Zeqiraj akuzon rëndë Thaçin, Mustafën dhe Tahirin për Asociacionin: Ja si mund të prishet marrëveshja fatale për Kosovën

Politika

Zeqiraj akuzon rëndë Thaçin, Mustafën dhe Tahirin për Asociacionin: Ja si mund të prishet marrëveshja fatale për Kosovën

Nga: A.Zh Më: 13 maj 2023 Në ora: 11:49
Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Edita Tahiri

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka përmendur dy faje të Kosovës, ndër të cilat edhe dialogun me Serbinë. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Zeqiraj ka thënë se u lejuan të marrin poste shtetëore njerëzit e shantazhuar me dosje kriminale. Ai ka akuzuar partitë e tanishme opozitare, se ia lejuan Serbisë administrimin e brendshëm të Kosovës, përmes Asociacionit të Komunave.

“Dilema gjithë shqiptare është se çka do të ndodhë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe?

a) Faji fillestar i Kosovës është pse u lejuan të katapultohen në poste drejtuese e vendimmarrëse njerëzit e shantazhuar me dosje faktike kriminale, edhe pse të tillët u identifikuan qysh përgjatë luftës! Është Bardhyl Mahmuti, i ngarkuar me politikën e jashtme të LPK-së, ai që denoncoi i pari agjentin e Shërbimit Sekret DGSE të Francës, Danjean Arnaud, dhëndër i Serbisë dhe lidhjen agjenturore të tij me Hashim Thaçin. Dhe, kjo lidhje daton qysh para luftës në Kosovë.

b) Faji i dytë është pse Kosova pranoi të dialogojë me Serbinë, për çështje politike, përfshirë këtu edhe administrimin e brendshëm të Kosovës, siç është Asociacioni komunal. Dhe, këtë e bëri PAN-i, i prirë nga kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, me aleatët e tij, të dalë nga LPK-ja enveriste-staliniste. Ekziston dyshimi i bazuar se disa nga krerët e LPK-së, ishin argatë të hershëm të Serbisë. Dhe, rekrutimi ka vazhduar, duke kulmuar në vitet `90-a e këtej, që reflektoi në marrëdhëniet konspirative me Serbinë, fshehurazi strukturave partake e shtetërore”, është shprehur analisti.

Ai më tej e ka akuzuar për mashtrim ish-krenegociatoren për bisedimet me Serbinë Edita Tahiri.

“Proklamimi përbetues i kryenegociatores Edita Tahiri, se "ne po bëjmë vetëm bisedime për çështje teknike", rezultoi mashtrues, i gënjeshtërt. Pse mbaheshin kaq sekret këto bisedime, "tymi do të dilte më vonë" dhe, pikërisht, me nënshkrimin e Asociacionit, thënë edhe në gjuhën e palës dialoguese -"Zajednicës"-, me kompetenca ekzekutive, në vitin 2013!”, ka thënë Idriz Zeqiraj.

Ai ka hedhur akuza të rënda edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që sipas tij, kishte për qëllim marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, “dhunshëm e përgjakshëm”.

“Hashim Thaçi ishte i shantazhuari i shummëfishtë. Mbi atë me shokë rëndon akuza tmerruese: Përdorimi i të gjithë katalogut të torturave fashiste e komuniste, kopjuar të gatshme nga filosllavi kriminel Enver Hoxha, me Politbyronë e tij servile, si: kidnapime, arrestime, burgosje, dajakosje, maltretime, stërmundime, madje deri në vrasje të kundërshtarëve politikë shqiptarë.

Dëshmi janë shtatoret, bustët, pllakat përkujtimore, varret numerike anekënd Kosovës, por edhe pa varre fare, ashtu siç bëri edhe monstrumi Hoxhë, me të paktën 6.000 intelektualë të ekzekutuar, me gjyqe e pa gjyqe fare, përgjatë sundimit kriminal afro gjysmë-shekullor. Qëllimi ishte i njëjtë: Marrja dhe mbajtja e pushtetit, dhunshëm e përgjakshëm, duke shkelur mbi kufoma shqiptarësh ushtarakë luftëbërës, intelektualë dhe atdhetarë të shquar”.

“Pas shumë travajash, rininë e bjerrur burgjeve politike, një liri e dhuruar nga SHBA, me aleatët e saj, pas rënies në fushën e nderit të 800 dëshmorëve dhe tej 12 mijë viktimave civile të pafajshëm, disa këlyshër shqipfolës, në shërbim të shteteve armike të Kosovës, ia shtuan jetimët Kosovës, duke ua ngrirë buzëqeshjen e lirisë shqiptarëve të përbotshëm”.

Publicisti ka kujtuar edhe kohën se si ishte votuar marrëveshja për Asociacionin në Parlamentin e Kosovës.

“Skajshëm i shqetësuar se është nënshkruar dhe votuar, skllavërisht e idiotisht, në Parlamentin e Kosovës, një marrëveshje ndërkombëtare, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse "një njeriu iu nënshtrua një popull i tërë!" Prapa tij ishte një lukuni servilësh e puthadorësh bashkëmendimtarë, nga torishta e partisë-bandë PDK-së”, ka thënë ai.

Zeqiraj ka përmendur edhe një mundësi për zhbërjen e marrëveshjes për Asociacionin, duke sjellur në vëmendje rastin e Anglisë dhe Islandës.

“Duke hulumtuar për mundësinë e zhbërjes të asaj marrëveshje, hasa në një doktrinë të njohur ligjore ndërkombëtare të quajtur - Clausula "Rebus Sic Stantibus", e cila mundëson shfuqizimin e një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar skajshëm. Një rast i tillë ka ndodhur në mes Anglisë dhe Islandës”.

Sipas tij, ish-kryeministri Isa Mustafa, është shantazhuar nga SHIK-u. 

“Për prishjen e një kontrate apo marrëveshje, duhej argumentuar bindshëm, duke pasur parasysh rrethanat ekstreme, në të cilat është bërë marrëveshja. Shantazhimi i shumëfishtë i Hashim Thaçit, me dosjen e krimeve para, gjatë dhe pas luftës, në këmbim të lirisë personale, vendosi t`i bëjë lëshime fatale Serbisë. Edhe Isa Mustafa ishte rrast i shantazhuar nga SHIK-u. Prandaj, llogaritet si kuadër i bindur i Hashimit.

Fondi shtetëror, i njohur si Fondi i 3 %-it, ka pasur një organizim të shkëlqyer zyrtar. Kontributet mujore e vjetore në Mërgatën shqiptare janë bërë përmes xhirollogarive bankare. Andaj, ish-ministri Isa Mustafa nuk akuzohet për hajni. Por, u ka dhënë miliona marka komandantëve edhe në muajin prill e maj 1999, të cilat nuk janë shfrytëzuar fare për luftën. Dhe, ka fakte të mjaftueshme se janë blerë troje e toka, janë ngritur pallate, kryesisht, janë paguar atentatorët, përkatësisht, ekzekutorët e kundërshtarëve politikë shqiptarë”, ka potencuar Zeqiraj.

Ai ka theksuar se përkundër që i ka vërë në dijeni qeveritarët për mundësinë e prishjes së marrëveshjes, deri tani nuk është provuar një gjë e tillë.

“Përfaqësuesit qeveritarë e shtetërorë i vura në dijeni për mundësinë e rishikimit, deri në prishjen e marrëveshjes në fjalë. Ngritja e akuzës, qoftë edhe formale, ndaj nënshkruesve të marrëveshjes fatale për Kosovën, do të ishte argument domëthënës. Por, deri më tani nuk është provuar një gjë e tillë”, ka shtuar Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat