Lartësohet Beteja e Koshares: E vetmja betejë e shqiptarëve pas Luftës se dytë Botërore, që nuk ka nevojë të zbukurohet sepse shëmtohet

Politika

Lartësohet Beteja e Koshares: E vetmja betejë e shqiptarëve pas Luftës se dytë Botërore, që nuk ka nevojë të zbukurohet sepse shëmtohet

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 12 prill 2023 Në ora: 19:07
Pamje nga lufta në Koshare

Ishte 9 prilli i vitit 1999 kur u thye për herë të parë kufiri shqiptaro-shqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të prirë nga Sali Çekaj e Agim Ramadani.

E 9 prilli i vitit 2023 mblodhi edhe njëherë në Koshare ushtarë, familjarë të të rënëve, politikanë e qytetarë për ta përkujtuar njërën nga betejat më të lavdishme të luftës për çlirimin e Kosovës.

Me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, të dielën në Koshare u mbajt manifestimi “Ditët e shqipes”, ku nga të pranishmit, kjo betejë u cilësua si një nga më të përgjakshmet dhe më heroiket në historinë e UÇK-së.

Lavdia më e madhe për UÇK-në

Se kjo betejë është lavdia më e madhe dhe më e suksesshme për UÇK-në, e thotë edhe Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt.

Image
Saim Tahiraj

“Beteja e Koshares është beteja më e rëndësishme në luftën e fundit në Kosovë. E them këtë për arsye se janë disa fakte që e vërtetojnë këtë. E para; pastrimi definitiv i kufirit shqiptaro-shqiptarë, shkulja e gurit famëkeq të kufirit i cili ndante kombin tonë në dy pjesë, historikisht padrejtësisht. E dyta; për herë të dytë pas betejës së Loxhës, forcat serbe u thyen dhe u mundën keq në luftë frontale ballë për ballë, nga forcat tona”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo betejë ishte udhëhequr nga oficerë profesionistë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

“Kjo betejë u drejtua nga profesionistët, oficerët e MMRK të drejtuar nga ministri kolonel Ahmet Krasniqi. Në këtë betejë ishte Sali Çeku anëtar i shtabit komandues, si vazhdimësi e thyerjes së kufirit me 02.12.1991. E pesta; kjo tregon se Sali Çekaj është fakti më i rëndësishëm që vërteton veprimtarinë konstante të rezistencës së armatosur në kuadër të institucioneve përkatëse të RK-ës, që nga viti 1991 e gjerë me përfundimin e luftës”, shpjegon Tahiraj, i cili tregon se edhe kush e mori vendimin për fillimin e sulmit në Koshare.

“Vendimin për fillimin e sulmit e mori vet komanda e shtabit e jo siç përpiqen ta përvetësojnë shtabi i LPK-së si pjesë përbërëse e operacionit "Shigjeta". Asnjë oficer dhe ushtar i njësiteve ushtarake të komanduara nga MMRK në krye me ministrin kolonel Ahmet Krasniqi, nuk u akuzua dhe gjykua nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare për krime lufte”, deklaron Tahiraj.

“Të gjitha këto komponentë që i ceka më lartë, janë argumente të fuqishme që e fusin në historinë më të re të Kosovës, Betejën e Koshares si betejën më të suksesshme dhe më të rëndësishme në luftën e fundit në Kosovë. Kjo betejë është krenaria e kombit tonë, dhe këtë e vërtetoi edhe pjesëmarrja masovike nga të gjitha trojet shqiptar me 09.04.2023 në përvjetorin e saj të radhës në Kosharen Heroike”, deklaron Saim Tahiraj.

Por, sipas Tahirajt, Beteja e Koshares nuk e ka ende vendin e merituar në historinë e Kosovës, gjë për të cilën kërkon angazhimin e institucioneve shtetërore.

“Beteja e Koshares ende nuk është trajtuar siç duhet nga institucionet shtetërore dhe krye-heronjtë e saj nuk e kanë vendin që e meritojnë. Me këtë temë duhet të merret më seriozisht instituti i Historisë dhe e vërteta për Betejën e Koshares të dalë e plotë dhe pa devijime”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt.

Beteja më e madhe mes shqiptarëve dhe serbëve

Image
Rexhep Shahu

Betejën e Koshares, si Betejën më të lavdishme të UÇK-së po e cilëson edhe Rexhep Shahu, ish gazetar në kohën e luftës në Kosovë, i cili edhe personalisht ishte njohur me Sali Çekajn.

“Beteja e Koshares është beteja më e lavdishme, më epike, me e fuqishmja, me e suksesshmja që ka bërë UÇK. Beteja e Koshares është beteja më e lavdishme, me heroikja sepse është bërë, drejtuar e komanduar nga ushtarakët profesionistë të Kosovës, të UÇK, nga ata ushtarakë që ndokush nga bashkipozuket e haxhiqamilistët i fyente në kohen e luftës e i quante titistë e jugosllave”, shprehet Shahu.

Sipas Shahut, Kosharja ishte beteja më e madhe e zhvilluar në luftën e fundit mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Beteja e Koshares është besoj beteja e vetme serioze dhe e madhe e luftës së fundit të shqiptarëve me serbët që u vendosen përballë forcat e ushtrive përkatëse shqiptare e serbe, beteja e vetme ku u vunë përballë forca e profesionalizmi i komandave, forcave, taktikat, strategjitë, fuqia fizike dhe aftësitë profesionale të komandantëve e ushtarëve”, deklaron Shahu.

“Dhe për fat, këtë betejë, këtë përballje epike e fituan shqiptarët të cilët veç përgatitjes e profesionalizmit patën në favor terrenin e tyre shqiptar dhe dashurinë me mbrojte vendin përkundër ushtarëve e oficerëve serbë që ishin në terren të huaj dhe donin të mbanin të pushtuar vendin e huaj”, thekson Shahu për “Bota sot”.

Ai thotë se Beteja e Koshares ishte udhëhequr nga komandantë e ushtarë profesionistë.

“Beteja e Koshares e bërë nga komandantë profesionistë e ushtarë të stërvitur të UÇK-së nuk ishte lojë luftash, nuk ishte shkrep një pushkë në katund e ik strehohu në bjeshkë, por ishte beteja më e studiuar, më e organizuar në të cilën ushtarë e komandantë vunë në grykat e pushkëve të tyre shpirtin e zemrën e tyre. Beteja e Koshares është më e lavdishmja, më e organizuara, më e madhja e luftës së fundit mes shqiptarëve e serbëve dhe ka me mbetë në historinë luftarake të shqiptarëve krahas betejave më të lavdishme. Beteja e Koshares sa herë hiperbolizohet aq herë shëmtohet. Në atë betejë ka dhënë jetën Sali Çekaj një njeri i ditur e trim që e kam njohur dhe e kam dashtë, në atë betejë kanë marrë pjesë shokë të mitë me të cilët unë mburrem”, shpjegon Rexhep Shahu.

Për fund, Shahu thotë se Beteja e Kosheres ishte beteja ku u mund ushtria serbe në përballje direkte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Beteja e Koshares nuk ka të krahasuar me asnjë betejë tjetër por ne nuk mund të themi se Beteja e Koshares e çliroi Kosovën, jo, se Kosova nuk është sa Kosharja as Kosharja sa Kosova. Beteja e Kosheres ishte beteja ku u mund ushtria serbe në përballje direkte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe për fund, Beteja e Koshares është beteja që pohon se shqiptarët ushtarakisht nëse udhëhiqen nga komandantë profesionistë dhe nëse bëhen forcë e organizuar e stërvitur, e armatosur, ata fitojnë në truallin e tyre çdo betejë me pushtuesin serb. Beteja e Koshares mbase është e vetmja betejë e shqiptarëve pas Luftës se dytë Botërore që nuk ka nevojë të zbukurohet sepse shëmtohet”, përfundon Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat