“Normalizim ose luftë” – Kritikohet ashpër Lajçaku: Kërcënim i hapur ndaj Kosovës!

Politika

“Normalizim ose luftë” – Kritikohet ashpër Lajçaku: Kërcënim i hapur ndaj Kosovës!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 maj 2023 Në ora: 08:06
Miroslav Lajçak

Më 11 maj u mbajt takimi ndërmjet emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit Albin Kurti.

Miroslav Lajçak pas takimit me Kurtin ka thënë se duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndryshe mund të kemi edhe konflikt.

Ne mund të kemi ose normalizim, ose konflikt. Sigurisht se ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt”, u shpreh Lajçak.

Analistët kanë kritikuar Lajçakun për deklaratën, duke e quajtur kërcënuese për vendin tonë.

Meha: Kjo deklaratë paraqet oreksin e Serbisë që të mos zbatojë marrëveshjet që vet i ka pranuar në Bruksel dhe Ohër

Image
Xhevat Meha

Analisti Xhevat Meha, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë e Lajçaktu ka shumë dimensione.

E një ndër to është ajo se një ndërmjetësues nuk mund të kërcënojë njërën palë, sepse këto “fora” nuk i ha askush.

Kjo deklaratë e ndërmjetësuesit të BE-së ka disa dimensione. Një: janë nga një pjesë e politikës brenda BE-së që është dëshmuar si pro-ruse. Dy: është jo presion por kërcënim, e kjo kurrsesi nuk do të duhej të guxonte të vinte nga një "i supozuar si ndërmjetësues ndërmjet dy palëve". Nuk mund të jesh ndërmjetësues duke kërcënuar njërën palë, këtë “forë” nuk e ha dikush. Tre: është dëshmi e sikletit të Vuçiqit pas dështimit të pritjeve që ka pasur nga Ekipi Menaxhues rreth Asociacionit. Katër: paraqet oreksin e Serbisë që të mos zbatoj marrëveshjet që vet i ka pranuar në Bruksel dhe Ohër. Në këto marrëveshje të arritura nuk ka pasur diku diçka, as edhe si frymë, që të ketë kërcënime të këtij lloji”, thotë ai.

Sipas tij, BE duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë deklaratë kërcënuese ndaj Kosovës.

Por, mbi të gjitha, kjo deklaratë është lëshuar nga përfaqësuesi i BE-së, dhe BE bartë përgjegjësinë për këtë. Nuk mundet BE të normalizoj marrëdhëniet Serbi-Kosovë duke mbajtur qëndrim kërcënues ndaj njërës palë që të pranojë diçka për të cilën nuk është pjesë e marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër. Nuk mundet BE të normalizoj këto marrëdhënie duke sponsorizuar marrëveshjeve dhe të marrë përsipër rol në zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe vetëm pas pak kohe të mbajë qëndrim kërcënues ndaj njërës palë që të pranojë diçka që nuk ka qenë pjesë e këtyre marrëveshjeve”, përfundon Meha.

Mehmeti: Kosova ka të drejtën të kërkojë që z.Lajçak mos të jetë më ndërmjetësues

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti ka thënë se deklarata e Lajçak nuk është për habi sepse ai dihet se mban anën e Serbisë në dialog.

Sipas tij, nëse vazhdohet kështu Kosova edhe mund të bojkotojë dialogun.

Që nga fillimi i dialogut Kosova ka qenë e kërcënuar në një apo formë tjetër. Nuk më habit deklarata e z.Lajçak, kur kihet parasysh animi në favor të Serbisë gjatë gjithë kohës. Në këtë kuptim nuk duhen përfill kërcënimet dhe as qortimet e z.Lajcak, Kosova s’ka pse bën kompromis. Nëse vazhdohet kështu, Kosova ka të drejtën të kërkojë që z.Lajçak mos të jetë më ndërmjetësues, ndryshe Kosova mund të bojkotojë dialogun”, deklaron analisti për “Bota sot”.

Maxharraj: Ndërmjetësuesi Miroslav Lakçak në vend të dialogut ofron luftë Kosovës, kërkohet shkarkimi i tij

Image
Binak Maxharraj

Edhe publicisti Binak Maxharraj, thotë se synimi dhe qëllimi i Vuçiqit dihet që është të marrë veriun e Kosovës ose një copë të tij, dhe këtë po dëshiron të realizojë përmes Asociacionit.

Tutje, analisti hedh kritika të ashpra ndaj dy ndërmjetësuesve të dialogut, Lajçak dhe Borrellit, për të cilët thotë se janë dy fitila pro serb, që mbështesin Serbinë, dhe i bëjnë presion Kosovës për formimin e Asociacionit.

“Lajçak pati takime me zyrtar të shtetit te Kosovës e në veçanti me kryeministrin Kurti, i cili jo që nuk bisedoi si dy bashkëbisedues, por ky person i shitur te Serbia në vend se të bisedonte për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ai qëllimshëm doli jashtë protokollit jashtë sjelljes së një ndërmjetësuesi duke përdor gjuhë te ashpër kërcënuese dhe shoveniste i cili iu kërcënua kryeministrit Kurti duke thënë se: “ose do te këtë normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ose luftë”.

Siç thotë Lajçak “normalizim ose luftë” është diçka që del jashtë kornizës së dialogut. Ky katil sllav haptas po e kërcënon Kosovën duke quar mesazh se ose duhet ta pranoni Asociacionin ose do t’ju kallim, deklarata këto të cilat shkojnë në favor të Serbisë për çka qeveria e Kosovës duhet të kërkoj sqarim nga BE për një deklaratë të tillë skandaloze. Me ketë deklaratë ai e atakon drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin e Kosovës duke lënë me dije se nuk i njeh kufijtë e saj. Por, ai duhet te kuptoj, i pëlqeu ose jo, Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe se nuk mund ta zhbëjë fare, dhe se aludimi i tij në ndonjë” srpska republika” në Kosovë nuk i pinë ujë as atij e as Serbisë, duke thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë. Ai e ka gabim se është vetëm një opsion, është ai i Amerikës siç kanë deklaruar emisarët Eskobar dhe Choollet se Asociacioni e ka për bazë vetëm Kushtetutën e Kosovës nga i cili duhet të niset draftim i i statutit, e jo ndonjë draft i ndonjë ekipi falso menaxhues i ardhur nga Beogradi i cili niset dhe mbaron duke e atakuar sovranitetin e Kosovës. Lajçak por edhe Serbia e dinë fare mirë se lufta ka mbaruar njëherë e mirë, dhe se në saje të kësaj lufte sot Kosova është e pavarur dhe se një luftë tjetër është e pa mundur sepse Kosova është mbrojtur së pari nga populli i saj e pastaj edhe nga ata që kanë çliruar nga okupatori shekullor Serbia dhe se do ta mbrojnë përsëri”, përfundon Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat