Eksperti amerikan për rastin e Milan Jovanoviç: Akt skandaloz dhe i dhunshëm/ Ja qëndrimi i tij rreth targave KM

Politika

Eksperti amerikan për rastin e Milan Jovanoviç: Akt skandaloz dhe i dhunshëm/ Ja qëndrimi i tij rreth targave KM

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 prill 2023 Në ora: 09:48
Aleksander Vuciq

Të dielën do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës. Këto zgjedhje vijnë pasi më 5 nëntor të vitit të kaluar, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje. Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS - Republika e Kosovës.

Lista Serbe vazhdon t’i bojkotojë zgjedhjet, madje ajo ka vendosur edhe disa kushte për kthimin në institucionet e Republikës së Kosovës.

Një prej tyre, përveç fillimit të themelimit të Asociacionit, është edhe largimi i njësive speciale të Policisë së Kosovës nga komunat veriore.

Për këtë gjë, në këto komuna tashmë kanë filluar edhe mbledhje të nënshkrimeve.

Siç raportojnë mediat serbe, diku më shumë se 300 qytetarë janë nënshkruar.

Kjo nismë e serbëve për largimin e njësive speciale ka ardhur pas plagosjes së Milan Jovanovicit.

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir, duke iu referuar ecurisë sesi ka ecur raportimi për plagosjen e Milan Jovanovicit, shprehet se është e pa nevojshme të thuhet se ky është një akt skandaloz dhe i dhunshëm.

Sipas tij, prokurorët duhet të marrin çdo masë ligjore për të ndëshkuar autorët në përputhje me ligjin.

“Pas mohimit se policia e Kosovës nuk kishte të bënte me lëndimet e shkaktuara një serb të Kosovës, hetimi i incidentit zbuloi se inspektorët e Policisë së Kosovës kanë arrestuar katër policë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale dhe nuk e kanë raportuar veprën e tyre. Më tej nga hetimet rezultoi se një prej policëve do të akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Është e panevojshme të thuhet se ky është një akt skandaloz i dhunshëm dhe prokurorët e Kosovës duhet të marrin çdo masë ligjore për të ndëshkuar autorët në përputhje me ligjin”, deklaron Meir.

Image
Alon Ben Meir

Një prej kushteve tjera të Listës Serbe është edhe lejimi i targave KM.

Nëse targat mund të jenë shkas për destabilizim të veriut dhe pse ndërkombëtarët nuk marrin masa ndaj Serbisë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme ka folur eksperti amerikan.

Sipas tij, çështja e targave është e pa rëndësishme dhe është dashur të zgjidhet përgjithmon.

“Mjerisht edhe pse çështja e targave është e parëndësishme dhe nuk duhet të ishte e përhershme, duhej të ishte zgjidhur, sepse ajo do të vazhdojë të frustrojë të gjitha palët sepse simbolizon 'pavarësinë'. Kjo është arsyeja pse Serbia, pra presidenti Vuçiq, nuk mund ta bëjë veten të zbatojë marrëveshjen për licencën, edhe pse ai i njihte prerogativat e Kosovës në këtë drejtim, sidomos kur marrëveshja franko-gjermane u finalizua (edhe pse nuk u nënshkrua) më 18 mars”, shprehet Meir.

Ndryshe, Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë për media dje tha se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës nëse ato janë të lira dhe të ndershme dhe theksoi se i ka kërkuar Listës Serbe që të luajë rolin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat