Dëshmitë ‘misterioze’ në Hagë - çfarë po ndodh prapa dyerve të mbyllura të Hagës?

Politika

Dëshmitë ‘misterioze’ në Hagë - çfarë po ndodh prapa dyerve të mbyllura të Hagës?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 maj 2023 Në ora: 16:15
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi

Katër dëshmitarët e parë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, i kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Rexhepi akuzohen, mes tjerash, për veprat: përndjekje, burgim, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara të tyre janë kryer nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në disa zona në Kosovë dhe në disa në veri të Shqipërisë.

Prokuroria pretendon se shumica e viktimave të të akuzuarve - rreth 100 syresh - janë shqiptarë, por ka edhe serbë dhe romë të Kosovës.

Gjyqi ndaj Thaçit dhe tre të të akuzuarve të tjerë është rasti i profilit më të lartë në Gjykatën Speciale, që lidhet me luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.

E në lidhje me faktin se këto seanca po mbahen të mbylluar dhe sa janë ato transparente kanë folur për “Bota sot” Xhevat Dajaku dhe Skënder Zogaj.

Ata komentuan këtë vendim të Dhomave të Specializuara dhe dëshmitë e dhënë nga dëshmitarët.

Dajaku: Dëgjimi i dëshmitarëve me dyer të mbyllura është menduar edhe për mbrojtjen e tyre si dhe të famljeve të tyre

Image
Xhevat Dajaku

Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, i cili ishte njëri nga viktimat e vrasjeve politike, komentoi procein gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, ku të akuzuar janë ish-krerët e UÇK-së.

Fillimisht, vlerësoi në Gjykatën Speciale po zhvillohet një gjykim shumë profeiona, pa ndonjë ndikim.

Mirëpo, ai përmendi edhe largimin e disa dëshmive dhe dëshmitarëve nga ky process gjyqësor.

“Unë kisha me u shfaq pak më i përmbajtur me pozicionin që e kishin apo që pretendohet që e kishin në strukturën e UÇK-së pasi ata vetë po i bëjnë bishtë pozicioneve apo pushtetit total që kishin në kohën e luftës nën uniformën e UÇK-së. Atje është duke u bërë një gjykim tepër profesional, pa ngjyrime çfarëdo qofshin, pa ndikime e imponime, e gjitha vetëm mbi bazën e dëshmive, fakteve dhe argumenteve.

Problemi është se ka kaluar kohë e gjatë dhe shumë dëshmi e dëshmitarë janë larguar prej procesi për shkak të natyrës e rrethanave që i dimë të gjithë, dmth të akuzuarit kanë pasur pushtet pa limit. Pra kontrolli i tyre mbi pushtetin u ka mundësuar të shtrembrojnë prova, të frikësojnë dëshmitar ndoshta edhe kanë eleminu shumë prej tyre”, deklaroi vëllai i ish-deputetit të vrarë.

Sa i përket faktit që seancat po vazhdojnë të jenë të mbyllura, Dajaku tha se kjo po bëhet pasi udhëheqësit e drejtësisë po e shohin të arsyshme.

Sipas tij, ky proces shkon në favor të të dyja palëve, si për të akuzuarit, ashtu edhe për dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

“Vet fakti se si po këmbëngulin t'i ndërrojnë deklarimet e mëhershme vazhdimisht gjatë procesit që po zhvillohet ndaj të pandehurve tregon se këta kanë ra në grackën e deklaratave, rrëfimeve, shkrimeve, publikimeve, botimeve, debateve e raportimeve të veta. Forma e zhvillimit të procesit është duke u bërë ashtu si e shohin të arsyeshëm faktori i drejtësisë, ata me siguri i kanë parasysh të gjitha rrethanat dhe për këtë nuk ka dyshim. Mirë do ishte për publikun me qenë proces i hapur por kjo nuk iu konvenon as të akuzuarve në radhë të parë sepse ata do të përballen me gjëra të pazakonta për publikun i cili do të shokohej nga veprat kriminale apo krimet mbi njerëzit e popullit të tyre, që një gjë e tillë ka ndodhur vetëm ne sistemet e errëta moniste”, theksoi ai.

Krahas kësaj, vëllai i truprojës së vrarë të presidentit historik, Ibrahim Rugova kritikoi disa organizma politico-shoqëror, që gjykimin e ish-krerëve po e lidhin me UÇK-në dhe veprimtarinë e saj.

“Kuptohet që dëgjimi i dëshmitarëve me dyer të mbyllura është menduar edhe për mbrojtjen e tyre si dhe të famljeve të tyre për shkak se është një numër jo i vogël dhe i organizuar gjitheandej në përkrahje të të akuzuarve të cilët nuk dojn të dëgjojnë për drejtësi dhe kjo shihet çdo ditë nëpër manifestime të ndryshme, si protesta, media, politika, shoqata e veteranëve e të tjera,...Dhe më e keqja që këta organizma politoko-shoërore me çdo kusht po mundohen ta sigmatizojnë UÇK-në me të akuzuarit për krime, që do të thotë po tentojnë ta dëmtojnë imazhin madhështor të UÇK-së për hirë të atyre që janë të dyshuar për kryrje të veprave të shëmtuara duke tentuar t'i fshehin pas pastërtisë së saj”, nënvizoi Dajaku.

Ndër të tjera, ai u shpreh optimist që do bëhet drejtësi për gjithë ato viktima të vrara pas luftës.

“Pra zingjiri i këtij manifestimi terrorizues është kështu: të akuzuarit janë alfa e omega e UÇK-së, pra këta janë vet UÇK-ja, dmth ata që dëshmojn kundër tyre, dëshmojnë kundër UÇK-së, pra janë tradhtar dhe kjo është e mjaftueshme për të ja hapur rrugën një krimi të mundshëm mbi dëshmitarët apo familjarët e tyre!... Media në Kosovë është duke i terrorizu dëshmitarët dhe familjet e viktimave me performancën e saj në favor të të akuzuarve. Zoti e bëftë të mundur që të bëhet drejtësi dhe vetëm drejtësi”, përfundoi Xhevat Dajaku për “Bota sot”.

Zogaj: Dëshmitarët duhet të tregohen luftarakë të vërtetë të mbrojtjes së realitetit të ndodhur

Image
Skënder Zogaj

Kurse, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se Kosova do duhej që t’i kryente detyrat e saj kohë më parë, ku në këtë mënyrë nuk do kishte nevojë për fromimin e Speciales.

Ai hodhi dyshime për ekstra hulumtime dhe përfundime, por që shpreson që të bëhen konform drejtësisë.

“E mira e të gjitha të mirave do të kishte qenë që Kosova me kohë t'i kishte kryer detyrat e veta shtetëtore dhe që, të mos kishte nevojë për një Gjykatë Speciale, siç është kjo e Hagës, e cila është krijuar në ekstra kushte dhe rrethana, prandaj edhe do të ketë ekstra funksionim, por të shpresojmë se nuk do të ketë edhe ekstra hulumtime dhe ekstra përfundime, të cilat nuk do të ishin konform drejtësisë dhe sidomos konform luftimit të krimeve”, deklaroi opinionisti.

Gjithashtu, Zogaj tha se ka mungesë të transparencës nga ana e Dhomave të Specializuara, kjo bazuar në senacat e mbylluar që po mbahen në këtë gjykatë.

“Gjykata Speciale tashmë e ka nisur gjykimin e ish- krerëve të UÇK-së dhe, sa po mund të shohim dhe vlerësojmë, nuk është mjaft "stabile", sepse procesit gjykues i mungon transparenca e kjo është një qëndrim që le shumë për t'u dëshiruar, sepse, personazhet e akuzuara janë konkrete, prandaj edhe veprimet kundër tyre do të duhej të ishin të qarta dhe konkrete, sidomos akuzat, që nuk ka aspak kuptim nëse u vihen masaka ose pëshpëritje veshësh”, vlerësoi ai.

Tutje, opinionisti kërkoi që dëshmitarët të mos mbahen të fshehur, por të tregohen luftarakë të mbrojtjes së realitetit të ndodhur.

“Në këtë kontekst sidomos për tu theksuar është çështja e dëshmitarëve, të cilët nuk do të duhej të mbahen të fshehur, qoftë edhe me kushtin e rrezikimit të tyre, sepse, nëse ata janë dëshmitarë të vërtetë, të krimeve reale, nuk kanë pse frikësohen, prej askujt, për më tepër, do të duhej të tregohen luftarakë të vërtetë të mbrojtjes së realitetit të ndodhur”, u shpreh Zogaj.

Në fund, ai shtoi se dëshmitarët guxojnë ta thonë hapur realitetin dhe të tregojnë hapur se çfarë ka ndodhur, në mënyrë që shtetësia e Kosovës të bëhet e përjetshme.

“Dëshmitarët e kanë borxh ndaj vetvetes, ndaj sakrificave dhe gjakut të derdhur për liri, ndaj së vërtetës që është ideali më i lartë gjithënjerëzor, prandaj duhet që të guxojnë ta thonë hapur realitetin. Jam i bindur se nuk është asnjë arsye që dëshmitarët të qëndrojnë të fshehur sepse transparenca është me këtë rast, më e rëndësishme se gjithçka, më e rëndësishme edhe se verdikti i drejtësisë, e cila duhet ta vulosë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke e treguar hapur atë që ka ndodhur, në mënyrë që shtetësia e Kosovës të bëhet e përjetshme”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat