Zbulohen arsyet pse u shkarkua ekipi serb që publikoi draft statutin e Asociacionit: “Pse po tentohet kapja e Kosovës për fyti”?

Politika

Zbulohen arsyet pse u shkarkua ekipi serb që publikoi draft statutin e Asociacionit: “Pse po tentohet kapja e Kosovës për fyti”?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 10 maj 2023 Në ora: 22:16
Takimi Kurti Vuçiq me praninë e Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak në Bruksel

Kosova dhe Serbia u takuan në Bruksel me 2 maj.

Në takimin që u zhvillua ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq, nuk u arrit ndonjë marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Aty është prezantua edhe një draft statut nga një ekip menaxhues i themeluar nga qeveritë e kaluara të Kosovës, ekip ky të cilin e përbënin vetëm serbë, por ky draft, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel, nuk është përfundimtar por vetëm i pari.

“Palët kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm për themelimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje është dakorduar para dhjetë vitesh. Ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës ka prezantuar draftin e parë që nuk është përfundimtar. Përshëndes faktin që ky draft tashmë u hodh në tryezë”, tha Josep Borrel.

Megjithatë, ishte kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti që nuk është pajtuar me këtë draft statut.

Madje të nesërmën, qeveria e Kosovës e shkarkoi nga detyra ekipin menaxhues që ishte themeluar nga qeveritë e kaluara të Kosovës në vitin 2016.

Ekipi menaxhues përbëhej nga katër persona, pjesëtarë të komunitetit serb, Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq. Kordinatore e ekipit menaxhues ishte Danijella Vujiçiq, në atë kohë përfaqësuese e Listës Srpska, tani deputete në Kuvendin e Serbisë, nga partia e Presidentit Aleksandar Vuçiq.

Lajmin për shkarkimin e ekipit menaxhues e kishte bë të ditur Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi.

Ai tha se "ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha pas takimit në Bruksel se draft-statuti i prezantuar ka qenë "fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës”.

Kurti tha se ai ka propozuar një "draft-vizion” mbi kornizën që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq, tha nga ana e tij se “Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është i papranueshëm për Kosovën, për shkak të Kushtetutës së saj", tha Vuҫiq.

Kryeministri Albin Kurti, në vend të statutit të prezantuar nga ekipi menaxhues, tanimë të shkarkuar nga detyra, menjëherë pas takimit propozoi një "draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, "rregullon çështjen e komuniteteve jo-shumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Draft vizioni i Kurtit për "vetëmenaxhimin e serbëve përmban 10 pika.

Në letrën e publikuar nga Kurti theksohet, se kjo çështje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, letrën e ish-ndërmjetëses Federika Mogherini dhe qëndrimet e SHBA-së.

Kryeministri Kurti tha se kjo çështje duhet t'i përmbajë disa elemente kyçe: "Të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, përkatësisht Konventa Kornizë; Të ofrojë mundësinë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të promovojnë dhe mbrojnë interesat e tyre përmes një kornize të vetëmenaxhimit; Të nxisë një projekt joterritorial, ku të gjithë serbët në Kosovë do të përfaqësoheshin funksionalisht (duke u mbështetur në të drejtën e votës dhe parimet e parapara në Kapitullin III, nenet 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës) në përputhje me parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimin dhe mbi bazën e të cilave, të gjithë serbët në Kosovë realizojnë të drejtën e tyre për asociim të lirë për të mbrojtur apo avokuar për të drejtat dhe qëllimet politike, kombëtare, kulturore, sociale, ekonomike dhe të tjera”.

Me tej në tekstin e Kurtit thuhet se draft vizioni i tij, "Do të sigurojë kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit me Qeverinë e Kosovës, ndër të tjera, përmes pjesëmarrjeve në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve; Do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia, të cilat të gjitha duhet të kalohen përmes procedurave dhe rregulloreve të Ministrisë së Financave të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në vizionin e Kurtit.

Në fund, si zotim shoqërues, përmendet se "duke u bazuar në frymën thelbësisht liberale të Marrëveshjes Bazë, e cila, në preambulë thekson se "mbrojtja e minoriteteve kombëtare është kusht themelor për paqe”, ky projekt duhet të personifikojë vendosmërinë e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë që të mbeten të sinqerta dhe të angazhuara për të siguruar që komunitetet e tyre përkatëse jo-shumicë plotësojnë të njëjtat standarde për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, standarde që i kanë të përbashkëta shoqëritë demokratike dhe të bashkuara, e të cilat askënd nuk e lë prapa”.

Në lidhje me këtë çështje, flet profesori dhe juristi Blerim Burjani.

Ai thotë se ai ekip nuk ka pas mandat të precizuar, as kur e kryen punën që e prropozon draftin e as kur nuk e kryen, dhe se ekipit nuk i ka shkruar askund mandati.

“Faktikisht ai e ka propozu draftin dhe këta kanë propozuar shkarkimin e tyre, për arsye që ka pasur tema të tjera që janë në kundërshtim apo janë në konflikt me Kushtetutën e vendit, pavarësinë e vendit dhe shtetit unitar. Janë tri segmente që janë shkaktuar”, thotë Burjani.

“Ne tash duhet me shku në bazë kushtetutese dhe në marrëveshjen e vitit 2013. Tentativa me kap për fyti Kosovën me ato temat e ndryshme ndërkombëtare pse e ka shkarku nuk ka kuptim, sepse nuk ka pas mandat juridik të prerë që duhet me mbet tanë kohën si ekip ose kur ta kryen punën me shku prej shpie”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, tash kur flitet në aspektin juridik ndërkombëtar, Kosova është shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera, e njohur ndërkombëtarisht, ndërsa sa i përket politikës është segmenti i dytë se qysh e trajton.

“Në kuptimin juridik Kosova është shtet i pavarur dhe nuk e zbeh, në asnjë variant, në asnjë mënyrë, në asnjë fjalor politik. Kosova është shtet i pavarur dhe ajo mbetet e tillë, ndërsa sa zhvillohet dhe si ndërtohet, a është ndërtu dhe a duhet me u ndërtua ende ajo nuk ka kufi. Shteti ndërtohet në bazë të parametrave kohor dhe zhvillohet në suaza të zhvillimeve ekonomike sociale dhe ndërkombëtare. Shteti është një organizim multifunksional që më nuk mundet me jetu i vetëm në evropë dhe botë për shkak të ndryshimeve globaliste që janë të mëdha”, thotë Burjani.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar me një marrëveshje tjetër në vitin 2015.

Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar asnjëherë, për shkak se Beogradi kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa, Prishtina refuzon me arsyetimin, se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit dhe të ngjasojë me një Republikë Srpska në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat