Rezultatet befasuese, zbulohen prapaskenat e zgjedhjeve – ja kush e ndihmoi Ramën drejt pushtetit gati “absolut”

Politika

Rezultatet befasuese, zbulohen prapaskenat e zgjedhjeve – ja kush e ndihmoi Ramën drejt pushtetit gati “absolut”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 maj 2023 Në ora: 20:54
Foto ilustrim

Së fundi, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet lokale, të cilat u përcollën me incidente, konflikte e keqpërdorime të ndryshme.

Policisë gjatë këtyre zgjedhjeve u doli punë, ku në vazhdimësi në shumë pika të votimit iu desh të intervenoj.

Përveç kësaj, kishte edhe probleme teknike, ku në votimet elektronike kishte paqartësi dhe nuk punonte çdoherë sistemi.

Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre, partia në pushtet e udhëhequr nga Edi Rama, Partia Socialiste (PS) po shkon drejt një fitoreje ‘shokuese.

Partia Socialiste po shkon drejt një fitore shumë të thellë në të gjithë vendin. Ndonëse numërimi nuk ka përfunduar ende në tërësi në të gjitha bashkitë, socialistët duket se kanë marrë kontrollin e 54 qyteteve, kundrejt vetëm 6 të fituara nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i përbërë nga demokratët e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, Partia e Lirisë e zotit Meta, dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Demokristianët.

Mirëpo, kjo fitore e Ramës po shihet si një ‘shuplakë’ për demokracinë, ku po aludohet për keqpërdorime, vejdhje e blerje votash.

Madje, demokracia në Shqipëri po krahasohet me atë në Serbi.

E për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve për “Bota sot” folën analistët politik.

Elezaj: Rama e ka shndërruar Shqipërinë në një oazë sorosiane, ku sundon krimi dhe korrupsioni

Fillimisht, opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se qeveria Rama është e ‘keqja më e madhe’ që ka goditur shqiptarët.

Sipas tij, kjo qeverisje e ka shndërruar Shqipërinë në një vend të korruptuar dhe e ka ngulfatur rëndë demokracinë.

“Mjerisht, edhe njëherë zgjedhjet lokale të mbajtura dje në Shqipëri, treguan se partia në pushtet, gjegjësisht qeverisja e socialistëve e udhëhequr nga Edi Rama, është e keqja më e madhe që e ka goditur rendin shoqëror dhe juridik në Shqipëri, e cila qëkur ka ardhur në pushtet në vitin 2013 e ka ngulfatur rënd demokracinë dhe vlerat e saj politike, ekonomike dhe sociale. Pra, duke e shndërruar këtë vend në një shoqëri të korruptuar dhe gllabëruese, ku fjalën kryesore e ka krimi i organizuar, droga, hajnia, oligarkët hajdutë si dhe ideologjia anti-shqiptare neo-komuniste e PS-së”, deklaroi opinionisti.

Image
Rexhep Elezaj

Elezaj potencoi se ka qenë e pritshme që Rama do t’i fitojë këto zgjedhje, pasi që ka pushtetin dhe mundësia për të manipuluar me vota ishte e madhe.

Ai përmendi edhe mbështetjen që ndërkombëtarët ia kanë dhënë Ramës dhe partisë së tij.

“Pra, ka qenë e ditur qysh para mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, se PS e Edi Ramës do t’i fitojë edhe këto zgjedhje, për faktin, sepse duke qenë në pushtet ajo i kishte në dorë pothuajse të gjitha mjetet shtetërore si dhe mundësitë për t’i manipuluar dhe vjedhur votat, ashtu siç kishte vepruar në zgjedhjet e kaluara parlamentare, duke vjedhur vota me thes përmes të ashtuquajturve “patronazhistë”.

Pra, të njëjtën gjë e bëri edhe dje, duke vjedhur vota në disa bashki përmes votimit elektronik, gjë të cilën e kanë denoncuar dje komisionarët e opozitës. Prandaj, marrja dje e shumicës së bashkive në Shqipëri nga ana e socialistëve në pushtet, nuk mund të konsiderohet si befasi, ngase “fitorja” e tyre ka qenë e pritur për shkaqe dhe arsye të njohura, ku ndër më kryesorët konsiderohet qëndrimi përkrahës i ambasadës amerikane në Tiranë, por edhe i grupit të QUINT-ës, sidomos ai i rrjeti sorosian në Shqipëri, i cili ka vite që punon hapur kundër PD-së dhe Dr. Sali Berishës përmes agjentëve të tij si dhe fondeve të fuqishme financiare”, theksoi ai.

Po ashtu, opinionisti potencoi se me ardhjen e Ramës Shqipëria, vendi i shqiponjave, është kthyer në një vrimë të zezë të Ballkanit dhe Evropës.

Krahas kësaj, shtoi se Rama është anti-kosovari më i madh që ka njohur historia shqiptare në shekullin e fundit.

“Kështu që, lirisht mund të thuhet, se me ardhjen në pushtet të PS dhe Edi Ramës para dhjetë viteve, në Shqipëri janë vrarë gati të gjitha vlerat e demokracisë evropiane, është vrarë vota e lirë, zëri i lirë, liria e mendimit dhe fjalës së lirë, është vrarë ekonomia dhe tregu i lirë, është vrarë dashuria ndaj atdheut, etj., me një fjalë Shqipëria, vendi i shqiponjave, është kthyer në një vrimë të zezë të Ballkanit dhe Evropës, ku ka lulëzuar krimi, tregtia me drogë, vrasjet makabre të biznesmenëve dhe njerëzve të pafajshëm nëpër rrugët e Tiranës dhe gjitha qyteteve në Shqipëri, e, deri tek vendosja e sistemit të ri monist, në krye me “Sknderbeun” e ri, i cili që dhjetë vite vranë e kthjellë në Shqipëri, Edvin Kristaq Rama me bandat e tij mafioze!

Por, ajo që më së shumti na brengos neve shqiptarëve të Kosovës, është fakti, se E. Rama me sjelljet dhe bëmat e tij ndaj Kosovës, ka treguar hapur dhe pa fije turpi, se është anti-kosovari më i madh që ka njohur historia shqiptare në shekullin e fundit, një surrogat i keq i enverizmit, madje një serbofil i tërbuar, mik dhe jaran i shpirtit i krye-çetnikut serb, A. Vuçiqit, me të cilin ka lidhur kumari e krushqi më të fortë seç e kishte Enver Hoxha me Dushan Mugoshën (1941-46)..”, vlerësoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai potencoi se afërsia e kryeministrit shqiptar me Vuçiqin, e ka dëmtuar shumë Kosovën.

“Andaj, kjo politikë antikombëtare e E. Ramës si dhe miqësia e tij e ngushtë me Serbinë fashiste, e cila ka vrarë dhe masakruar me mijëra shqiptarë në luftën e fundit, nuk ka asnjë dilemë, se lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës e ka dëmtuar tej mase, bile, ka shkuar aq larg në anti-kosovarizmin e tij absurd, sa që para miliona shqiptarëve të Kosovës janë shtruar dilema dhe pikëpyetje, nëse E. Rama është shqiptar..!?

Për PS dhe qeverisjen e E. Ramës, sidomos për shkaqet e qëndrimit të tij anti-Kosovë mund të flitet dhe shkruhet gjer e gjatë, por gjëja më dhimbshme është fakti shumë i hidhur, se E. Rama, e ka shndërruar Shqipërinë në një oazë sorosiane, ku sundon krimi dhe korrupsioni, ku çdo ditë shkelen ligjet dhe kushtetuta e vendit, ku drejtësia është e marrë peng nga pushteti (SPAK), ku ligjin e bënë i forti dhe ku diskriminohet i dobëti, ku rinia orë e qas ikën nga Shqipëria, dhe kështu me radhë, deri në imbis të pafund..?!”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Demokraci s’ka në Shqipëri!

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” tha se ishte i pritshëm ky rezultat i zgjedhjeve.

E për këtë rezultat befasues, fajtorë e bëri Lulzim Bashën.

“Pak a shumë ka qenë i ditur rezultati, marrë parasysh se PS i ka të gjithë bashkitë, me përjashtim të Shkodrës. Ky rezultat është pasojë e gabimeve të mëdha të Lul Bashës kur bojkotoi zgjedhjet e 2019 duke i lënë Ramës të gjitha pushtetet në duart e tij. Tani, Rama i ka mekanizmat për të mbledhur vota në një apo mënyrë tjetër”, deklaroi ai.

Image
Faton Mehmeti

Sipas analistit, këto zgjedhje nuk janë nga vullneti i qytetarëve, dhe se demokracia nuk ekziston në Shqipëri.

“Zgjedhjet në Shqipëri nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve, ato janë projekt i PS dhe Ramës për të mbajtur pushtetin me të gjitha mënyrat. Demokraci s’ka në Shqipëri. Lul Basha është projektuesi dhe njeriu që në duart e Ramës i bëri gjëmën opozitës, PD-së në veçanti”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat