“Lista serbe si Millorad Dodiku”, paralajmërohet shtyrja e zgjedhjeve në veri

Politika

“Lista serbe si Millorad Dodiku”, paralajmërohet shtyrja e zgjedhjeve në veri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 prill 2023 Në ora: 18:52
Disa nga deputetët e Listës Serbe gjatë një seance parlamentare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të tretën herë është duke anuluar mbledhjen ku pritej që të miratohet lista me qendra të votimit të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit.

Më shumë informacione nga organet e sigurisë janë arsyetimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas shtyrjeve të mbledhjes.

Në anën tjetër, situata në veri, vazhdon të mos jetë e qetë. Në fillim të muajit, janë djegur tri vetura me targa RKS, një në Zveçan dhe dy në Mitrovicë të Veriut. Ndërsa, të martën është plagosur një qytetar i komunitetit serb, Milan Jovanoviç, me armë zjarri në afërsi të urës së Bistricës afër Zveçanit. Plagosja e tij, ka ngritur qytetarët serb në protestë, duke kërkuar largimin e Policisë së Kosovës nga zonat e tyre.

Analistët politikë thonë se serbët nuk lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve dhe për këtë arsye krijojnë trazira, konflikte. Sipas tyre, Lista serbe është duke vepruar si Millorad Dodiku në Republikën Serpska në Bosnjë dhe zgjedhjet mund të shtyhen përsëri.

Burjani: Kërkohet shkas që të nxisin konflikte

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se kushti i Serbisë për pjesëmarrje është themelimi i asociacionit, prandaj edhe kësaj here kërkojnë t’i shtyjnë zgjedhjet.

“Serbët e Kosovës nuk lejohen të marrin pjesë në këto zgjedhje, kushti i Serbisë për pjesëmarrje ishte të themelohet asociacionin, herën e parë janë shtyrë zgjedhjet për motivet politike edhe kësaj here kërkojnë t’i shtyjnë, në të kundërtën mund të ketë trazira, grupet kriminale në veri me Serbinë pa kurrfarë problemi shkaktojnë trazira, konflikte, apo e pengojnë Policinë e Kosovës”, pohon Burjani.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

Sipas tij, Serbia nuk e respekton marrëveshjen.

“Kjo tash po dihet se Serbia asnjë pikë të marrëveshjes së Ohrit nuk po e respekton sepse shihet që nuk i konvenon. Kjo është e kryer as që duhet të lodhet të analizohet Vuçiqi e ka thënë qartë, këtu s’ka kurrëgjë, asociacionin serb të themelohet, pastaj të vazhdohet konfliktin duke thënë se po hyjnë Policia e Kosovës në asociacion e intervenojnë, pra lypin shkas që të nxisin konflikte”, thekson ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri- Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar.

Dorëheqjet kishin ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për tt’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës. Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

Lista serbe ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje, kjo pasi sipas tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka formuar ende asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Mulliqi: Kjo listë po tregohet shumë destruktive edhe pse po vepron në jetën politike dhe institucione të Kosovë

Image
Analisti politik, Skënder Mulliqi

 

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se Lista serbe e ka marrë rolin e Millorad Dodikut të Republika Serpska në Bosnjë.

Sipas tij, të gjitha incidentet në veri po bëhen nën patronazhin e tyre nxitës.

“Tash e disa muaj KQZ ka filluar me përgatitjet e zgjedhjeve në katër komunat në veri. Lista Serbe ka bërë të ditur së nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Unë dua më këtë rast të bëjë nja krahasim që ndoshta dikujt edhe do t’i duket absurd. Lista serbe e ka marr rolin e Millorad Dodikut të Republika Serpska në Bosnjë. Kjo listë po tregohet shumë destruktive edhe pse po vepron në jetën politike dhe institucione të Kosovës. Të gjitha incidentet në veri po bëhen nën patronazhin e tyre si nxitës. Kjo listë e cila po vepron nën direktivat e Beogradit zyrtar është hisedare edhe në vendosjen e barrikadave të strukturave ende të pa shpërbëra paralele kriminale në veri. Barrikadat serbe u bënë problem i madh jo vetëm i politikës në Kosovë, por edhe të politikave ndërkombëtare, që për çudi edhe gjeten një lloj përkrahje”, shprehet Mulliqi.

Lista serbe po sillet dhe po vepron sikurse janë të pa prekshëm, se për ta nuk vlejnë ligjet e Kosovës, thotë Mulliqi, gjersa shton se ekziston mundësia që zgjedhjet e 23 prillit të shtyhen.

“U veprua bukur shumë nën trysnin e tyre edhe në zhvillimin e bisedimeve Kosovë –Serbi .Prandaj, edhe opstrukcioni i fundit lidhur në shtyrjen e zgjedhjeve në këto komuna më shumicë serbe, janë produkt i Listës Serbe, e cila madje ka kërkuar që të largohen organet tona të rëndit nga komunat. Ata po sillen dhe po veprojnë sikur të janë të pa prekshëm, se për ta nuk duhet të vlejnë ligjet e Kosovës. Zaten Lista Serbe së bashku më Vuçiqin, strukturat tjera kriminale në veri, Grupin kriminal rus Ëagner po bëjnë trysni të madhe politike të shoqëruara më incidente të vazhdueshme, për të formuar Asociacionin e komunave më shumicë serbe më kompetenca ekzekutive. Ky është qëllimi primar pse edhe po shtyhen zgjedhjet, edhe përkundër së gjithçka është gati nga KQZ-ja. Ka mundësi që edhe zgjedhjet e 23 prillit të shtyhen. Kosova nuk po dështon në veri, apo thënë më mirë mund të dështon së shumë po tolerohet minoriteti serb nga strukturat ndërkombëtare. Këtë e pamë më rastin e barrikadave, kur në krahë të ekstremistëve serbë dolën Borell, Lajçak, Eskobar dhe Hill, duke i konsideruar barrikadat si diçka legjitime. Në çështjen e këtyre destrukcioneve serbe në veri përpos Beogradit po ndikon edhe Putin, përmes grupi kriminal Vagner”, nënvizon Mulliqi.

Kosova dhe Serbia tashmë kanë arritur marrëveshje për normalizim të raporteve dhe në kuadër të kësaj marrëveshjeje është mbajtur në fillim të muajit edhe takimi trilateral në nivel krye-negociatorësh në Bruksel, mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak.

Në një deklarim para gazetarëve pas këtij takimi, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se takimi i radhës Kurti-Vuçiq është paraparë që të mbahet më 22 prill, në Bruksel.

“Ende mbetët e paqartë së a do të kemi më 23 prill zgjedhje”

Para takimit të mundshëm Kurti- Vuçiq, Mulliqi ka kërkuar që qeveria të ketë kujdes dhe të mos bien në grackat e tyre.

Sipas tij, Rusia dhe Serbia janë duke bërë trysni të fortë përmes Dodikut për shkëputje të Republika Serbska nga BH-ja, dhe të njëjtën politikë po tentojnë të zbatojnë në Kosovë, me Listën Serbe.

“Kosova dhe qeveria jonë duhet të ketë shumë kujdes gjatë bisedimeve më Serbinë e pabesë duke mos lejuar në asnjë mënyrë të bën në grackat e tyre. Edhe diçka kur jemi të kjo temë. Lista Serbe dhe pushteti i Vuqiqit, po kërkojnë të shtyhen zgjedhjet, duke menduar, së më parë duhet të formohet Asociacioni, e që pastaj të zgjidhjen organet e reja të pushtetit lokal. Logjika e të gjitha politikave serbe është së sa më e keqe gjendja në veri, që e kam thënë edhe njëherë tjetër, aq më mirë do të jetë për minoritetin serb. Rusia dhe Serbia janë duke bërë trysni të fortë përmes Dodikut për shkëputje të Republika Serbska nga BH-ja, dhe të të njëjtën politikë po tentojnë të zbatojnë në Kosovë, me Listën Serbe. Prandaj , ende mbetët e paqartë së a do të kemi më 23 prill zgjedhje , apo ata do të shtyhen, jo për fajin e organeve tona përkatëse. Edhe Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë i ka dhënë përkrahje KQZ, si institucion kushtetues dhe përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve. Dorëheqja e zyrtarëve zgjedhor të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, kanë bërë që KQZ-ja të përballët më sfida për të organizuar dhe administruar një proces të rregullt zgjedhor, dhe ballafaqimi më problem të tjera të natyrës teknike. Reagime i Listës Serbe më pretendime së nuk ka siguri për zgjedhje pas plagosjes të një qytetari serb në veri, është logjikë absurde, por më prapavije të rrezikshme”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat