Pas presionit të Lajçakut e Borellit, vjen sinjali pozitiv nga Amerika për Kosovën – lidhet me dialogun me Serbinë

Politika

Pas presionit të Lajçakut e Borellit, vjen sinjali pozitiv nga Amerika për Kosovën – lidhet me dialogun me Serbinë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 maj 2023 Në ora: 12:00
Kryeministri Albin Kurti dhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë përpjekjet që të përshpejtohet rruga drejt normalizimit të raporteve.

Në një intervistë televizive gjatë vizitës në vendin tonë, ajo shtoi se SHBA është mbrojtëse e interesave të popullit të Kosovës, që së bashku me BE-në, do t’i siguroje dhe drejtojë bisedimet.

“Është e drejtë që BE-ja po udhëheq këtë dialog për shkak të destinacionit përfundimtar të Kosovës. SHBA-ja po bashkëpunon ngushtë me z. Lajçak, dhe mendoj se është me rëndësi që populli i Kosovës të dijë se SHBA është mbrojtëse e interesave të tij, dhe po e bën këtë tashmë një kohë të gjatë. Miqësia në mes dy popujve tanë është e palëkundshme. Kjo miqësi tashmë ka dhënë fryte të jashtëzakonshme për të dyja vendet. Pra, jini të sigurte se parimet që ne kemi artikuluar publikisht janë ato që ne, së bashku me BE-në, do të sigurojmë se do t’i drejtojnë negociatat”, tha Power.

Kjo përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen në kohën kur përfaqësuesit evropianë, Josep Borell, e veçanërisht Miroslav Lajçak, po bëjnë presion ndaj Kosovës për negociatat me Serbinë.

Analistët për “Bota sot”, komentuan rëndësinë e mbështetjes së SHBA-ve dhe ndikimin e saj në dialogun Kosovë-Serbi.

Mulliqi: Është pozitive që Power kërkoi që bisedimet të sjellin njohje reciproke, që është hequr moti nga fjalori i Borellit dhe Lajçakut

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” mirëpriti mbështetjen e Samantha Power, derisa kritikoi ashpër Borellin e Lajçakun.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, për faktin se vijnë nga dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, këta dy emisarë evropianë edhe po ia mbajnë anën Serbisë, ku për këtë arsye kërkoi përjashtimin e tyre.

“Thuajse është bërë e qartë tashmë qëndrimi BE-së lidhur më Asociacionin që ai të jetë me kompetenca ekzekutive. Pak, më ndryshe janë deklarimet e zyrtarëve të ndryshëm të Amerikës të cilët po e vizitojnë Kosovën. Borell dhe Lajçak po këmbëngulin që të kemi implementim të Asociacionit, pa marrë parasysh faktin madhor se Serbia nuk është duke e pranuar në tërësi planin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella. Duket se edhe në politikat e BE-së, po zbatohen politikat prej nga vijnë ndërmjetësit ndërkombëtare në bisedime. Çekia e Lajçakut nuk e ka pranuar shtetësinë e Kosovës, siç nuk e ka pranuar as Spanja e Borellit, dhe që të dy, për shkak të problemeve të shteteve të tyre të brendshme etnike, po ja mbajnë krahun Serbisë hegjemoniste në bisedimet Kosovë-Serbi. Nëse e shikojmë nga ky prizëm e duhet shikuar, atëherë ishte dashur që pala e Kosovës të kërkojë përjashtim të këtyre emisarëve, që ndoshta dikujt edhe do t’i duket e çuditshme”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Mulliqi tha se nuk duhet të pranohet Asociacioni që është në kundërshtim të Kushtetutës së Kosovës, pavarësisht presionit dhe kërcënimeve të ndryshme.

“Nuk do të këtë përparim të proceseve derisa Borell dhe Lajçak por edhe Escobar, rreshtohen në krahë të formimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Këtë gjë nuk duhet ta pranojmë me asnjë kusht, kur dihet se shkon në shpërbërje të shtetit multietnik të Kosovës sipas planit të Ahtisarit, që vetë bota demokratike e ka pranuar. Tjetër. Nëse Kushtetuta është alfa dhe omega e seciIit shtet, nuk guxohet të veprohet jashtë saj, edhe nëse kjo na kushton me luftë të re me Serbinë. Bota perëndimore na ndihmoi që të bëhemi shtet sovran dhe i lirë, dhe tash çuditërisht po shkelin mbi parimet veta edhe të demokracisë liberale, duke përkrahur një Serbi të pareformuar dhe grabitçare. E kam thënë edhe më parë në prononcime se BE-ja është duke vepruar në bisedimet Kosovë-Serbi, nën presionin e luftës në Ukrainë, duke iu lëshuar terren politik në Ballkan ideve të botës ruse dhe botës serbe, që edhe janë politika zyrtare të Moskës dhe të Beogradit. Si të kuptohet ndryshe, kur po jemi dëshmitarë se sa po tolerohen këto politika serbo ruse në rajon, si në Mal të Zi, Bosnjë dhe në Kosovë. Po shohim çdo ditë incidente të inskenuara në veri të vendit nga strukturat paralele kriminale serbe dhe këto si të tilla po justifikohen nga Lajçak dhe Borrell”, theksoi analisti.

Tutje, ai deklaratën e Power e cilësoi si pozitive dhe shpresëdhënëse për Kosovën, derisa përmendi edhe njohjen reciproke në fund të bisedimeve.

“Minoriteti serb ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botë, dhe gjithë këtë rebelim të tyre nuk e kishte duruar asnjë shtet tjetër në botën demokratike. Edhe kësaj Serbie, sikur asaj të Millosheviqit duhet treguar forcën, se vetëm atë gjuhë e njohin. Vuçiqi vetëm formalisht i pranon marrëveshjet, e faktikisht nuk i zbaton ato, si dy marrëveshjet e fundit të Brukselit dhe të Ohrit. Pak më shumë shton shpresa dhe rrit besimin deklarimi i znj.Power në Prishtinë, se SHBA është mbrojtëse e interesave të popullit të Kosovës. Se a duhet të jetë Kosova më e qetë pas kësaj deklarate do ta vërtetojë shpejt koha. Ky qëndrim politik i saj është më ndryshe nga i Escobarit. Por, që në fakt as Power nuk precizoi shumë se si do të duket Asociacioni. Megjithatë, është pozitive se zonja në fjalë kërkoi që bisedimet të sjellin njohje reciproke, që është hequr moti nga fjalori i Borellit dhe Lajçakut”, vlerësoi Mulliqi.

Në fund, analisti tha se pa u pranuar tërësish marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, Kurti nuk do e pranojë Asociacionin, pasi e di se Beogradi do kërkojë më pas koncesione të reja.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa dhe pa kushte, gjë që po e refuzon presidenti serb, Aleksandar Vuqiq. Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Qeveria jonë më të drejtë e ka refuzuar deri më tash, pa u pranuar në tërësi marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit, se rrezikohet funksionaliteti i shtetit të Kosovës. Serbia hapur është duke kërkuar ndarje të Kosovës. Pas saj, Beogradi do të kërkojë në vazhdimësi koncesione politike deri në zhbërje të shtetit të Kosovës. Këto apetite hegjemoniste serbo-mëdha do të shuhen nga Kosova dhe shqiptarët. Nëse është nevoja do të mbrojmë trojet tona edhe më luftë" përmbylli Skënder Mulliqi për "Bota sot".

Zogaj: Kush janë këta brejtës që duan të hedhin dyshime ndaj qëndrimeve të znj. Samantha Power lidhur me dialogun Kosovë-Serbi

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Skënder Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Fillimisht, ai u shpreh se Amerika është aleati më i madh i Kosovës, ku arriti ta çlirojë atë nga forcat okupuese serbe.

Kosova dhe shumica dërmuese e shqiptarëve e dinë se, falë Zotit në qiell dhe SHBA-ve në tokë, Kosova është çliruar nga kthetrat e okupimt shfarosës të Serbisë, e cila në vitin 1999 po e realizonte spastrimin e plotë etnik duke i vra dhe përzënë nga shtëpitë he atdheu i tyre kosovarët!

Falë SHBA-ve ka ndodhur sulmi 74 ditësh i flotës ushtarake ajrore të NATO-s mbi bazat ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, që janë detyruar të dorëzohen dhe të pranojnë largimin nga Kosova, e cila është çliruar dhe më vonë edhe është shpallur shtet i lirë dhe i pavarur, i pranuar ndërkombëtarisht”, deklaroi ai.

Sipas tij, ky është realiteti i Kosovës, pa Amerikën ajo do mbetej e shënuar si fusnotë.

Gjithashtu, përmendi edhe pretendimet për animin e emisarëve perëndimor kah shteti serb.

“E gjithë kjo është bërthama e së vërtetës së realitetit të shtetit të ri të Kosovës! Kush nuk e pranon këtë ose është i verbër ose shtiret si i tillë dhe, çfarëdo që thotë, është verbësi e keqe, e dëmshme dhe qëllimkeqe, që shqiptarët duhet ta flakin sa më larg, sepse, dihet mirëfilli, pa aleancën amerikane, Kosova, jo vetëm Kosova por edhe rajoni mbesin të shënuara me "fusnotë"!

Së këndejmi, thashetheme hipotetike nëpër koluaret e ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, për qëndrimet pro-serbe të BE-së dhe disa emisarëve amerikanë, janë servime të agjenturore nga laboratoret antishqiptare të cilat, duan ta luhasin miqësinë shqiptaro amerikane, të mbjellin dyshime dhe ta infektojnë sado pak përkrahjen e aleancës evro-atlantike ndaj Kosovës dhe Shqipërisë”, theksoi opinionisti.

Më tej, Zogaj kritikoi ata që hedhin dyshime mbi qëndrimet dhe deklaratat e Power, pasi Kosova ka dështuar në disa çështje për faj të saj dhe jo të tjerëve.

“Komentimet e deklaratave të emisarëve eminentë diplomatikë nga ana e injorantëve kosovarë nëpër mediet e shit-blerjeve të dallkaukëve të lidhur me nëntokën e krimit, janë thashetheme që bëhen për mëditje! Kjo është lojë neveritëse! Kush janë këta brejtës që duan të hedhin dyshime ndaj qëndrimeve të znj. Samantha Power - Administratores së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Kur dihet se të gjitha dështimet e deritashme kanë ndodhur për fajin e Kosovës, ndërsa tash fajin e kërkojmë tek të tjerët”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti potencoi se Lajçak është i autorizuar që të shfaq qëndrimet e BE-së, pavarësisht se mund të ketë “ndjenja” për Serbinë.

“Si ka mundësi të ndodh kjo? Pse ndodh kjo, kur qe 24 vjet bashkësia ndërkombëtare thotë se do të mbështes marrëveshjet që i arrijnë palët! Power sërish pohoi se SHBA është mbrojtëse e interesave të popullit të Kosovës dhe se së bashku me BE-në, do të sigurojë dhe drejtojë bisedimet. Pra, çka ja këtu të keqe? Ku qëndron dyshimi dhe arsyeja e mosbesimit ndaj BE-s e edhe ndaj Lajçakut që etiketohet si pro-serb, ndonëse kjo nuk qëndron fare, sepse ky është emisar i autorizuar për të realizuar qëndrimet e BE-s, dhe absolutisht nuk mund të ndryshoj asgjë nga qëndrimet e misioni që i është besuar! Nëse Lajçak ka simpati ndaj serbëve është çështje e ndjenjave të tij personale! Sikurse, fjala vjen që Radio "Kosova e lirë" ka simpati ndaj Enver Hoxhës, Stalimit dhe Kinës socialiste, që çdo javë i bën apologji me komente diletanteske! Duket arkaike, por mbete sllogani "Gëzohu nëno mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë!"”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat