Fitorja e PS-së në Shqipëri/ Ja pse ndodhi kjo “befasi” - përmendet përçarja e PD-së!

Politika

Fitorja e PS-së në Shqipëri/ Ja pse ndodhi kjo “befasi” - përmendet përçarja e PD-së!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 maj 2023 Në ora: 08:01
Sali Berisha dhe Edi Rama

Më 14 maj u mbajtën zgjedhjet vendore në Shqipëri, të cilat u përballen me tensione dhe incidente.

Tashmë një ditë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, po vijon procesi i numërimit të votave në pjesën më të madhe të bashkive.

Rezultatet e para kanë dalë, ku pothuajse të gjitha bashkitë u fituan nga Partia Socialiste.

Ndërkaq, rezultatet përfundimtare priten të publikohen në mbrëmjen e së hënës.

Në pjesën më të madhe të bashkive, socialistët po festojnë fitoren, pasi rezultatet paraprake i nxjerrin ata në epërsi.

Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte rreth 37 për qind.

Procesi i votimit është përcjellë me disa probleme teknike.

Në disa qendra, votimi nisi me vonesë për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka pasur probleme me paraqitjen e komisionarëve, kryesisht të Partisë Demokratike.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen kësaj radhe është fitorja e madhe e PS-së, pothuajse në të gjitha bashkitë.

Por a ndikoi ndarja e PD-së në këto zgjedhje, përkatësisht në këtë rezultat zgjedhor?

Mehazi: Përçarja e PD-së ia dha luksin e fitores bindëse partisë së Edi Ramës

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai u shpreh se ndarja e PD-së arriti të sjellë këtë fitore të Ramës pasi që përçarja e PD-së ka shkaktuar konfuzion te qytetarët në Shqipëri.

“Fitorja e PS-së është ditur para se qytetarët të dalin para kutive të votimit, vetë përçarja e PD-së ia dha luksin e fitores bindëse partisë së Edi Ramës. Nuk mund të fitohet PS-ja me veprime krye më vete të Bashës, Berishës e Topallit duke lënë anësh bashkimin e PD-se për të nisur nga fillimi për një farë rithemelimi të PD-së duke u lidhur me Monika Kryemadhin, kështu që PS-ja e Edi Ramës gjatë këtyre Zgjedhje Lokale jo që i ruajti bastionet e veta bashkiake, por doli përtej duke pushtuar e sunduar edhe bastionet më të fuqishme të PD-së. Është për t'u çuditur se PS-ja e Ramës radhazi është duke e mundur PD-në, në anën tjetër kjo parti opozitare në vend që të bashkohet, po përçahet aq sa kanë krijuar klane armiqësore në mes veti”, u shpreh profesori.

Më tej, ai thekson që fitorja e njëpasnjëshme e PS-së ka krijuar një komoditet te qytetarët të cilët nuk kërkojnë të ndryshohet pushteti.

“Shkurt e qartë, qytetarët e Shqipërisë ashtu sikurse ishin të dashuruar te diktatori Enver Hoxha, po ashtu janë të dashuruar te narkodileri Edi Rama”, thotë profesori.

“Problemi tjetër i fitoreve të njëpasnjëshme të PS-së është se vetë qytetarët e Shqipërisë më shumë e duan partinë në pushtet me mentalitete trashëguese enveriste sesa partitë opozitare për ndryshime, përkundër qytetarëve të Kosovës të cilët që nga ish-Jugosllavia e kanë atë shpirt opozitar e kundër partive në pushtet. Interesant e për t'u habitur, Shqipëria po zbrazet e zbrazet, kurse votuesit janë të kënaqur me kushtet sociale që ua jep PS-ja e Edi Ramës aq sa në çdo cikël zgjedhor partia e Edi Ramës po bëhet më e fuqishme e më e fuqishme, aq sa ka fituar edhe zonat e Bashkive të demokrateve në veri të vendit. Shkurt e qartë, qytetarët e Shqipërisë ashtu sikurse ishin të dashuruar te diktatori Enver Hoxha, po ashtu janë të dashuruar te narkodileri Edi Rama. Shumica e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe RMV kanë mentalitetin e të votuarve monopartiak, në dallim të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë mentalitetin e të votuarit pluropartik. Pushtetarët në Shqipëri sa më të këqij të jenë ndaj qytetarëve të varfër, aq më shumë vota do kenë e në pushtet do jenë”, theksoi Mehazi për “Bota sot”.

Duhanaj: Një kastë të çorientuar politike siç është PD nuk mund të sjellë fitore

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që opozita me Sali Berishën është përgjegjëse kryesore për dështimet në Shqipëri, dhe e njëjta është vështirë të fitojë.

“Ka vite që e them se në Shqipëri përderisa ekziston PD në ketë formë, ku mbi të ndikojnë Sali Berisha me njerëzit e tij, jo vetëm që nuk mund të jetë parti që bën opozitë, por madje ndikon në ngulfatjen e alternativave të reja të mundshme. Një njeri si Sali Berisha, i cili është drejtpërdrejtë i lidhur me të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe është edhe përgjegjësi kryesor i pothuaj të gjitha dështimeve nuk mund as të bëjë opozitë, por as të qëndrojë më në politikë. Shto kësaj edhe faktin që është i shpallur non grata, këtë veç mund ta quajmë fatkeqësi kombëtare”, potencoi ai.

Nga ana tjetër, analisti shtoi që në momentin që kemi përçarje atëherë fitorja është më e vështirë.

“Më brengos shumë fakti, se si ky njeri akoma e mban peng Shqipërinë. Edhe më brengosës është fakti kur sheh njerëz intelektualë që e përkrahin. Për mendimin tim, Sali Berisha është personifikim i rehabilitimit të nomenklaturës komuniste në Shqipëri dhe të gjitha krimeve të bëra ndaj shqiptarëve. Ky njeri nuk e ka vendin në ballë të kombit. Për ketë jam më se i bindur që do të flasë koha. Prandaj, sot Partia Socialiste, duke qenë se udhëhiqet nga z. Edi Rama, e ka më se të lehtë të fitojë çdo raund zgjedhor, kundrejt një kaste të çorientuar politike siç është PD, pa kauzë e pa plan”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat