Ngrihet alarmi për ndërkombëtarët/ Ja pse duhet të ndërmarrin masa të ashpra ndaj Serbisë!

Politika

Ngrihet alarmi për ndërkombëtarët/ Ja pse duhet të ndërmarrin masa të ashpra ndaj Serbisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 prill 2023 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Gjatë ditës së shtunë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e tyre ku dhe është përshëndetur marrëveshja për shërbime ajrore.

Sipas Presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështes Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

Temë e takimit kanë qenë edhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë, ku Osman ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

A është kjo deklaratë e cila duhet të merret parasysh nga ndërkombëtarët, që të ndërmarrin masa ndaj Serbisë?

Qarri: Kosova është dhe mbetet e përkushtuar maksimalisht pikësëpari për avancimin e shtetësisë së vet

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai u shpreh se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është bërë temë diskutimi në nivel vendor dhe në atë ndërkombëtar, që normalizimi i tyre të bëhet sa më shpejt.

“Ditëve të fundit dialogu me Serbinë serish është bërë temë diskutimi nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Për faktin e paprecedent se Serbia edhe pas më tepër se një dekade të bisedimeve vazhdon publikisht inskenimin e obstruksioneve të hapura për moszbatimin e marrëveshjeve të mëhershme të Brukselit dhe asaj të dakorduar së fundi me 18 mars në Ohër, me ndërmjetsimin e faktorit ndërkombëtar, sado që me plot pompozitet thuhej se kinse garant i zbatimit të saj janë BE dhe SHBA”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që Serbia hegjemoniste duke shfrytëzuar heshtjen e paprecedent të BE-së dhe SHBA-ve.

“Por, siç potencoi edhe Presidentja e vendit zonja Vjosa Osmani, megjithëse Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, Serbia hegjemoniste duke shfrytëzuar heshtjen e paprecedent të BE-së dhe SHBA-ve, po vazhdon me obstruksione të reja edhe sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur së fundi në Ohër”, shtoi Qarri.

Nga ana tjetër, analisti përmend edhe kërcënimin e fundit të Dodik bëri për ndarjen e e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjë Hercegovinës, për shkak të kinse vetëm një mosmarrëveshjeje që përfshika një “ligj për pronën”.

“Për aq më tepër Vuçiq shihet qartë se po bënë çmos që ta trazojë të gjithë rajonion, madje ai këto ditë kishte ftuar në Serbi edhe presidentin e të ashtuquajturës «republika srpska» Milorad Dodik, i cili midis Beogradit kërcënoi me ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjë Hercegovinës, për shkak të kinse vetëm një mosmarrëveshjeje që përfshika një «ligj për pronën» akt që nuk vije vetëm si kërcënim alternativ, për mos formimin e «asociacionit» ashtu siç kërkon Serbia por edhe fakt, që ilustron mënyrën origjinasle të shembullit më kritik, se si nesër, mund të nisë edhe ndarja e «asociacionit» nga Republika e Kosovës”, shpjegoi analisti.

Në bisedë e sipër, Qarri shtoi që Kosova duhet t’i alarmojë me kohë ndërkombëtarët që urgjentisht, të ndërmarrin masat e nevojshme paraprake për parandalimin e aventurave të mëtejme të Serbisë hegjemoniste.

“Prandaj duke qenë se Kosova është dhe mbetet e përkushtuar maksimalisht pikësëpari për avancimin e shtetësisë së vet, anëtarësimin e saj në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm në vend dhe rajon, vendi ynë duhet të vazhdojë të koordinohet sa më ngusht, me aleatët ndërkombëtarë për zbatimin e marrëveshjes më të re edhe nga Serbia. Si dhe ti alarmojë me kohë ndërkombëtarët, që urgjengtisht, të ndërmarrin masat e nevojshme paraprake për parandalimin e aventurave të mëtejme të Serbisë hegjemoniste, e cila shihet hapur se po tenton publikisht të rindez përsëri vatrat e luftës jo vetëm në Kosovë por edhe në shtetet fqinje dhe mbarë Ballkanin Perëndimor”, tha Qarri për “Bota sot”.

Kelmendi: Serbia synon ndarjen ose ripushtimin e Kosovës

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që plani i shtetit serb është që nëpërmjet Listes Serbe të shkaktohet konflikt luftarak dhe se për atë qëllim kemi patur tërheqjen nga pushteti të të gjithëve në veri.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në kuadër të veprimeve neo-shovenite serbe është padyshim edhe takimi i kriminelit të luftës Vuçiq me Listen Serbe, sikundër edhe provokimet që po bëhen në veri të Republikës. Plani i shtetit serb është që nëpërmjet Listes serbe të shkaktohet konflikt luftarak, si bazë për intervenimin serb dhe, kështu të vijë te shkëputja e kësaj pjese nga Kosova dhe aneksimi nga Serbia. Krimineli i luftës A. Vuçiq ka treguar deri tash se synon ripushtimin e Kosovës ose ndarjen dhe aneksimin e veriut. Këtë po përpiqet të realizon me Listen serbe. Për atë qëllim kemi patur tërheqjen nga pushteti të të gjithëve në veri dhe tash kemi mos pjesëmarrjen në zgjedhjet e organizuara, sikundër edhe provokimet dhe aktet terroriste”, foli profesori.

Në fund, ai u shpreh që Serbia e ka theksuar që nuk do ta zbatojë këtë Marrëveshje dhe se duhet ndërkombëtarët të reagojnë në lidhje me gjithë këto veprime që serbët po bëjnë.

“Serbia nuk po e zbaton Marrëveshjen e Brukselit. Këtë e kanë thekesuar shumë personalitete të shtetit. Për të ndaluar këtë zbatim, si dhe për të arritur te një gjendje lufte në veri të Kosovës, kemi veprime kriminale, duke mohuar të njëjtën. Kjo shihet nga sulmet ndaj organeve legjitime. Bazament i tërë kësaj lëvizje çetnike është Lista Serbe e udhëhequr nga krimineli i luftës Vuçiq. Askund në botë nuk tolerohen aksione të tilla kriminale dhe terroriste si në Kosovë që po kryhen nga kriminelët serb të udhëhequra nga Beogradi. Sulmohen organet e shtetit dhe faktori ndërkombëtar heshtë”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat