Betimi i kryetarëve të rinj në katër komunat e veriore mund të prodhojë incidente?

Politika

Betimi i kryetarëve të rinj në katër komunat e veriore mund të prodhojë incidente?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 maj 2023 Në ora: 12:02
Foto ilustrim

Më 23 prill në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë mbajtur zgjedhjet për kryetar.

Pas numërimit të votave të pakta, në të katër komunat fitimtarë dolën kandidatët shqiptarë nga dy partitë politike PDK e VV.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka bërë certifikimin e rezultateve, ndërsa deri në ushtrimin e mandatit janë disa faza në mesin e tyre edhe pjesa e betimit të kryetarëve.

Ekspertët e sigurisë thonë se procesi i pas certifikimit mund të prodhojë tensionim, ndërsa analistët politikë thonë se kryetarët duhet të betohen në emër të së drejtës kushtetuese të kryetarëve të komunës së Kosovës.

Nga rezultatet përfundimtare për zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit dhe për zgjedhjet për kuvende komunale në Zveçan dhe Leposaviq, qytetarët kanë votuar si në vijim:

Leposaviq: Lulzim Hetemi (VV) 73,3 për qind; Albulena Behluli- Hetemi 25 për qind; Aleksandar Jabllanoviq 1,5 për qind.

Zubin Potok: Izmir Zeqiri (PDK) 52,2 për qind; Flatron Hasani (VV) 47,7 për qind.

Zveçan: Ilir Peci (PDK) 59 për qind; Fetah Peci (VV) 37,3 për qind; Slagjana Pantoviq 3,6 për qind.

Mitrovicë e Veriut: Erden Atiq (VV) 66,9 për qind; Taulant Kelmendi (PDK) 23,4 për qind; Betim Osmani 9,7 për qind.

Ndërkaq, në kuvendin komunal të Leposaviqi, VV ka fituar 15 ulëse, PDK 2 ulëse dhe Partia Kosovskih Srba 2 ulëse.

11 ulëse PDK dhe VV 8 ulëse i kanë fituar në kuvendin komunal të Zveçanit.

Shala: Çështja mund të rikthehet në pikën zero

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se në procesin e betimit duhet të garantohet kourumi dhe pikërisht këtu mund të ketë interferim.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

“Procesi pas certifikimit të rezultateve do të mund të prodhoje një tensionim i cili është në vazhdën e veprimeve që kanë paraparë të ndërmerren për lirim të urës së Ibrit. Institucionet politik tani me kanë ndarë mendjen për mbajtjen e këtij procesi në nivel politik ndërsa në anën e sigurisë do të paraqitet një situatë e cila në kushte normale nuk do ishte diskutuar fare. Në procesin e betimit duhet të garantohet koruumi dhe pikërisht këtu mund të kemi interferim dhe çështja të rikthehet në pikën zero duke shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme”, shprehet Shala.

Sipas tij, që nga momenti i hyrjes së kryetarëve të rinjë mund të vërehet konfrontimi.

“Në tri komunat tjera përpos këto të Mitrovicës së veriut në ato hapësira veprojnë edhe strukturat paralele dhe në momentin e hyrjes në to të kryetareve të ri mund të vihet deri të konfrontimi me strukturat e shtetit. Me datën 2 maj do të diskutohet edhe kjo pikë e cila mund të shtrohet si kërkesë nga ana e qeverisë, ndërsa Serbia do të kërkojë që rivitalizimi i urës mos të ndodh si kompromis për mos pengim të procesit të betimit”, deklaron Shala.

Mehazi: Fajin e humbjes së këtyre komunave serbët lokalë të veriut le ta kërkojnë në mes veti

Image
Analisti politik Sulejman Mehazi

Ndërsa, analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se betimi i kryetarëve duhet të bëhet në gjuhën zyrtare shqipe dhe në emër të ligjeve të komunave të Kosovës.

“Normale se kryetarët e rinj të katër komunave në veri të Kosovës do betohen në emër të së drejtës kushtetutës së kryetarëve të komunave të Kosovës, zgjedhjet lokale të komunave në veri janë organizuar nga qeveria e Kosovës e jo nga qeveria e Serbisë, janë mbajtur në emër të republikës së Kosovës dhe betimet e kryetarëve të rinj të këtyre komunave me shumicë serbe do bëhen në gjuhën zyrtare shqipe dhe në emër ligjeve të komunave të Kosovë”, thekson Mehazi.

Ai parashikon pakënaqësi e revoltë nga serbët lokalë, por jo “incidente”.

Sipas tij, fajin e humbjes së këtyre komunave serbët le ta kërkojnë mes veti, Listës serbe e Vuçiqit.

“Nga serbët lokalë mund të ketë pakënaqësi e revoltë për shkak humbjes së këtyre komunave të veriut, por kurrsesi nuk mund të ketë "incidente", ata nuk kanë të drejtë të bëjnë "incidente" për shkak se vullnetshëm nuk votuan duke dëgjuan Listën serbe të Vuçiqit, ata vetvetiu ua dhanë shqiptarëve këto katër komuna me shumicë serbe. Fajin e humbjes së këtyre komunave serbët lokalë të veriut le ta kërkojnë në mes veti, Listës serbe e Vuçiqit, ata duhet ta kenë të qartë se jetojnë nën qeverinë e kushtetutën e Kosovës e jo të Serbisë”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat