A është ‘Asociacioni kroat’ zgjidhja më e mirë për Kosovën – flet Kelmendi, paralajmëron këtë gjë!

Politika

A është ‘Asociacioni kroat’ zgjidhja më e mirë për Kosovën – flet Kelmendi, paralajmëron këtë gjë!

Nga: A.M. Më: 14 maj 2023 Në ora: 17:08
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe harta e Kosovës

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës njoftoi se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Draft-vizioni erdhi si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Kurti e refuzoi, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Draft-vizioni, sipas të parit të qeverisë, do t’u ofronte pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësi për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë. 

Ky dokument, bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV). 

E për këtë model, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Sipas tij, modeli kroat është i përshtatshëm dhe mund të implementohet, pasi me të përjashtohen organizimi territorial i minoritetit serb mbi baza të pushtetit shtetëror.

“Modeli kroat për pakicat kombëtare është një model i përshtatshëm dhe mund të shërbejë si bazë edhe në rastin e të drejtave për minoritetet në Kosovë.

Me modelin kroat përjashtohet organizimi territorial i minoriteteve mbi baza të elementeve të pushtetit shtetëror. Nuk kemi as organe që veprojnë në hierarki, sikundër as pushtet ekzekutiv”, deklaroi ai.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Po ashtu, Kelmendi theksoi se me këtë model nuk do ketë vendime ekzekutive që drejtojnë në hierarki të pushtetit.

“Modeli kroat i jep mundësi subjektit të interesohet dhe të angazhohet për liritë dhe të drejtat qytetare e kombëtare.

Nuk ka fuqi vepruese dhe nuk ka vendime ekzekutive që drejtojnë në hierarki të pushtetit.

Organet përbëhen nga përfaqësuesit e minoritetit dhe përgjigjet para zgjedhësve dhe shtetit ku është”, potencoi juristi.

Ndër të tjera, shtoi se krahas gjithë këtyre nuk duhet të merret si tërësi ky model, por të përshtatet me kompetencat e Kushtetutës së Kosovës.

“Natyrisht se ky mekanizëm nuk ka pushtet në hapësirën territoriale dhe qëndrimet nuk kanë implementim obligativ. Nuk është organizim me karakter dhe në elemente të pushtetit.

Megjithatë, Kosova nuk duhet të marrë në tërësi modelin dhe ta zbatojë në vend. Modeli kërkohet të shërbej si bazë për diskutim dhe nuk duhet të tejkalon kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës. Kjo, vlen për çdo model, që mund të merret në diskutim”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat