ushtruar presion mbi Serbinë. Në të kundërt gjërat do të dalin jashtë kontrollit me pasoja të paparashikueshme”, shton Martinov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat